Prezantohet Kristaq Mile: Të shpëtojmë Shkumbinin
Kristaq Mile është zyrtarisht trajneri i ri i Shkumbinit. Ashtu siç edhe pritej, pas largimit të Gugash Maganit, drejtuesit e klubit bardhekaltër filluan negociatat me beratasin. Fillimisht ky i fundit mësohet se ishte i lëkundur për t’u rikthyer në stolin peqinas, mirëpo këmbëngulja e krerëve bardhekaltër bëri që Mile ta pranojë zyrtarisht ofertën. Për trajnerin është hera e tretë në karrierën e tij që i drejton peqinasit. Dje tekniku fillimisht ka zhvilluar një bisedë me futbollistët, të cilëve u ka kërkuar që në këto momente të vështira të tregojnë vlerat më të mira. “Jam këtu për të dhënë mbështetjen time maksimale. Ju njoh mirë dhe besoj se mund të dalim nga kjo situatë e vështirë. Por duhet të bëjmë gjithçka në fushën e lojës për ta rikthyer skuadrën te sukseset, duke filluar që në sfidën e radhës përballë Laçit”, – kanë qenë fjalët e Miles drejtuar lojtarëve. Tekniku beratas e ka vënë theksin te kontributi që duhet të japë çdo futbollist në fushë në funksion të ekipit, pasi vetëm në këtë mënyrë sipas tij do të arrijnë të gjejnë ekuilibrin në fushë. “Skuadra ka potencial dhe mundësi për ta kthyer këtë situatë, ndaj dhe shpresoj që futbollistët të bëjnë kthesën. Përballja me kurbinasit do të jetë e vështirë, por unë jam optimist se do ta kalojmë me sukses”, – ka thënë trajneri i ri i Shkumbinit. Pikërisht ndaj Laçit të dielën, Mile do të debutojë në pankinën peqinase. Është një sfidë, të cilën Shkumbini duhet ta fitojë me çdo kusht, jo vetëm sepse ka nevojë emergjente për pikë, por edhe për të kthyer besimin në vetvete. Pas fjalëve që u ka thënë futbollistëve, Mile ka vijuar me stërvitjen me skuadrën.
Mungesat – Me gjithë dëshirën e madhe të bardhekaltërve për ta kaluar me sukses Laçin, duket se vështirësitë shtohen edhe për shkak të mungesave të disa prej futbollistëve titullarë. Kështu, është e sigurt që nuk do të jetë për shkak kartonësh Gava, Ramazani dhe Endri Magani. Gjithsesi, në Peqin janë të bindur se ardhja e trajnerit Mile do t’i shërbejë skuadrës si një motiv më shumë për të kërkuar fitoren me Laçin, që duket jetike në këtë moment.
Fatmir Ahmeti