Prishtina fiton kupën “Pavarësia” me penallti
FLAMURTARI–OTRANTO 2-0
GOLAT: Nelaj 10’ (p), Hoxhaj 30’
FLAMURTARI: Hysi, Boraku, Bisha, Myrtaj, Hasani, Hoxha, Nelaj, Kuçi, Bregu, Xhani, Shehaj. Trajner: J.Driza. (U aktivizuan: Dhrami, Brozi, Zeqo, Shahini)
OTRANTO: Mecukiç, Hoxha, Gurzajoviç, Burgarin, Rudaj, Aliçkoviç, Alibegaju, Mallobeqi, Gurzakoviç, Gjijaoviç, Bisha. Trajner: Xh.Kaullambengu. (U aktivizuan: Rudaj, Periç)
GJYQTARË: K.Cjapi/ I.Tartari dhe O.Grabova
SHKËNDIJA-PRISHTINA 2-2 (2-4 pen)
GOLAT: Nuhiu 18’, Fetai 33’/ Malaj 14’, Ahmeti 34’
SHKËNDIJA: Nuhiu, Islami, Abazi, Totre, Hasani, Luna, Halili, Nurishi, Xhemaili, Siti, Saliu. Trajner: S.Ejupi. (U aktivizuan: Zejneli, Mustafa, Abdullai)
PRISHTINA: Mushica, Kuka, Thaçi, Kukaj, Haxhaj, Krasniqi, Berisha, Latifi, Ahmeti, Begolli, Malaj. Trajner: A.Tovërlani. (U aktivizuan: Kelmendi, Gashi, Fetai)
GJYQTARË: H.Llapra/ R.Malaj dhe E.Rrapi
FLAMURTARI-PRISHTINA 0-0 (6-7 pen)
FLAMURTARI: Hysi, Bisha, Boraku, Myrtaj, Hasani, Hoxha, Nelaj, Kuçi, Bregu, Xhani, Shehaj. Trajner: J.Driza. (U aktivizuan: Dhrami, Zeqaj, Aliaj)
PRISHTINA: Mushica, D.Kuka, Berisha, Hagjaj, Kukaj, Malaj, Krasniqi, Ahmeti, Latifi, Kelmendi, Hyseni. Trajner: A.Tovërlani
GJYQTARË: E.Sino/ I.Tartari dhe O.Grabova
Prishtina është shpallur kampion në edicionin e katërt të kupës ndërkombëtare “Pavarësia”, e cila është zhvilluar dje në qytetin e Vlorës. Në këtë kupë morën pjesë katër ekipe: Flamurtari, Shkëndija e Tetovës, Otranto i Malit të Zi dhe Prishtina. Skuadra kosovare e drejtuar nga tr ajneri Afrim Tovërlani është shpallur kampione, duke mundur në një finale dramatike me penallti ekipin e Flamurtarit me rezultatin 6 me 7. Fati kësaj here ka qenë në krahun e skuadrës kosovare, e cila ka rezultuar më e saktë në ekzekutimin e penalltive. Koha e rregullt do përfundonte me rrjeta të paprekura dhe, më pas, të dyja ekipet i janë drejtuar pikës së bardhë të 11 metërshave, ku skuadra e Prishtinës është treguar më e saktë. Edhe në gjysmëfinalen përballë ekipit të Shkëndijës, skuadra prishtinase do triumfonte pikërisht nga gjuajta e 11 metërshave. Ndërkohë që koha e rregullt do përfundonte në barazim 2 me 2. Tek ekipi i Shkëndijës do binte në sy mungesa e trajnerit të ri Shpëtim Duro, i cili nuk pati preferuar të udhëtonte me skuadrën. Për sa i përket renditjes, në vend të parë është renditur skuadra kosovare e Prishtinës, në të dytin Flamurtari, pasi në ndeshjen e parë përballë ekipit të Otrantos do fitonte me rezultatin 2 me 0. Skuadra vlonjate në këtë kupë do aktivizonte futbollistë të ekipeve të të rinjve. Ndërkohë, lojtarët titullarë kanë zhvilluar stërvitje në aneksin e stadiumit. Ndërsa skuadra e Otrantos do klasifikohej e treta dhe do fitonte dhe trofeun si skuadra “fiar–play” e kupës “Pavarësia”. Ndërsa lojtari më i mirë u shpall futbollisti Liridon Latifi i Prishtinës. Ndryshe nga edicionet e tjera, këtë vit në tribunën VIP të stadiumit “Flamurtari” do vihej re mungesa e dy presidentëve të federatave të futbollit, asaj shqiptare dhe kosovare.
Altin Pavllo