Priten 2 largime, Skënderbeu aktivizon klauzolën për rinovimin e Ardit Nikajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2024 | 15:37

Priten 2 largime, Skënderbeu aktivizon klauzolën për rinovimin e Ardit Nikajt

Skënderbeu duket i përqendruar në merkato dhe pavarësisht se s’ka bërë asnjë lëvizje zyrtare që prej kohës që ka përfunduar kampionati, klubi po punon për sezonin e ri. Në momentet kur e gjithë vëmendja është e përqendruar te Kampionati Europian, gjithçka po vijon me tratativa të nisura dhe bisedime, që mbeten në plan për vijimin e merkatos.

ardit nikaj

Në kushte të tilla, drejtuesit e Skënderbeut duket se kanë arritur të konkretizojnë marrëveshjen për zgjatjen e kontratës së sulmuesit Ardit Nikaj edhe për një tjetër sezon. Me kontratën që i përfundonte në fund të këtij muaji, Nikaj është një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më të vlerësuar të skuadrës, prandaj edhe për këtë duket se është përshpejtuar aktivizimi i formulës për sezon më tepër, i firmosur në kontratën fillestare të futbollistit. Duke parë cilësitë e lojtarit në fjalë dhe kërkesat, që ndaj tij nuk kanë munguar sa i përket interesimeve të klubeve të tjera në merkato, drejtuesit e Skënderbeut s’kanë dashur të heqin dorë nga lojtari pa përfituar asgjë nga një transferim i mundshëm i tij në një kampionat tjetër.

Për këtë arsye palët kanë qenë në bisedime të vazhdueshme derisa është arritur në përfundimin që bashkëpunimi të zgjasë edhe për një tjetër sezon, duke siguruar kështu shërbimet e sulmuesit shkodran. Një lëvizje e zgjuar kjo nga ana e Skënderbeut, që me shumë mundësi do të ketë përfitime në të ardhmen pasi interesimet për futbollistin nuk mungojnë. Pas largimit të Frenklin, Xhantu dhe Likës, korçarët s’mund të humbnin një tjetër futbollist cilësor në këtë merkato, prandaj kanë paraprirë gjithçka.

LARGIMET – Nëse për Nikajn, Skënderbeu ka vendosur të bëjë një sakrificë të konsiderueshme financiare, e kundërta vlen për maqedonasin Suleji Muharem dhe nigerianin Uçe Sebastine. Të dy lojtarët kanë pasur shumë pak hapësira te korçarët në këtë sezon dhe pritshmëritë kanë ardhur gjithnjë e në zbehje. Pritet që si njëri, ashtu edhe tjetri të mos përfshihen në listën e planeve të trajnerit Ivan Gvozdenoviç për sezonin e ri. Megjithatë, gjithçka do të varet nga afrimet. Nëse Gvozdenoviç gjen lojtarët e kërkuar për t’i pasur pjesë të ekipit në këtë repart, si njëri, edhe tjetri mund të mbyllin aventurën me Skënderbeun.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"