Probleme me dy lojtarë/ Zbulohet manovra e Kukësit në merkato, verilindorët e mbyllin me… Futaks
Kukësi u mund këtë fundjavë në testin e dytë miqësor në Slloveni ndaj arabëve të Al Uehda në shifrat 1 me 2, por gjithsesi në kampin verilindor vlerësojnë paraqitjen e bërë. Vetë tekniku Diego Longo e cilësoi si një test shumë të rëndësishëm përpara startit të kampionatit, duke vlerësuar se skuadra e tij po bën hapa para gjatë këtyre ditëve. Ai e vë theksin te dy pakujdesi në këtë ndeshje prej të cilave edhe u ndëshkuan, ku duhet thënë se goli i parë erdhi si pasojë e një autogoli.
“Të shtunën e kaluar një tjetër miqësore shumë e dobishme për t’u përgatitur për kampionat. Rezultati përfundimtar, 2-1 për kundërshtarët tanë të Al Uehda, është rezultati i dy pakujdesive të shpeshta dhe të zakonshme në këtë periudhë. Megjithatë, testi ishte pa dyshim një hap tjetër përpara në udhëtimin tonë të mësimit dhe rritjes”, shkuan vetë tekniku italian në rrjetet sociale. Longo, sakaq, është duke e shfrytëzuar në maksimum këtë fazë përgatitore në Slloveni për të kolauduar skuadrën dhe krijuar një ide më të qartë sa i përket futbollistëve që ka në dispozicion.
Fakti që Kukësi ka bërë shumë ndryshime këtë sezon, edhe koha e përshtatjes duhet më e madhe, por që gjithsesi në kampin verilindor besojnë se kur të startojë kampionati ekipi do të jetë i kolauduar totalisht dhe do të jenë gati për të përballuar sezonin.
SULMUESI – Dihet që nevoja më e madhe dhe kërkesa që Longo ka për përforcimin e skuadrës është një “pykë”. Gazeta raportoi pak ditë më parë se verilindorët kishin nisur kontaktet me sulmuesin hungarez, Marko Futaks, dhe shpresohej që palët të arrinin marrëveshjen dhe madje lojtari, pse jo, t’i bashkohej skuadrës në Slloveni. Mirëpo, duket se gjërat kanë ngecur dhe çdo ditë që kalon e vështirëson më shumë marrëveshjen, edhe pse ende nuk mund të thuhet se shpresat janë shuar përfundimisht.
Por, nëse edhe kjo pistë do të bjerë, mësohet se drejtuesit kanë të tjerë lojtarë në fokus, gjithnjë nga tregu i huaj. Sulmuesit shqiptarë nuk preferohen, kjo edhe për faktin se për momentin është e vështirë të gjesh një të tillë në vendin tonë, pasi të gjithë janë kompletuar nëpër skuadrat e tyre. Megjithatë, deri në mbyllje të merkatos gjasat janë që të arrihet marrëveshja me një “pykë” dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë Longo do të duhet të bëjë maksimumin me ekipin që ka aktualisht në dispozicion.
DËMTIMET – Jo gjithçka po shkon më së miri për verilindorët në Slloveni, pasi përveç faktit që dy lojtarë me pasaportë kosovare, si Kreshnik Bahtiri dhe Altin Bytyçi, nuk morën dot vizën për të udhëtuar me skuadrën, Longo ka pasur mungesën edhe të dy futbollistëve të tjerë.
Bëhet fjalë për mbrojtësit Redon Dragoshi dhe Kledis Hida, të cilët kanë pësuar dëmtime të lehta dhe nuk po kryejnë stërvitje të plotë me skuadrën. Klubi nuk kërkon që situata me dëmtimet të agravojë më tej, edhe pse janë të lehta, ndaj është preferuar që të vijojnë të rikuperohen për të qenë gati në startin e sezonit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"