Veç Berisha nuk mjafton, Shqipëria e De Biazit fut “ujë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2014 | 18:54

Veç Berisha nuk mjafton, Shqipëria e De Biazit fut “ujë”

619677-4Shqipëria ka paguar një gabim në mbrojtje dhe ka pësuar gol në minutën e 83-të, duke cuar dëm mundin dhe djersën e tërë atyre minutave të mira loje në përgjithësi, por edhe mbështetjen e qindra tifozëve shqiptarë, që e kishin veshur stadiumin e Yverdonit në ngjyrat kuqezi. Veterani rumun, Razvan Rat, ka shfrytëzuar gafën e Lilës në mbrojtje, por edhe të kolegëve të tjerë të prapavijës, të hutuar në atë moment, duke nxjerr “blof” edhe portierin Berisha, që s’ka cfarë të bëjë më. “Gardiani” i Lacios i kishte ndalur rumunët në më shumë se tri-katër herë të tjera, duke u bërë shpëtimtar i portës së tij. Vijon edhe në këtë ballafaqim dominimi i Rumanisë ndaj nesh, që ka gjetur fitoren e 11-të në 16 ndeshje të luajtura gjatë gjithë historisë. Në tërësi, loja e Shqipërisë nuk u ngrit mbi nivelin mesatar, nuk u shpëtoi gabimeve, sidomos në mbrojtje në momentet e fundit, simptoma të vjetra këto, edhe pse kemi nisur përgatitjet për një edicion të ri futbollistik. Ndoshta mungesat e disa titullarëve (Mavraj, Meha, Basha, Sadiku, Hyka, Roshi) dhanë efektin e tyre negativ, ashtu sikurse lodhja fizike u pa qartë te tanët në pjesën e dytë,  cka mund të përbëjnë justifikim për De Biazin, por produkti i tij vijon të mbetet i njëjti. Indikacionet për njeriun e stolit të kombëtares sonë janë të shumta nga kjo miqësore, me të cilat De Biazi duhet të merret seriozisht e shpejt. Sepse koha nuk pret. Shtatori nuk është larg dhe kjo kombëtare nuk duket e konsoliduar për të përballuar kundërshtarë të tillë në kualifikueset e “Euro 2016” si Portugalia, Danimarka e Serbia. Hungaria, miqësorja e radhës, vjen pas pak ditësh, ku kuqezinjtë mund të tregojnë tjetër fytyrë dhe të largojë shijen e keqe që la humbja me rumunët.

SHQIPERI-RUMANI    0-1
Golat: Rat 83′
Shqiperia: Berisha – A.Lila, Curri, Cana, Agolli (Aliti 79′), Kace, Abrashi, Lenjani (Rama 46′), Vila (S.Lilaj 65′), Kapllani (Salihi 46′), Cikalleshi (Gashi 46′). Trajner: De Biazi
Rumania: Tătăruşanu – Cr. Manea, Dr. Grigore, Chiricheş, Raţ – Bourceanu (C.Tanase 64′), Pintilii (A.Mateu 91′) – Nicoliţă (C.Mateu 46′), Chipciu (C.Lazar 64′), Maxim (F.Tanase 83′), Marica (Rusescu 46′). Trajner: V.Piturka
Kartonë të verdhë: Nikolita 2′
Gjyqtar: Nikolaj Hänni (Zvicër)

rumaniaPjesa e parë Ndeshja nis vrullshëm nga të dyja skuadrat, që duken të tendosura si të bëhet fjalë për një ballafaqim me vlera kualifikuese. Që në start kemi të bëjmë me ndërhyrje të ashpër ndaj Agollit dhe karton i verdhë për Nikolita. Pa kaluar dy minuta, kuqezinjtë fitojnë goditjen e parë nga këndi, prej nga Agolli për pak sa nuk shënon në mënyrë direkte. Portieri rumun grushton me vështirësi, duke u dhënë tanëve mundësinë e dytë radhazi nga këndorja. Rumunët nisin e zgjohen disi, por vuajnë të filtrojnë aksionet në mesfushë. Ky repart, sidomos nga krahët, është më fleksibël dhe efektiv për të besuarit e De Biazit. Agolli dhe Lenjani, por edhe Lila, kthehen në “pistona” të vërtetë me daljet e tyre deri në këndore dhe krosimet për në qendër te dyshja e sulmit, Cikalleshi-Kapllani. Këta të dy e mbajnë nën presion prapavijën rumune, e cila detyrohet të bëjë kthime të rrezikshme të topit pas, te portieri i tyre. Rreziku i parë serioz në portën tonë vjen në minutën e 20-të. Humbja e topit nga Lenjani devijohet në fazën ofensive nga Agolli, teksa topi merr trajektore të cuditshme dhe për pak përfundon në rrjetën e Berishës. Ky moment shënon edhe kornerin e parë për rumunët, ndërkohë që tanët kanë ekzekutuar plot katër të tilla në 20 minutat e para. Rumunët në vazhdim e qarkullojnë dendur topin, kryesisht në mesfushë dhe alternojnë pasimet e gjata diagonale në të dyja krahët. Marika, sulmuesi i tyre kryesor, gjendet gjithnjë nën markimin e rreptë të Canës, mjaft i qetë dhe që vendos siguri në repartin tonë të pasmë. Debutuesi kuqezi, Cikalleshi, zotëron bukur me gjoks një top të ardhur nga kundërsulmi ynë dhe mbi vijën e zonës së 16-metrave ka hapësirë të godasë. E bën fort këtë, por në mënyrë të gabuar, jashtë kuadratit rumun. Në minutën e 34-t, Lenjani ndërmerr një inkursion të mrekullueshëm individual, duke dribluar kundërshtarët njëri pas tjetrit, por e tepron në fund, duke mos pasuar për Cikalleshin dhe Kapllanin, i frenuar nga mbrojtësit e fundit kundërshtarë. Katër minuta më pas lëshon një silur nga distanca Agolli, duke sjellë drithërima në portën kundërshtare. Etrit Berisha bëhet shpëtimtar i tanëve në minutën e 40-të. “Gardiani” i Lacios eviton me dy pritje të njkëpasnjëshme gola të sigurtë, duke i zmbrapsur sulmuesit rumunë vetëm pak metra përballë tij. Ky është moment më i rrezikshëm i Rumanisë në 45 minutat e para, që mbarojnë pa gola, por me njëfarë epërsie territoriale të kombëtares kuqezi, ndërsa dhjetë minutat e fundit panë një zgjim të skuadrës së Piturkës, që nuk tundej nga ofensiva në ballë të gjerë drejt portës sonë.
rumania 2Pjesa e dytë
De Biazi bën tri zëvendësime të menjëhershme, duke hedhur në fushë Salihin, Ramën dhe Gashin. Një trio ofensive, ndër të cilën Gashi ka spikatur me golat e tij të shumtë në kampionatin zvicerian. Vila ka një mundësi të mirë në minutën e 48-të. Topi i larguar keq nga mbrojtja rumune shkon te durrsaku, i lirë e në pozicion ballor me portën kundërshtare. Ai gjuan, por pa shënjestrën e duhur. Tashmë sulmi ynë është krejt tjetër. Dyshja Kapllani-Cikalleshi ia ka lënë vendin Salihi-Gashit, ndërsa Rama ka zënë vendin e Lenjanit. De Biazi teston në repartin ofensiv, i cili mbetet me shumë pikëpyetje për të ardhmen edhe pas kësaj miqësoreje. Loja tashmë është më e gjallë. Rumunët janë më kërkues dhe arrijnë të pozicionohen mirë përballë portës së Berishës. Në minutën e 60-të, nga një goditje dënimi, skuadra e Piturkës i afrohet golit. Topi kalon paksa mbi traun e kuadratit të Berishës. Sulmet në të dyja kahjet e fushës së blertë janë të shpeshta, por zanafilla e tyre nuk ka qartësinë e duhur. Pasimet janë të gabuara për të dyja skuadrat, kështu që rastet janë spontane. De Biazi aktivizon Sabien Lilajn në mesfushë, në përpjekje për t’i dhënë fantazi këtij reparti e ardhur në ndihmë n organizim Kaces, jo në ditën e tij më të mirë duke ulur në stol Vilën, një lojtar po ashtu në hije. Ajo që bie në sy është shkëputja mes reparteve. Sulmuesit tanë, Salihi dhe Gashi, nuk furnizohen me topa, teksa lojtarët angazhohen në veprime individuale. Kjo e zbeh lojën e kuqezinjve, të cilët mbeten larg portës kundërshtare. I vetmi rast për të qenë i 45 minutave të dyta është ai i Salihit, që krosimin e përpiktë të Gashit e dërgon në formë pasimi me kokë në duart e portierit rumun, kur mund të pasonte te Rama, krejtësisht i lirë. Edhe rumunët kryejnë zëvendësime, duke freskuar skuadrën, por nuk arrijnë të nxjerrin gjë në dritë. Rusecku kishte mundësinë e artë për të shënuar në portën e Berishës, pas gabimit të Canës, por nuk arrin ta devijojë topin. Një minutë më pas bëhet hero sërish Berisha, me pritjen e tij shpëtimtare. Duket se kombëtaren tonë e ka kapluar lodhja fizike, ndaj mungojnë daljet e shpejta nga krahët si në pjesën e parë. Dhjetë minutat e fundit i shohin të dyja skuadrat në kërkim të golit të fitores, me rumunët që shënjestrojnë dendur kuadratin e Berishës, derisa Razvan Rat shfrytëzon gabimin e mbrojtjes sonë dhe shënon në minutën e 83-të. Vlen të theksohet se dhjetë minuta lojë ia dha De Biazi edhe debutuesit Aliti, që zuri vendin e Agollit në minutën e 80-të. Ai dhe Cikalleshi provuan ta veshin fanellën kuqezi të kombëtares së madhe për herë të parë, duke iu shtuar listës së kandidatëve për një vend në kombëtaren që ka në kokë trajneri italian për fushatën kualifikuese të “Euro 2016”. Ndoshta kjo miqësore ka qartësuar disa gjëra në mendjen e De Biazit, edhe pse ishte i detyruar të luante pa disa titullarë, për shkaqe objektive.

Deklaruan pas ndeshjes
De Biazi: Vuajtëm problemet fizike
“Në 35 minutat e para luajtëm shumë mirë, më pas paguam disi lodhjen fizike. Në 10 minutat e fundit të pjesës së parë ishte shumë i zoti Berisha, që na shpëtoi. Në pjesën e dytë ndodhi sërish e njëjta gjë, ramë fizikisht dhe nuk kishim më zëvendësime në dispozicion. E vuajtëm freskinë e Rumanisë, që mbetet një skuadër e mire, pasi mos harrojmë që luajti edhe në “play-off” për Botërorin. Sa u përket të rinjve, ndeshje e mirë për Cikalleshin, që ndoshta ishte disi i emocionuar, por që luajti vërtet mirë. E zëvendësova vetëm sepse ishte menduar kështu që më parë, ndërkohë që Vajushi nuk u aktivizua për probleme fizike. Në total luajtëm mirë, por vetëm se vuajtëm fizikisht. Për fat do të kemi dy lojtarë më shumë për Hungarinë, Mavraj dhe Hysa”.

Berisha: Falënderoj tifozët për mbështetjen
“Në 30 minutat e para kemi qenë të qëndrueshëm, por më pas Rumania luajti dicka më mirë. Gjithsesi, jemi një skuadër në ndërtim e sipër dhe them se luajtën mirë disa elementë të rinj, si Cikalleshi që u përpoq shumë, apo edhe Aliti, që debutoi me kombëtaren. Unë shpresoj që tani e mbrapa të kemi më shumë sukses. Falënderoj dhe tifozët, që na mbështetën fuqimisht dhe na bënë të ndihemi si gjithmonë, si në shtëpi”.

Cana: Zhvilluam një lojë të mirë
“Berisha bëri dy-tre pritje vendimtare dhe realisht nuk kishim një kundërshtar të lehtë përballë. Kishim shumë mungesa, por përpos kësaj mendoj se zhvilluam një lojë të mirë. Cikalleshi gjithashtu bëri një provë pozitive dhe ky ishte konfirmimi se një futbollist që bën mirë në kampionatin shqiptar mund të bëjë mirë edhe në kombëtare”.

Lila: Goli aksidental, humbëm një stërvitore
“Ishte një ndeshje stërvitore, që më shumë sesa për rezultatin, vlen për të parë gjendjen e skuadrës dhe për kualifikimet që vijnë në shtator. Sigurisht që do kishim dashur të bënim më mirë, por ca nga kundërshtari dhe ca nga lodhja nuk arritëm që të shpreheshim si duhet. Kemi vështirësi për të shkuar te porta kundërshtare dhe ndonjëherë nuk kemi fat në krosimet e shumta që bëjmë nga krahët. Goli i pësuar? Janë gjëra që ndodhin në futboll. Ishte një moment pasigurie i gjithë mbrojtjes, por për mua më shumë sesa kjo gjë, duhet parë e ardhmja. Duhet të korrigjojmë gabimet me qëllim që në shtator, në ndeshjet kualifikuese, të jemi sa më të gatshëm për të marrë rezultatet e dëshiruara.”

Kapllani: Na mungoi pasimi i fundit
“Ishte një ndeshje jo shumë e mirë e skuadrës sonë, ku u vërejtën disa gabime. Në pjesën e parë u mundova të bëj repart me Cikalleshin, por më shumë sesa problemi ynë, ishte fakti se na mungoi pasimi i fundit. Ne si skuadër bëjmë një lojë të mirë deri në gjysmëfushën kundërshtare, por kur vjen puna te pasimi i fundit, aty ngecim. Duhet ta rregullojmë këtë aspekt. Sa i përket të ardhmes në Kombëtare, unë do të mundohem të bëj më të mirën e mundshme me klubin tim dhe, më pas, nëse grumbullohem vazhdimisht nga trajneri, do mundohem të jap maksimumin për këtë skuadër, ashtu sikundër kam bërë gjithnjë. Të shpresojmë që të mund të bëjmë një edicion të mirë kualifikimesh, pavarësisht se jemi në një grup shumë të vështirë.”

CanaLorik Cana “merr leje” për t’u martuar
Kapiteni i Shqipërisë do të mungojë në sfidën ndaj San Marinos, pasi do të martohet gjatë qershorit me të dashurën e tij italiane, Monikën. Lorik Cana e ka ndarë mendjen t’i japë fund beqarisë. Ai do të shkojë në altar me të dashurën e tij, Monika, dhe një gjë të tillë e konfirmoi pas ndeshjes miqësore ndaj Rumanisë. “Pas ndeshjes ndaj Hungarisë do të marr leje për t’u martuar. Trajneri De Biazi më ka dhënë leje të martohem, – deklaroi duke qeshur Cana. – E kam gjetur personin e duhur për t’u martuar dhe besoj se do të jetë një mbështetje e mirë për mua.”

tifozetPragsfida me ngjyrat kuqezi
Ndërsa në tribunën e ashtuquajtur “VIP” të stadiumit komunal të Yverdonit, delegacioni rumun përbëhet vetëm nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të federatës përkatëse, Shqipëria krenohet se ka arritur të mbledhë më shumë se 500 tifozë stadium, gjysëm ore para fillimit të ndeshjes. Numri i tyre rritet ndjeshëm me kalimin e minutave. Bileta më e lirë për këtë miqësore ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë kushton 50 franga. Në frontin ballor të stadiumit janë të mbledhur qindra mbështetës të kuqezinjve, me ngjyrat kombëtare. Kur trajneri i kombëtar rumune dhe të tijtë zbresin nga autobusi dhe hyjnë në arenën futbollistike të qytetin zviceran, ku luhet kjo ndeshje, tifozët shqiptarë fillojnë të brohorasin: “Ciganët, Ciganët”. “Tricolori” rumun menjëherë dalin në lëndinën e gjelbërt për inspektim tradicional të fushën së lojës, cka e bëjnë edhe shqiptarët pak më pas. Anëtarët e delegacionit rumun zënë vendet e tyre në zonën “VIP” të stadiumit të Yverdonit, e cila është e rrethuar nga përkrahësit shqiptarë. Këta të fundit duartrokasin çmendurisht çdo kontakt me topin të lojtarëve të kombëtares së tyre edhe në nxehje, jo më gjatë zhvillimit të lojës. Numri i tyre shtohet ndjeshëm  rreth orës 19:00, kur kryesori zvicerian Nikolai Hanni vërshëllen për fillimin e lojës. Atmosfera e stadiumit është e zjarrtë, ka ngjyrat kuq e zi, ndërsa adrenalina nuk duket si një një miqësore.

Ndeshjet ndaj Rumanisë
1. SHQIPERI – RUMANI  1-0 (0-0)
Golat: Teliti 55’
13.10.1946, Tiranë, Kupa Ballkanike, Stadiumi “Qemal Stafa”
Gjyqtar: Matancic (Jugosllavi)

2. SHQIPERI – RUMANI  0-4 (0-1)
Golat: Iuliu Farkas 32’, 68’, 78’, Iosif Kovaci 47’
25.05.1947, Tiranë, Kampionati Ballkanik i Europës Qëndrore, Stadiumi “Qemal Stafa”
Gjyqtar: Kamarassy (Hungari)

3. RUMANI – SHQIPERI 0-1 (0-0)
Golat: Mirashi 63’
02.05.1948, Bukuresht, Kampionati Ballkanik i Europës Qëndrore, Stadiumi “Giuleşti”
Gjyqtar: Stoianov (Bullgari)

4. RUMANI – SHQIPERI  1-1 (1-0)
Golat: Iosif Petschoëski 23’/ Teliti 50’
23.10.1949, Bukuresht, Miqësore, Stadiumi “Republicii”
Gjyqtar: Dankó (Hungari)

5. SHQIPERI – RUMANI 1-4 (0-2)
Golat: Mirashi 50’ / Ion Lungu 12’, 57’, Gheorghe Vaczi 33’, Ştefan Filotti 68’
29.11.1949, Tiranë, Miqësore, Stadiumi “Qemal Stafa”
Gjyqtar: Palasti (Hungari)

6. RUMANI – SHQIPERI  6-0 (5-0)
Golat: Iosif Petschoëski 10’,18’, Andrei Rădulescu 11’, 41’, Andrei Mercea 15’, Ion Suru 80’
08.10.1950, Bukureşht, Miqësore, Stadiumi “Republicii”
Gjyqtar: Vlcek (Cekosllovaki).

7. RUMANI – SHQIPERI  2-0 (2-0)
Golat: Nicolae Dobrin 38’, Emerich Dembrovszky 41’
29.10.1972, Bukuresht, Kampionat Botëror, Stadiumi “23 August”
Gjyqtarë: Vamvakopoulos (Greqi).

8. SHQIPERI – RUMANI 1-4 (0-2)
Golat: Bizi 87’ / Ion Dumitru 12’, Radu Troi 25’, Florea Dumitrache 57’ (pen), Teodor Ţarălungă 75’
06.05.1973, Tiranë, Kampionati Botëror, Stadiumi “Qemal Stafa”
Gjyqtar: Raus (Jugosllavi)

9. RUMANI – SHQIPERI 5-1 (3-1)
Golat: Victor Piţurcă 2’, Ladislau Boloni 43’, Gheorghe Hagi 45’ (pen), Miodrag Belodedici 54’, Adrian Bumbescu 69’ / Muça 35’
25.03.1987, Bukuresht, Kampionati Europian, Stadiumi “Steaua”
Gjyqtar: Rosa dos Santos (Portugali)

10. SHQIPERI – RUMANI 0-1 (0-0)
Golat: Michael Klein 62’
28.10.1987, Vlorë, Kampionati Europian, Stadiumi “Flamurtari”
Gjyqtar: Van Sëieten (Holandë)

11. RUMANI – SHQIPERI  3-0 (2-0)
Golat: Miodrag Belodedici 23’, Gheorghe Hagi 35’, Rodion Cămătaru 76’
20.09.1988, Konstanca, Miqësore, Stadiumi “1 Mai”
Gjyqtar: Eksztajn (Poloni)

12. SHQIPERI – RUMANIA 0-2 (0-0)
Golat: Nicolae Dică 65’, Adrian Mutu 74’ (pen)
06.09.2006, Tiranë, Kampionati Europian 2008, Stadiumi “Qemal Stafa”
Gjyqtar: Olegario Manuel Bartolo Faustino Benquerenca (Portugali)

13. RUMANI – SHQIPERI 6-1 (1-0)
Golat: Nicolae Dică 22’, 70’ (pen), Gabriel Tamaş 53’, Daniel Niculae 63’, 65’, Ciprian Marica 68’ (pen) / Edmond Kapllani 64’
21.11.2007, Bukuresht, Kampionati Europian 2008, Stadiumi ”Naţional-Lia Manoliu”
Gjyqtar: Edo Trivkovic (Kroacia)

14. RUMANI – SHQIPERI 1-1 (0-0)
Golat: Bogdan Stancu 80’ / Gjergj Muzaka 87’
09.09.2010, Stadiumi, Piatra Neamţ, EURO 2012, grupi D, Sadiumi ”Ceahlăul”
Gjyqtar: Robert Schörgenhofer (Austri)

15. SHQIPERI – RUMANIA 1-1 (1-0)
Golat: Hamdi Salihi 24’ / Srgian Luchin 77’
11.10.2011, Tiranë, EURO 2012, grupi D, stadium “Qemal Stafa”
Gjyqtar: Gediminas Mazeika (Lituani)

16. SHQIPERI – RUMANIA 0-1 (0-0)
Golat: Razvan Rat 83′
31.05.2014, Yverdon, Zvicër, Miqësore, Stadiumi Komunal “Yverdon”
Gjyqtar: Nikolaj Hänni (Zvicër)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"