Pushimet e Besës drejt fundit, më 10 korrik zbresin në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2024 | 13:33

Pushimet e Besës drejt fundit, më 10 korrik zbresin në fushë

Besa duket se e ka marrë seriozisht këtë sezon, në mënyrë që futbolli kavajas pas një dekade të rikthehet në Kategorinë Superiore. Për të realizuar këtë mision, drejtuesit e klubit dhe pushtetit vendor janë treguar të pakursyer duke qenë pararoja e Kategorisë së Parë në merkaton e verës.

BESA

Fillimisht, Besa afroi një trajner kampion dhe me përvojë në futbollin shqiptar, Mirel Josa, i cili më pas u pasua me prezantimin e nëntë futbollistëve, ku spikasin elementët me përvojë në Superiore por edhe të rinjtë e perspektivës. Mentor Mazrekaj, Jurgen Goxhaj, Donald Mëllugja, Bind Maxhuni, Erduan Ibrahimi, Jurgen Mehidri, Andri Stafa, Erlis Frashëri dhe Indio Oliveira janë 9 afrimet e kryera deri tani nga kavajasit në merkaton e verës. Procesi i përforcimit nuk është mbyllur te Besa, pasi presin të paktën edhe dy afrime të tjera, një mesfushor dhe një sulmues.

Duke parë që formatimi i grupit po shkon drejt fundit, te verdhezinjtë po vjen momenti për të zbritur në fushë dhe për të nisur për sezonin e ri. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale klubi ka bërë me dije se më 10 korrik Besa zbret në fushë. Ja njoftimi i klubit për axhendën e fillimit të punës: “Besa njofton se ditën e mërkurë, më datë 10 korrik, ekipi nis stërvitjen e parë për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa. Futbollistët e njoftuar nga klubi do të paraqiten në orën 16:00 në aneksin sportiv në Kavajë për t’u prezantuar me stafin teknik dhe më pas do të spostohemi në stadiumin e Luzit për të nisur stërvitjen e parë në orën 17:00″. Fillimi i punës duket i mbarë në Kavajë, por Besën e pret një sezon i vështirë, pasi praktikisht mbi 5 ekipe pretendojnë ngjitjen direkt në Superiore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"