“Që nga 16 janari është përkeqësuar situata” Gjelbrim Taipi tregon “divorcin” me Kukësin në “Panorama TV”: Shpejt do të tregoj të vërtetat, klubi nuk ka projekt
Gjelbrim Taipi nga sot nuk është më një futbollist i Kukësit. Mesfushori i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te verilindorët, është larguar pas tre vitesh, duke ndërprerë marrëveshjen me këtë skuadër.
Në një intervistë për “Panorama Sport” në “Panorama TV”. Taipi ka konfirmuar “divorcin” nga Kukësi, teksa ka lënë të kuptohet se pavarësisht shtrëngimit të duarve, ka pakënaqësi për mënyrën se si është trajtuar nga klubi, ndonëse ka theksuar se do të flasë në të ardhmen për situatat e krijuara.
“Siç e keni parë edhe në rrjete sociale këto 2-3 ditë që kanë kaluar, e vërtetë është që në mëngjes që kemi prishur marrëveshjen dhe tani jam futbollist i lërë. Ka zëra për diskutime, por për momentin nuk do t’i bëj publike skuadrat, nuk është momenti i duhur. Do të vijë momenti kur do të shpalos këto që ka ndodhur.
Kontrata ishte edhe për një vit, e kam thënë edhe në intervistën e kaluar që kisha dëshirë që edhe një vit të vazhdoja. Pro pas këtij takimi të fundit e pashë të arsyeshme që të ndërprisnim kontratën.
Tani gabimet janë bërë nga të gjithë anët, secili që ka qenë bashkëpunëtor te skuadra duhet të bëjë kritikën e tij. Në fund kjo është më e mira.
Ka disa gjëra të tjera se deri më 16 janar ka qenë gjithçka në rregull. Nga 16 janar është përkeqësuar gjendja dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore për të cilën jam larguar.
Nuk është se nuk më ka pëlqyer projekti i Kukësit, se deri tani nuk ka pasur asnjë projekt, kjo ka qenë arsyeja.
Por gjatë këtij rrugëtimi, nuk mund të hedh poshtë gjërat e mira që kam marrë nga Kukësi, i jam mirënjohës qytetit, presidentit gjithashtu, kjo është e gjitha.
Kontakte me klube të tjera? Përderisa je futbollist i lirë, fillon me kontaktet, skuadrat të pyesin. Ky është vlerësim për mua që skuadrat kanë dëshirë të më kenë në projektin e tyre. Tani po shqyrtoj mundësitë dhe besoj së shpejti do marr vendimin dhe do të bëj publike çdo gjë. Për momentin nuk mund të them emrat , e skuadrat kanë kërkuar të jenë sekrete deri në vendimin final. Kam oferta edhe jashtë, edhe nga Superliga, kjo është arsyeja e po pres se dëshirë kam më tepër që të luaj jashtë Shqipërisë.
Kur je futbollisti me më shumë minuta i një skuadre, është diçka shumë e veçantë sepse jam vlerësuar se kam arritur të luaj të gjitha ndeshjet. Në të tre vitet kam munguar vetëm një ndeshje, jam profesionist, e dua punën dhe dua të jap maksimumin.
Largimi i Shqiprimit nga Kukësi? Nuk ka ndikuar fare situata ime se që nga ardhja e Shqiprimit, kontrata ka qenë dyvjeçare dhe ajo ka skaduar. Dëshira e tij është të vazhdojë edhe ai jashtë Shqipërisë, të provojë veten në një kampionat në një nivel pak më të lartë. Nuk është se ka ndikuar situata ime, duke e ditur në këto dy vite ka qenë titullar dhe nuk kisha mendimin se ka luajtur se ka vëllain në ekip. Ka qenë edhe te Skënderbeu me dy trajnerët më të mirë shqiptarë, Ilir Daja e Orges Shehi, kemi luajtur secili veç e veç. Të dy jemi ndarë në mënyrë njerëzore me Kukësin. Nuk ka pasur asnjë bisedë për rinovimin e kontratës, e ka ditur që në muajin mars, e dinin edhe drejtuesit se donte të lëvizte dhe kjo është arsyeja pse nuk i kanë ofruar rinovim.
Në aspektin personal ka qenë sezoni më i mirë, pasi kam shënuar 5 gola e 7 asiste. Kur shënon gola vendimtarë është shumë e mirë, por kur e bën analizë të kampionatit, nuk mund të dalësh të thuash se kam bërë sezon të mirë. Kur skuadra kalon shumë vështirësi, kemi qenë në vendet e fundit dhe objektivat primare ishte që ekipi të dilte në kompeticionet europiane, nuk më ka bërë të ndjehem shumë mirë. Edhe pse kam luajtur, nuk jam i kënaqur se skuadra është aty ku është.
Çfarë nuk funksionoi? E kam thënë edhe në intervistat e mëparshme se gabimet kanë ndodhur në fillim të sezonit, prurjet e të huajve, ndërrimi i shumë futbollistëve. U desh shumë kohë të ambientohen. Kukësi është pretendent dhe nuk ka kohë të presë, kanë ardhur pastaj 10 të tjerë. Kur bëhet ndërrimi e në fund nuk arrin objektivat, e thashë që çdokush të jetë autokritik e të mos bëjë të njëjtat gabime. Nëse do të punohet në këtë mënyrë, do të jetë e njëjta situatë
Mospagesa e rrogave? Diçka të vërtetë ka, se e thashë që edhe pak, në një periudhë të shkurtër, do të dal me një deklaratë me të gjitha faktet e të sqaroj tifozët që më kanë mbështetur. Jam mësuar të punoj në këtë mënyrë dhe dua të jem korrekt e falënderues për atë që kam bërë te Kukësi. Mendoj se nuk është tani momenti, është kohë transferimesh, dua të përqendrohem te unë, ku do të shkoj, te cila skuadër. Kur të rregulloj gjërat, mendoj se do të jetë momenti për të folur rreth të kaluarës.
Dua të jem korrekt dhe ta dijë edhe opinioni, nga sot e tutje kam mbyllur me Kukësin gjithçka, në mënyrë paqësore kemi shtrënguar duart. I uroj më të mirat dhe kur të vijë momenti do të them vetëm një të vërtetë, asgjë më tepër.
Objektivat personale janë të shkoj në skuadër ku kanë plane për sezonin e ardhshëm dhe skuadra që garojnë në kompeticione europiane. Dëshira ime është të kthehem përsëri në skuadra që janë në Europë, jashtë Shqipërisë. Futbolli ka të papritura, nuk them me 100% që do të largohem nga Shqipëria, por do e shohim”, tha ndër të tjera Taipi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"