Qendërmbrojtësi prej 6 vitesh s’ka ndryshuar ambient. Basha i qetë, e di si rinovohet te Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2024 | 13:56

Qendërmbrojtësi prej 6 vitesh s’ka ndryshuar ambient. Basha i qetë, e di si rinovohet te Lushnja

Te skuadra lushnjare është koha për të shijuar pushimet. Kur kanë kaluar 5 javë nga mbyllja e kampionatit, lojtarët vijojnë të jenë larg angazhimit stërvitor. Në Lushnjë ende s’ka një datë zyrtare për fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri.

Basha

Pjesës më të madhe të lojtarëve u ka përfunduar kontrata, por kanë të drejtë rinovimi. Qendërmbrojtësi Adriatik Basha është një nga lojtarët që ka rinovuar rregullisht pas çdo sezoni me lushnjarët. 25-vjeçari s’ka lëvizur asnjëherë nga Lushnja, që kur erdhi nga skuadra e të rinjve. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai u shpreh: “Për momentin jam duke shijuar pushimet. Jam i vetmi lojtar që kam gjashtë sezone radhazi te Lushnja dhe nuk kam lëvizur t asnjë ekip tjetër.

Me drejtuesit s’kam folur ende për sezonin e ri, ndonëse kam disa oferta nga ekipe të tjera. Duke qenë se mbylla sezonin te Lushnja dhe gjithmonë kam rinovuar, fillimisht pres të flas me drejtuesit, siç kemi bërë çdo vit. Kemi bërë sezone të vështira në vitet e fundit, por angazhimi dhe përpjekjet maksimale për të qenë më lart s’do të mungojnë nga të gjithë. Për këtë jam i sigurt prandaj jap i prirur për të mos ndryshuar ambient”.

Alban Alushi- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"