Randi Dumfur mban pezull merkaton e Skënderbeut, ja situata me futbollistin e skuadrës korçare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2024 | 20:35

Randi Dumfur mban pezull merkaton e Skënderbeut, ja situata me futbollistin e skuadrës korçare

Randi Dumfur, ashtu si dy sezone më parë edhe këtë herë, do të mbajë pezull merkaton e Skënderbeut deri në momentet e fundit për të vendosur përfundimisht të ardhmen e tij. Prej më shumë se dy javësh që nga dita kur korçarët janë grumbulluar Randi ende nuk po duket dhe vijon të qëndrojë në pritje të një transferimi në Kazakistan.

DUMFUR

Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se end nuk ka asnjë rrugë të hapur sa i përket këtij kalimi, pasi klubi ku do të transferohet Randi nuk është i gatshëm që të paguajë vlerën e kartonit që kërkojnë korçarët për të hequr dorë nga mbrojtësi ganez.

Nga ana tjetër, Skënderbeu nuk pranon kurrsesi që të zgjidhë kontratën e mbrojtësit në mënyrë konsensuale për ta lënë të lirë. Në kushte të tilla do të jetë një telenovelë që do të zgjasë me javë duke mos e ditur ende fundit. Burimet bëjnë me dije për gazetën se Randi Dumfur ka edhe gjashtë muaj kontratë aktive me Skënderbeun, që kurrsesi nga ana e tij nuk pranon të lejojë lojtarin të largohet si futbollist i lirë në këtë hapësirë merkatoje. Sikundër raportohet drejtuesit e Skënderbeut i kanë lënë tri pista të hapura ganezit.

Ose do të paguhen lekët e kartonit, aq sa e vlerëson Skënderbeu, ose do të vijë në Korçë dhe do të rinovojë kontratën për tu bërë pjesë e plotë e grupit, ose do të duhet të presë përfundimin e kontratës si një “i divorcuar” brenda familjes për t’u larguar më pas me parametër zero. Gjithsesi, korçarët në pritje të një vendimi të Randit janë të bllokuar sa i përket lëvizjeve pasi asgjë nuk është e sigurt rreth të ardhmes së tij çka mund të krijojë mosrakordim të planeve në kampin korçar.

DALJET- Edhe pse nuk ka asnjë zhvillim të ri sa i përket lëvizjeve të tjera në dalje nga klubi bardhekuq korçarët vijojnë të kenë ende të hapura tratativat por pa arritur të finalizojnë hapat konkretë apo të mëtejshëm. Sikundër dihet tashmë Liço dhe Rashica janë dy më kryesorët që kanë kontakte nga klube të tjera ndërsa pjesë e lojtarëve që mund të largohen gjatë kësaj merkatoje është edhe Ardit Nikaj. Edhe pse deri tani s’është bërë oferta zyrtare, në klub kanë besimin se diçka do të ndodhë të paktën për një prej futbollistëve të sipërpërmendur.

Më tej do të jetë radha e afrimeve të tjera për të mbushur “gropën” që mund të krijohet nga largimi i mundshëm i tyre.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"