Reagon Shehu: Lojtarët tanë janë goditur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2014 | 12:10

Reagon Shehu: Lojtarët tanë janë goditur

Vazhdojnë sërish reagimet dhe kundërpërgjigjet në lidhje me incidentet e ndodhura të dielën në ndeshjen e Kategorisë së Dytë, Delvina-Memaliaj. Pas akuzave të lojtarëve memaljotë se janë dhunuar në atë takim dhe sqarimit edhe nga delegati i takimit Dhimitraq Shoni një ditë më parë, nga klubi Memaliaj vijnë të tjera përgjigje dhe fakte se janë goditur brutalisht nga lojtarët vendës.
Arben Shehu Inspektori i sporteve pranë Bashkisë së Memaliajt, Arben Shehu, në reagimin e tij dje është shprehur: “Sekretari i klubit tonë quhet Asllan Seferi. Ai ka qenë i pranishëm në ndeshjen e zhvilluar të dielën dhe jo siç pretendohet nga delvinjotët. Në atë takim janë dëmtuar rëndë nga goditjet shumë futbollistë të Memaliajit dhe si pasojë nuk janë paraqitur në stërvitje. Për sa i përket thënies së trajnerit të Delvinës se unë nuk kam shkuar në atë takim, theksoj se nuk kam qenë në asnjë ndeshje që Memaliaj luan jashtë fushe. Kjo për shkak të financave. Në bordero ekzistojnë vetëm emrat e 13 futbollistëve, kështu që është e pamundur të shkojë edhe sekretari i klubit. Për sa i përket tolerimit që përmend trajneri, i takon Komisionit të Etikës të ndalet, nuk më takon mua. Unë kam qenë futbollist i Superiores dhe i shpallur edhe golashënuesi i saj më i mirë, duke fituar edhe “Këpucën e Artë”. Porosia ime e vetme për futbollistët, si inspektor për sportin në Bashkinë e Memaliajit, ka qenë dhe është: Larg dhunës”.
Denis Mema – Mesfushori Denis Mema është një prej lojtarëve që ka provuar në kurriz goditjet e futbollistëve të Delvinës. Në lidhje me atë çfarë ka ndodhur, ai thotë: “Pasi realizuam golin e parë patëm edhe dy-tri raste të pastra për shënim, por nuk arritëm për shkak të lojës së rëndë të vendësve. Në rastin tim, në një dyluftim, unë arrita t’i shkëpus topin Hakarepit dhe dola i lirë drejt portës. Ai m’u lëshua nga mbrapa duke më goditur me takë në kurriz dhe unë rashë në tokë pa ndjenja. M’u dha ndihma mjekësore dhe më pas u zëvendësova, pasi nuk vazhdoja dot më. Nuk e kuptoj pse duhej të vepronte ashtu. Ai është lojtar i vjetër dhe me përvojë. Askujt nuk i interesonte acarimi i takimit. Kishim shkuar të luanim për kënaqësi. Kishim në formacion gjashtë futbollistë të rinj 17-18 vjeç dhe nuk kishte pse të ushtronin dhunë fizike e psikologjike ndaj këtyre të rinjve. Kam mbetur i shokuar nga sjellja e 2-3 lojtarëve vendës dhe një grupi tifozësh të tyre. Megjithatë, ne do t’i presim delvinjotët si miq dhe le të fitojë më i miri kur të përballemi sërish me ta sezonin tjetër.
Roland Suli

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"