“Receta” e Bogdanit: Ja si mund ta mundim Danimarkën
Nëse hulumtojmë sadopak në historinë e përballjeve me Danimarkën, vërejmë se ai është i vetmi që u ka shënuar më shumë se një gol. Në fakt, nga tre shënjestrat në tetë ndeshje ndaj danezëve, dy janë “pronë” e ish-goleadorit kuqezi, Erjon Bogadni, dhe një i përket legjendës së futbollit tonë, Panajot Pano. Kësisoj, askush më mirë sesa “Bogu” nuk mund të zbërthejë të paktën teorikisht mbrojtjen e nordikëve. Në një intervistë dhënë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi analizon kundërshtarin, duke pohuar edhe mënyrën sesi mund të marrim rezultat ndaj tyre. Bogdani i beson Bekim Balajt në sulm dhe gjykon se duhet të kopjojmë paksa ndeshjen me Portugalinë, por duke i dhënë pak më shumë impuls lojës sulmuese. Në fund ai prek edhe përballjen me Serbinë.
Bogdani, si e shikoni Danimarkën aktuale në raport me atë të para 5 viteve kur ju i shënonit në “Qemal Stafa”?
Të ndryshuar në disa reparte. E kam fjalën në emra, por gjithsesi me një mentalitet të njëjtë. Në fakt, vijon të ketë në krye të njëjtin trajner, Morten Olsen, i cili i ka dhënë një lloj sigurie asaj skuadre. Nga 2009-ta janë pak lojtarë që vijojnë ende të aktivizohen, por unë, duke qenë ish-sulmues, kur flas për kundërshtarin, më shumë ndalem te mbrojtësit.
Në fakt rrezikojnë të mos luajnë si Ager dhe Kjaer…
Po, lajmi i mirë për Shqipërinë, në rast se nuk do të luajnë këtë lojtarë. Të kuptohemi, Danimarka nuk është vetëm këta dy të fundit, pasi ka shumë të tjerë të talentuar. Mjafton të shikosh listën e të grumbulluarve dhe skuadrat ku ata aktivizohen, në klube të mëdha, ndaj gjykoj se duhen marrë shumë seriozisht, përtej mungesave apo jo të Agerit dhe Kjaerit.
Ju jeni i vetmi lojtar shqiptar që i keni shënuar dy gola Danimarkës. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për t’i shënuar kësaj skuadre ditën e nesërme?
Më së pari duhet të mos pësojë. E di që tingëllon keq kur e them unë këtë gjë, por është shumë normale për një skuadër si kjo e jona, e cila nuk shihet thuajse asnjëherë si favorite në të tilla takime, që fillimisht të mendojë që të mos pësojë gol dhe më pas, me anë të kundërsulmeve, të mund të shfrytëzojë forcën goditëse.
Po thoni që të kopjojmë ndeshjen me Portugalinë, edhe pse luajnë në fushën tonë?
Sigurisht që po, por me disa modifikime. Mendoj se, në krahasim me ndeshjen me Portugalinë, duhet që të organizojmë pak më shumë sulme dhe një skuadër si Danimarka, për vetën natyrën që ka, të lejon që ta godasësh më tepër, pasi luan më hapur. Unë të paktën i referohem ndeshjes që ata bënë me Armeninë, ku natyrisht edhe për faktin se shkuan në disavantazh, bënë një ndeshje të fortë fizike, por duke lënë hapësira pas. Pikërisht këto duhet të shfrytëzojmë. Nëse nuk luan Ager dhe Kjaer, atëherë ata do të kenë më pak eksperiencë në mbrojtje, ndaj duhet që t’i sulmojmë edhe në lojën një për një, të cilën mund ta aplikojë Valdet Rama, duke qenë se është një driblues shumë i mirë.
Mendoni se duhet të luajmë sërish me një sulmues?
Po, nëse do të isha trajner i Kombëtares, unë do të luaj sërish me një sulmues dhe një mesfushë të ngjeshur, që natyrisht, siç e thashë edhe më lart, duhet të shikojë disi më shumë nga reparti ofensiv dhe jo thjesht të administrojë lojën dhe të mbrohet.
Përtej miqësive që keni ende në skuadrën kombëtare, kush mendoni se duhet të luajë si sulmues nga minuta e parë?
(Qesh)… tani Salihin dhe Kapllanin i kam shumë miq dhe e di fort mirë se çfarë mund të bëjnë ata të dy bashkë apo edhe vetëm në sulm. Kanë eksperiencë të jashtëzakonshme, e cila i vlen Kombëtares, por unë do dëshiroja që ta shikoj sërish Bekim Balajn në majën e sulmit. Gjykoj se, nisur edhe nga goli që shënoi në Portugali, e meriton sërish besimin e trajnerit. Më pas, në varësi të rezultatit të ndeshjes, mund të bëhen ndryshime dhe të luajmë edhe me dy sulmues.
Sakaq, pritet që edhe ndaj danezëve De Biazi të luajë me një mesfushë kryesisht mbrojtëse dhe me pak fantazi. E shihni të drejtë këtë zgjedhje?
Sigurisht që po. Mesfusha është reparti ekuilibrues dhe shumë i rëndësishëm për skuadrën. Aty thyhen sulmet kundërshtare dhe aty organizohen loja, ndaj mendoj se zgjedhja me tre mesfushorë qendrorë dhe dy nga krahët është më e mira për të pasur sukses. Sigurisht që po flasim vetëm teorikisht, pasi në fushë nuk i dihet asnjëherë se si mund të marrë ndeshja. Më vjen keq vetëm për Roshin, pasi bëri një ndeshje shumë të mirë në Portugali dhe dëshiroja ta shikoja edhe ndaj Danimarkës.
Kush mund ta zëvendësojë?
Pak rëndësi ka emri në këtë rast, por detyrat që i duhen dhënë. Unë them se me tre mesfushorë qendrorë që do të mundohen më së shumti të thyejnë sulmet e kundërshtarëve, na nevojitet një lojë e fortë nga krahët. Kam besim te Valdet Rama dhe uroj që cilido të luajë në të djathtë, Xhaka, Lila apo ndonjë tjetër të bëjë sa më mirë, duke menduar më së shumti për të furnizuar sulmin me krosime.
Mund të bëni një parashikim të këtij takimi?
Edhe para ndeshjes me Portugalinë ma bëtë këtë pyetje dhe unë thashë 1-1, duke uruar që të paktën të merrnim një pikë. Fatmirësisht morëm tre. Tani për inerci më vjen të them se do të fitojmë 2-1, duke shpresuar që të shënojmë natyrisht më shumë sesa kaq.
Sa ndikon historia negative që kemi ndaj Danimarkës?
Thuajse fare. Kohët ndryshojnë dhe çdo ndeshje është një histori më vete, ndaj nuk duhet assesi të nisemi nga të tilla analiza.
Cila sipas jush është më e fortë teorikisht Serbia apo Danimarka?
Secila ka pikat e forta dhe të dobëta, por në emra është Serbia. Shikoni se ku luajnë lojtarët që drejton Advokat dhe binduni që është një skuadër shumë e fortë.
Kjo do të thotë se nuk mund të pretendojmë rezultat në Beograd më 14 tetor?
Jo, nuk ka lidhje. Ne duhet të shkojmë në Beograd dhe të bëjmë ndeshjen tonë, duke e përgatitur natyrisht në një mënyrë tjetër përkundrejt Danimarkës. Do të luajmë në transfertë dhe nën një atmosferë të ndezur, ndaj them se do ta kemi shumë të vështirë, por jo të pamundur për të marrë rezultat.
Si mund t’ia dalim ndaj serbëve?
Të eliminojmë cilësitë e individualiteteve të tyre, duke bërë një lojë në bllok. Ne marrim rezultat vetëm nëse luajmë si grup, duke ndjekur me përpikmëri detyrat. Një gabim i vogël ndaj të tilla skuadrave të kushton shumë, ndaj me serbët duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm.
Sa do të ndikojë, sipas jush, atmosfera aspak e qetë mes dy tifozërive në këtë përballje?
Uroj që të mos ndikojë fare dhe natyrisht, nëse flasim për profesionalizëm, nuk duhet të ndikojë. Ajo që mua personalisht nuk më ka pëlqyer gjatë kësaj kohe janë disa emocione të tepërta që kanë nxjerrë në pah edhe lojtarët tanë karshi serbëve. Po shkojmë të luajmë futboll dhe kaq, ndaj asgjë nuk duhet ngatërruar. As politika dhe as historia, pavarësisht sesa e dhimbshme ka qenë kjo e fundit.
E keni fjalën për lojtarët kosovarë?
Nuk më pëlqen të bëj aspak diferencime, pasi në Kombëtare jemi të gjithë “1”, por gjykoj se lojtarët tanë duhet të mendojnë vetëm për ndeshjen dhe asgjë tjetër.
Gjithsesi nëse do të lejohen edhe tifozët shqiptarë, do të jetë më mirë apo jo?
Absolutisht po dhe duhet thënë se në çdo stadium ku ata kanë shkuar kanë qenë shembull. Kujtoni ndeshjen me Zvicrën ose Norvegjinë, ndaj nuk ka arsye, sipas meje, që të mos lejohen të shkojnë në Beograd. Futbolli luhet për tifozë dhe, në këtë rast, Kombëtarja shqiptare nuk ka arsye që të privohet nga mbështetësit e saj.
LEONARD KARAJ