REPORTAZH SPECIAL/ Truproja dhe vilë 3-milionëshe, jeta e re e Halandit
Pas tripletës, dihet se ku mund ta gjesh. Erling Haland po shfaqet këto ditë duke shëtitur në ballkonin e apartamentit të tij të ri 2.6 milionë paundësh, në një rrugë me gjethe dhe të shkretë të lagjes më të pasur të Oslos.
Në lagjen e tij të re në kryeqytetin e Norvegjisë nuk ka asnjë gjurmë të yllit të Mançester Sitit. Në atë rrugë nuk ka tabela, asnjë murale. Zero reklama neoni që ndriçojnë rrugën “Karl Johans”, e cila është e njohur për numrin e madh të dyqaneve të stilistëve. Edhe dyqani “Nike”, në vitrinën e tij shfaq vetëm futbolliste femra. Megjithatë, Haland është gjithashtu kudo, pavarësisht se ai “fshihet” në një prej strehëzave të tij të preferuara.
Norvegjia është ende duke u pajtuar me ngjitjen e tij statosferike. Gazetari Mats Arntzen, i gazetës norvegjeze “VG”, shpjegon për “DailyMail”: “Nuk jemi mësuar të kemi një superyll. Dhe posterët e mëdhenj, nuk janë pjesë e kulturës sonë. Ne jemi socialistë. Është paksa një kontradiktë kur befas jemi përpara këtij realiteti dhe kemi një yll. Ne kemi ligjin e ‘Jantes’, një zakon norvegjez, ku nuk duhet të mendoni se jeni më i mirë se kushdo tjetër.
Xhon Arne Rise ishte viktimë e kësaj, një vajzë në çdo krah, makina luksi, karakteri i tij nuk ishte norvegjez. Ndoshta mund të thuash të njëjtën gjë për Halandin. Disa njerëz e kritikojnë atë për arsye politike, lidhjen e tij me pronarët e Emirateve të Bashkuara Arabe të Sitit, shqetësimet mjedisore për avionin e tij privat, disa marrëveshje sponsorizimi.
Por për shkak të mediave sociale dhe mënyrës se si funksionojnë gjërat në vendet e tjera, është më e lehtë të jesh ai tani sesa 20 vjet më parë. Gjithashtu, njerëzit këtu janë mjaft të qetësuar, pak të turpshëm. Jashtë stadiumit, pas stërvitjes, ndoshta 10 fëmijë me fanella e presin, nuk është si Xhastin Biber apo ‘The Beatles’. Diku tjetër, do të ishte më ekstreme”.
VIZITË NË HOTELIN MODEST
Me një tablo përpara që nuk është e lehtë të ndërtosh fabula për reportazhin për të cilin “DailyMail” ka shkuar në shtëpinë e 22- vjeçarit, gazeta britanike u nis në kërkim të adresave, ku mund të banonin historitë e Halandit.
E para ishte hoteli modest i ekipit të kombëtares në Storo me një çmim 180 £ nata në një periferi veriore pesë minuta me makinë nga “Ullevaal Stadion”, ku Norvegjia do të luante kundër Skocisë në kualifikuesen e “Euro 2024” të shtunën. Muzika qetësuese e hollit, që shërben vetëm kafe dhe ujë falas, ka pak ngjashmëri me klubin e natës në Ibica, “Pacha”, ku Haland dhe Xhek Grilish festuan tripletën e Mançester Sitit fundjavën e kaluar. Shkaku i vetëm për trazira është prania e reporterit anglez.
“Kë po kërkoni? Sinqerisht, Halandin?” pyet një roje sigurie hoteli. “Aparatin e kafesë”, iu përgjigj gazetari si për t’iu shmangur atij.
ISH-POLICI QË E MBRON NË ÇDO HAP
Pikërisht atëherë shfaqet Geir Elefsen, ish-polici dhe shefi i sigurimit të ekipit kombëtar, i cili qëndron më pranë Halandit sesa shumica e mbrojtësve që i afrohen ndonjëherë në fushë kur e markojnë. Kostum i zi, këmishë me nuanca dhe cigare në gojë.
Çdo thithje dhe lëshim tymi e bëjnë pakëz të duket si protagonisti i një filmi policesk nordik. Në lidhje me marrëdhënien midis Halandit dhe Elefsenit, diku shkruhet: “Ai kujdeset për të sikur të ishte një diamant”. Kur Haland shkoi për të blerë një ‘iPhone’ të ri pas stërvitjes të mërkurën, Elefsen shkoi me të, dhe sigurisht jo për ta këshilluar për ngjyrën.
Duke u kthyer jashtë hotelit, ish-polici i moshuar pastron rrugën, ku një grup djemsh janë duke goditur një top dhe presin Halandin. Situata e gatishmërisë së Elefsenit tregon se sulmuesi është pranë. Pak minuta më vonë, autobusi i ekipit kthehet nga stërvitja dhe Halandit i qëndron si hije Elefseni duke i fshehur fytyrën derisa ai hyn në hyrjen anësore të hotelit me pantofla të bardha.
Këto do të ishin këpucët e tij të kërcimit disa ditë më parë. Gazetari e pyet trajnerin e Norvegjisë, Stale Solbaken, nëse festa e Halandit ka qenë një shqetësim. “Jo! Ishte një ide e mirë”, përgjigjet ai. “Nuk mund ta shtyni një festë të tillë. Kur erdhi këtu, nuk dukej sikur kishte ndjekur gjurmët e Grilishit! Pra, nëse Grilish ka arritur të stërvitet për Anglinë, edhe Haland duhet të arrijë ta bëjë për ne!”
Pranë hotelit është një kinema Odeon që tregon se po shfaqet filmi “Spider-Man” dhe një dyqan “fast food”-i. Një kameriere, e quajtur Sabrina, thotë se yjet si Haland porosisin një lëng, por deri më tani ata nuk kanë qenë në gjendje t’i tundojnë me ndonjë koktej me qumësht. “Ka shumë sheqer!” tregon ajo, duke rrëfyer gjithashtu një anekdotë simpatike të pritjes një herë në recepsionin e hotelit dhe frikësimit të papritur nga stafi i sigurisë që e rrethonte. Ajo u kthye dhe pa që Haland ishte në radhë.
PERIPECITË
Ndërsa gazetari bisedon me kamerieren, Elefsen del nga hoteli. Haland është dërguar në mënyrë të sigurt në dhomën e lojërave në katin e gjashtë, ku ai dominon tryezën e pingpongut. A po shijon ish-polici një pushim cigaresh apo më tepër, është duke kontrolluar lëvizjet e gazetarit? Sido që të jetë, është koha për t’u larguar.
PRIVATËSIA E SHENJTË
Në “Michaels”, në lagjen e pasur të “Frogner”-it, Haland festoi me shokët e skuadrës si Martin Odegard dhe influencerin Lini Maister pas fitores 9-0 të vitit të kaluar ndaj Armenisë. “Ky është vendi”, shkruan një shenjë sipër derës. Është si të hysh në “Instagram”, ku njerëzit e bukur vijnë për t’u parë, dhe Oslo ka shumë prej tyre. Xhek Grilish dhe shokët e tij do ta donin një vend të tillë.
Bodrumi i klubit të natës është ndërtuar me një tematikë xhungle, por siç shpjegon stafi, Haland dhe shokët e tij ndihen të sigurt aty. Nuk ka paparacë që lëkunden nga pemët, nuk ka ndërhyrje të pakëndshme në privatësinë e futbollistëve, të cilët mund të shijojnë të qetë ato orë që do të qëndrojnë aty brenda duke festuar. Në fakt, kjo është e vërtetë për shoqërinë norvegjeze.
Siç tregon edhe gazetari Arntzen: “Nëse shkruajmë për flokët e tij, për të dashurën e tij, për fluturimin me një avion privat, mund të bëhet e tepërt. Ka një interes të madh, sigurisht, por duhet të jemi të kujdesshëm”. Biletat e ndeshjes me Skocinë ishin shitur të gjitha (28 mijë spektatorë). Uria për të parë kombëtaren, por mbi të gjitha golashënuesin më të mirë të Premier Ligës dhe të Europës këtë sezon është e madhe, sepse Haland luajti vetëm për herë të dytë në 15 muajt e fundit në këtë stadium.
“Pesë vjet më parë, ata luajtën me Qipron përpara 5000 njerëzve”, thotë Arntzen. “Çfarë ndryshoi? Haland ndryshoi. Shikoni, kur ai fillon të vrapojë dhe merr topin, të gjithë ngrihen nga ndenjëset e tyre. Ne nuk kemi qenë në një turne që nga viti 2000. Tani, ai na jep besimin se mund të mposhtim cilindo”.
PËRSHËNDET ME GOL
Nën rrezet e diellit të pastër të mbrëmjes së të shtunës në Oslo, Erling Haland e shënoi edhe njëherë emrin e tij në listën e golashënuesve, por goli i tij i 53-të sezonal nuk e ndihmoi dot kombëtaren norvegjeze që të shmangte humbjen, ndërsa Skocia e përmbysi, duke shënuar dy herë në minutat e fundit të ndeshjes. Sulmuesi u vërshëllye pas ndeshjes nga tifozët e tij, sepse nuk ndaloi pas ndeshjes për të autografuar për ta.
Mesa duket 22-vjeçari nuk i kapërdiu lehtë dy golat e pësuar në minutën e 87-të dhe 89-të nga skuadra e Stiv Klarkut. Është një rezultat që do të thotë se nëse pjesa tjetër e Europës do të jetë duke luajtur në finalet e “Euro 2024” në Gjermani verën e ardhshme, ylli i Mançester Sitit mund të jetë sërish duke shijuar pushimet e tij, pas goditjes që morën shpresat e kualifikimit të Norvegjisë për herë të parë në finalet e një Europiani pas 24 vitesh.
Pas festës me Mançester Sitin, Haland i dha fund serisë së gjatë të ndeshjeve pa shënuar duke shndërruar në gol një penallti dhe kaluar momentalisht në avantazh nordikët. Por skocezët nuk u dorëzuan dhe Lindon Dajks u shfaq vonë në zonën e Norvegjisë për të barazuar për britanikët. Ndërkohë që dy minuta më vonë skandinavët ngelën të shokuar kur Keni MekLin devijoi saktë një krosim të Dajks për të vulosur fitoren e Skocisë, që tashmë kryeson grupin dhe duket se do të presë biletën në Gjermani pas tri fitoreve radhazi në grup.
KONTESTOHET NGA TIFOZËT
Por pavarësisht se prishi mallkimin e golit, humbja e la të zhgënjyer sulmuesin. Në vend që të përshëndeste tifozët, të cilët po e prisnin jashtë stadiumit “Ullevall” pas ndeshjes për t’i firmosur disa fanella dhe bërë foto, ai u fut direkt në autobusin e skuadrës. Dhe entuziazmi i tyre u transformua në vërshëllima derisa autobusi i kombëtares u largua.
Pritshmëritë tek ai janë të mëdha. Por është një adhurim me nota respekti i rezervuar vetëm për arritjet e tij sportive. Dhe nuk është çudi që muajin e shkuar, Haland, i cili është ngritur nga qyteti i tij i Brynes, 480 kilometra larg kryeqytetit, bleu shtëpinë e tij të parë në Oslo, atë apartament shumë të kushtueshëm në katin e tetë.
VIZITË NË SHTËPI
“DailyMail” tenton t’i afrohet bllokut të pallateve ku Haland banon. Në rrugët përreth ka plot lëvizje përreth hotelit “Sommerro” me tulla të kuqe të modës, të cilat i gjen rëndom në arkitekturën karakteristike të Oslos. Hoteli qëndron si një mburojë, por ka lidhje me kompleksin ku banon 22- vjeçari në kryeqytet. Ka një dyndje njerëzish që shfaqet përballë. Ka ardhur Halandi? Jo, bëhet fjalë për reperin amerikan Busta Rhymes, i cili shfaqet duke ecur me një valixhe regjistrimi çeliku në dorë. Ishte një skenë mashtruese.
Megjithatë, gazetari nuk ka përfunduar ende punë me mashtruesit. Një portier i tregon se ka një kalim midis ndërtesave që të çon drejt e në një oborr. Nuk është i mbyllur për publikun, kështu që gazetari endet, vetëm për të marrë një aromë të banesës së re të autorit të 36 golave në Premier Ligë në sezonin e tij të parë në “Etihad”. Përtej kësaj parcele të izoluar dhe në lëndinën e një rezidence aty pranë, dëgjohet tingulli i këndshëm i një mbledhjeje, të qeshura, trokitje të gotave, muzikë e rrymës “hauz”.
FESTA DHE PRIVATËSIA E SHENJTË
Edhe gazetari bëhet gjithashtu kurioz për të parë se çfarë po ndodh përreth dhe sheh një figurë sportive në një nga ballkonet lart. Tingëllon si një prej festave të tij. Dhe ja ku ai është, Erling Haland, me kompletin e plotë sportiv të kombëtares së Norvegjisë dhe vështron një qytet ku duket qartë se ka filluar të ndihet si në shtëpinë e tij.
Ndoshta sepse posterët e mëdhenj nuk janë për të. As sytë kureshtarë të një gazetari britanik nuk do të ishin të mirëpritur në një skenë të tillë. Dhe ai respekton zakonin vendës dhe bën një dalje të kujdesshme për të mos u vënë re. Gjithsesi, ka një festë që duhet hetuar. Vetëm se këtë herë Haland nuk shfaqet. Dhe nëse ai do ta bënte? Norvegjezët sigurisht që do ta linin të qetë për të shijuar një natë në paqe. Ndoshta ky vend në fund të fundit nuk është për shokun e tij të ngushtë, Xhek.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"