Revolucion te maltezët, “demat” e Partizanit kanë detyrim kualifikimin/ Ndeshjen e gjykon një… moldav

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2024 | 22:22

Revolucion te maltezët, “demat” e Partizanit kanë detyrim kualifikimin/ Ndeshjen e gjykon një… moldav

Më 11 korrik, ora 20:00, Partizani do të presë Marsakslok në turin e parë të Ligës së Konferencës. Të kuqtë janë në fazë përgatitore, teksa e njëjta gjë vlen edhe për maltezët, të cilët po bëjnë një revolucion në skuadër.

PARTIZANI

Ata kanë ndryshuar trajnerin, si dhe kanë afruar plot gjashtë lojtarë, mes tyre edhe Patrik Nonaton, që para një viti luante me Erzenin dhe i shënonte të kuqve dy gola në katër përballjet në Kategorinë Superiore. Pavarësisht gjithçkaje, Partizani duket favorit absolut sa i përket këtyre përballjeve.

Diferenca nis që te kampionati, për të vijuar me organikën dhe vlerën e ekipit dhe për tu ndalur tek eksperienca. Vjet të kuqtë për pak sa nuk kapën grupet, ndërsa maltezët s’kanë kaluar asnjë tur në Europë, ku mungojnë prej plot 15 vitesh. Turi i dytë, ku i pret Iberia (ish-Saburtalo), shihet si detyrim për “demat”.

UEFA ka caktuar arbitrat e ndeshjes së parë mes Partizanit dhe Marsakslok, e vlefshme për turin e parë të Ligës së Konferencës. Në ndeshjen e 11 korrikut në stadiumin “Air Albania” në orën 20:00 do të gjykojë një ekip gjyqtarësh nga Moldavia.

Kryesor i sfidës do të jetë Roman Jitari, vetëm 33 vjeç, moshë relativisht e re për një arbitër ndërkombëtar. Jitari është një arbitër, që maksimumin e tij shënon duelin e vjetshëm mes Santa Koloma dhe Penibont, e vlefshme për kualifikueset e Ligës së Konferencës. Ai do të ndihmohet nga Vlad Lifciu dhe Andrei Bodean si arbitra anësorë dhe Igor Boska si i katërt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"