Rikthehen titullarët, pritet edhe Fatjon Tafaj
Kamza do të ketë në dispozicion, tashmë për fazën e dytë, të gjithë grupin e futbollistëve. Janë rikthyer Rezart Maho, Albion Blloku, Erald Pustina dhe Renato Sula, ndërkohë që këto ditë pritet të vijë edhe ish-kapiteni Fatjon Tafaj. Kamza riformatohet plotësisht, ku Rezart Maho pritet të jetë promotori i sulmit kamzali. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Rezart Maho u shpreh: “Do të luajmë takimin e radhës me ekipin gjirokastrit në fushën e tyre, por kjo nuk do të thotë se duhet ta shohim atë si ekip më të fuqishëm se ne. Është një skuadër mjaft e mirë dhe e fortë në shtëpi. Ne duhet të japim maksimumin për këtë sfidë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta mbivlerësojmë, por as ta nënvlerësojmë kundërshtarin, pasi kjo do të na dëmtonte shumë. Do të shkojmë në Gjirokastër, që të tregojmë se jemi një ekip që e meritojmë të jemi pjesë e së Parës. Nuk ka më vend për gabime, sepse dhe mundësi për të rikuperuar pikët nuk ka, duke qenë se konkurrenca është e ashpër”.
A.Dushku