Rikthim i bujshëm, Renato Hyshmeri do të luajë me Elbasanin në Kategorinë e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2017 | 12:06

Rikthim i bujshëm, Renato Hyshmeri do të luajë me Elbasanin në Kategorinë e Dytë

Renato Hyshmeri është përforcimi më i ri dhe më i bujshëm i Elbasanit këtë merkato vere. 28-vjeçari ka dalë në stërvitje me verdheblutë dhe është pothuajse e sigurt që për këtë sezon ish-lojtari i Bylisit në dy vitet e fundit do të vijojë aventurën në Elbasan, aty ku edhe ka nisur karrierën e tij si futbollist profesionist.

hyshmeri

Mësohet se futbollisti ka rënë parimisht dakord me klubin për të dhënë kontributin e tij për ringritjen e skuadrës në Kategorinë e Parë. Ish-futbollisti i Tiranës, Partizanit dhe Teutës pritet të jetë një nga liderët dhe futbollistët më cilësorë të kësaj kategorie, duke u dhënë një dorë verdhebluve për arritjen e objektivave.

Së bashku me një pjesë të mirë të titullarëve të tjerë që kanë mbetur në klub, Elbasani shpreson që të formojë një ekip kompetitiv dhe t’i bëjë ballë një sezoni të ashpër në Kategorinë e Dytë. Megjithatë, rikthimi i Hyshmerit përkon me një largim të Aldo Bellas. Mbrojtësi doli fillimisht në stërvitje me verdheblutë, por pasi nuk gjeti akordin me klubin, u largua. Ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve të sezonit të kaluar, si dhe disa lojtarë të ardhur rishtas në skuadër, janë duke vijuar normalisht përgatitjet.

ANGLEZËT

Skuadra po vijon normalisht përgatitjet në kuadër të sezonit të ri futbollistik, por gjithsesi ajo që mund ta bëjë skuadrën kompetitive është ana financiare. Për këtë arsye, burime në klub pohojnë për “Panorama Sport” se sot përfaqësues të kësaj kompanie pritet të mbërrijnë në Elbasan, për t’u dhënë në njëfarë mënyre garancinë lojtarëve për sa u përket financave. Nuk konfirmohet prezenca e tyre në seancën stërvitore, por edhe kjo gjë ka mundësi që të ndodhë dhe nuk është aq e pamundur.

Gjithsesi, ajo që duket më e rëndësishme është që të paktën në qytet po i presin të vijnë edhe fizikisht, pasi u bë afro një vit që flitet e përflitet dhe nuk është parë asgjë konkrete. Fjalët që qarkullojnë për ta nëpër korridoret e klubit kanë qenë gjithnjë pozitive, ndaj shpresohet që të hapin “qesen” dhe të paktën lojtarët të mos kenë më probleme pagesash.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"