“Roberto Karlosi kinez”, Gjici ikën i tërbuar nga stadiumi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2018 | 23:09

“Roberto Karlosi kinez”, Gjici ikën i tërbuar nga stadiumi

Spektakël në fushë dhe në tribuna. Luftëtari i djeshëm ishte perfekt, ndërsa u mbështet gjatë të gjithë sfidës edhe nga tifo-grupi “Shqiponjat Bluzi”. Megjithatë, në Gjirokastër vazhdojnë të mos shpenzojnë për ekipin, ku shumë tifozë e kanë ndjekur ndeshjen nga objektet rreth stadiumit. Ja disa nga pikantet që u panë dje në sfidën mes Luftëtarit dhe Kukësit.

gjici tavo

-Për herë të parë, grupimi “Shqiponjat Bluzi” e ka ndjekur ekipin e zemrës në vendin e duhur, në tribunën ballore. “Luftëtar do të jemi me ju!”. Kjo ishte edhe banderola e vendosur para panoramës festive që ata shpalosën për gjatë të gjithë takimit.

-Të pranishëm në tribunën VIP ishin presidentët, ai i Luftëtarit, Grigor Tavo, dhe ai i Kukësit, Safet Gjici. Ky fundit ka ikur më shumë i mërzitur nga tribuna, ndërkohë që Tavo ka përshëndetur të tijtë nga larg për rezultatin e arritur. Ndërkaq, ndeshjen e djeshme e kanë ndjekur rreth 1600 tifozë.

-Para se futbollistët e Kukësit të niseshin drejt Kukësit, përmes zhgënjimit dhe lodhjes, kanë konsumuar edhe picat si për të hedhur pas krahëve humbjen e dytë ndaj Luftëtarit në këtë kampionat.

-Në fund të ndeshjes së djeshme, Imami, teksa ka lënë dhomën e zhveshjes me çantë të hedhur në shpinë, ka lëshuar “lumin” e pakënaqësisë ndaj trajnerit të tij, Pakult.

-Goli i fitores së Luftëtarit me protagonist 31-vjeçarin Liçaj është përcjellë me lumë duartrokitjesh nga tifozët vendës. “Në Gjirokastër ka ardhur edhe Roberto Karlosi kinez”, thoshin tifozët bluzinj.

-Në momentet kur Luftëtari kontrollonte topin në mesfushë, trajneri Lika u kërkonte të tijve spostim të pozicioneve në fushë, me qëllim daljen me shpejtësi para portës së Kukësit. Disa herë gjyqtarët e takimit janë kontestuar nga sportdashësit vendës për vendimet e dhëna prej tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"