Rodri: Gjermania luan në shtëpi, por Spanja ka forca për ta thyer

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2024 | 14:41

Rodri: Gjermania luan në shtëpi, por Spanja ka forca për ta thyer

Rodri ka qenë pushim ndaj Shqipërisë. Kartoni i verdhë i marrë me Italinë bëri që ai ta ndiqte si spektator ndeshjen e fundit në grupin B. Një zgjedhje e vetë mesfushorit, për t’u kthyer edhe më i çlodhur kundër Gjeorgjisë në 1/8 e finale.

rodri

Dhe çfarë kthimi, sepse mesfushori i Mançester Sitit është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes, pas një paraqitje brilante. Jo vetëm për golin e shënuar në fundin e pjesës së parë që barazoi shifrat dhe i dha mundësi Spanjës të përmbyste gjithçka në pjesën e dytë. Por edhe për faktin se ishte ai që diktoi ritmin e lojës, ishte ai timonieri i “La Roja”-s në një tjetër ndeshje argëtuese. Ai ka folur pas takimit, duke komentuar dhe suksesin kundër Gjeorgjisë.

“E dinim që në fillim, ndoshta ata (Gjeorgjia) nuk kishin emrin e skuadrave të tjera të mëdha, por na vunë në telashe. Në pjesën e parë të lojës patëm raste, por pësuam një gol aksidental dhe kjo e ndërlikoi disi. Gjithsesi nuk u dorëzuam për asnjë moment dhe u kthyem edhe më fort. Skuadra është treguar krenare. E dinim se do të ishte më e komplikuar se në grupe, se ata do të vraponin më shumë, por ne kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer”, tha Rodri.

GOLI – Mesfushori i Spanjës ka komentuar dhe golin e tij e ndikimin që pati në ecurinë e ndeshjes.

“Trajneri më ka kërkuar të jem më pranë zonës kundërshtare. Lamine dhe Niko krijonin hapësira duke tërhequr mbrojtësit. Herën e parë që pata topin në zotërim më erdhi fort, arrita ta kontrolloja dhe e godita. Ne treguam pjekuri dhe më pas në pjesën e dytë dominuam tërësisht. Besoj se goli i shënuar në fundin e pjesës së parë na ndihmoi shumë”.

Ai ka komentuar dhe përballjen në çerekfinale kundër Gjermanisë organizatore të kompeticionit. “Ata luajnë në shtëpi, ne kemi armë, le të japim maksimumin njerëzit tanë le të vijnë në stadium të na mbështesin”, tha Rodri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"