Rrëfehet Amir Rrahmani: Partizani klubi më i mirë në Shqipëri, ja pse u largova nga Kombëtarja shqiptare
Ish-mbrojtësi i Partizanit, Amir Rrahmani sfidoi të kuqtë në miqësoren e djeshme të zhvilluar në Antalia që përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të Dinamos së Zagrebit. 24-vjeçari u aktivizua si titullar te skuadra kroate, madje te goli i dytë, pati dhe një debat me portierin Alban Hoxha, pasi lojtarët e Partizanit pretenduan se topi nuk e kaloi vijën fatale.
Në një prononcim për “sporske.jutranji.hr”, Rrahmani ka folur për aventurën e tij në klubin shqiptar si dhe kalimin te Kosova. Gjatë intervistës për portalin kroat, 24-vjeçari shprehet se në 2 sezonet që ka qenë pjesë e Partizanit skuadra e kuqe është pozicionuar në vendin e dytë, më fakt në sezon 2013-2014 e mbylli në vendin e pestë, kurse sezonin pasardhës në vendin e tretë.
AVENTURA TE PARTIZANI
“Partizani është klubi më i mirë në Shqipëri, ata kanë fituar shumë trofe. Gjatë periudhës së komunizmit ata gjithmonë i fitonin titujt. Por shtatë vite më parë ata ranë në Kategorinë e Parë dhe ishin në krizë. Vitin e parë që u rikthyen në elitën e futbollit shqiptar, unë firmosa për Partizanin. E mbyllëm të dytët në të dy sezonet që isha atje. Skënderbeu ishte shumë i fortë. Gjithashtu kishte edhe shumë ndryshime në klub, nga presidenti, trajneri dhe lojtarët. Pas dy sezoneve te Partizani shkova te RNK Split”.
LARGIMI NGA KOMBËTARJA SHQIPTARE DHE KALIMI TE KOSOVA
“A ju akuzuan në Shqipëri për ndryshimin e përfaqësueses? Sigurisht. Isha në ekipin kombëtar të Shqipërisë, por vendosa të luaja për Kosovën. Pashë që nuk do të kisha shumë hapësira në Kombëtaren shqiptare dhe ata nuk më shihnin ashtu siç unë dëshiroja. Isha në përgatitje për kampionatin Europian, por nuk mora pjesë në kompeticion. Kjo ishte arsyeja që vendosa të luaja për Kosovën. Mendova: “Nëse nuk më llogaritin tani, kur do më llogaritin…”.
POZICIONI NATYRAL
“Stoper është pozicioni im natyral, por mund të luaj edhe në krahun e majtë dhe të djathtë. Do të thoja se përshtatem mirë në krahun e djathtë, sepse këmba ime e djathtë është më e mira. Sidoqoftë, kudo që ka nevojë trajneri, unë jam i gatshëm.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"