Rrëfehet Magani, sulmuesi që babait i thërret… mister

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2015 | 17:18

Rrëfehet Magani, sulmuesi që babait i thërret… mister

maganiArtur Magani dhe Gugash Magani janë një rast i rrallë në Shqipëri. I pari sulmues dhe i dyti trajner, teksa së bashku bëjnë pjesë te Teuta, në një kohë që janë nga Peqini. Arturi shënoi golin e tij të parë për durrsakët kundër Vllaznisë. Në një rrëfim ndryshe për “Panorama Sport”, ai tregon raportin me babanë trajner, të veçantat dhe synimet që ka në karrierën e tij.

Artur, cili ka qenë trajneri juaj i parë në futbollin profesionist?

Trajneri im i parë ishte Kristaq Mile, me të cilin kam kaluar shumë mirë dhe më ka ndihmuar shumë për t’u bërë një futbollist i mirë.

Në ndeshjen ndaj Vllaznisë, ju realizuat golin tuaj të parë zyrtar me Teutën. Mund të na i përshkruani emocionet?

Edhe pse kishte shumë minuta lojë, unë e kërkova golin dhe në ndeshjen ndaj Flamurtarit, por fati nuk ishte me mua. Është kënaqësi kur shënon e mbi të gjitha kur goli vendos ndeshjen. Ky ishte vetëm fillimi e s’do të ndalem këtu, do të mundohem t’ua shpërblej me sa më shumë gola presidentit, si dhe trajnerit për besimin që më kanë dhënë.

Çfarë ju tha babai pas golit të shënuar?

Pas ndeshjes, trajneri më tha që nuk duhet të kisha eufori, pasi nuk kisha bërë asgjë… Ishte vetëm një gol dhe duhet të qëndroj me këmbë në tokë, të angazhohem në maksimum në stërvitje dhe të jap më të mirën në fushën e lojës me gola të tjerë.

Të kesh babanë trajner të ekipit është privilegj?

Aspak, është një përgjegjësi e dyfishtë, pasi duhet të jap maksimumin tim që të justifikoj besimin që më jepet. Duhet të jem kokulur në stërvitje dhe punëtor dhe t’u bindem urdhrave e skemave në fushën e lojës.

Ju ngacmojnë shokët e ekipit rreth këtij fakti që keni trajner babanë?

Te Teuta është një atmosferë shumë familjare dhe një grup që as unë nuk e prisja ta gjeja. Nuk ka ndodhur në asnjë situatë që shokët e ekipit të më kenë ngacmuar rreth kësaj gjëje. Madje, është një sjellje normale e të gjithëve që as më konsiderojnë si djalin e trajnerit, por si shokun e skuadrës.

Ndeshja që ju mbani mend si më emocionuesen?

Kam qenë vetëm 17 vjeç dhe Shkumbini luante kundër Tiranës… Skuadra jonë po humbiste dhe në minutën e 89-të shënova golin e barazimit. Ajo ndeshje ka qenë më emocionuesja për mua, por shpresoj të kem shumë të tjera me Teutën.

Cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të Teutës?

Sipas mendimit tim, pika më e fortë e Teutës në dy ndeshjet e para janë mesfusha dhe sulmi. Këto dy reparte besoj se kanë vendosur edhe ndeshjet, por normalisht që kjo nuk do të arrihej pa një mbrojtje të mirë dhe s’duhet të harrojmë që mbrojtësit tanë edhe shënojnë. Pa dyshim që lider është dhe kapiteni Rizvani, që e mban portën të paprekur. Puna që ka bërë stafi drejtues, me në krye presidentin Hasanbelliu në krijimin e këtij grupi. Pra, ne funksionojmë si ekip.

Cilin lojtar mund të veçoni te Teuta?

Teuta funksionon si ekip dhe kjo është forca reale e saj, por mund të veçoj treshen Rizvani, Hodo dhe Mihani, që janë liderë si në fushë dhe jashtë saj.

Cilat janë ambiciet tuaja dhe të skuadrës për këtë sezon?

Ambiciet e Teutës dihen: të jemi pjesë në Kupat e Europës dhe, pse jo, të fitojmë trofe. Mendoj se ne do të luajmë një rol të rëndësishëm në Superiore.

Cilin konsideroni si pretendentin kryesor në luftën për titull?

Mendoj se pretendentët kryesorë janë: Skënderbeu, që ka një superekip dhe, më pas, Kukësi e Tirana, por nuk mund të përjashtoj dhe Partizanin.

Cilët janë njerëzit që ju mbështesin më shumë?

Pa dyshim familja ime, të cilën e dua shumë. Janë forcë e madhe për mua.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Për momentin jam i fokusuar te Teuta, por në një të ardhme pse jo të luaj në një ekip të mirë në Europë.

Çfarë u premtoni tifozëve durrsakë?

Në aspektin personal, u premtoj tifozëve se në çdo takim do të luaj me “mish e më shpirt” për të arritur rezultate të mira.

FEDERIMET/ LISTA E TEUTËS
Bledian Rizvani
Shpëtim Moçka
Andi Xhixha
Erand Hoxha
Rustem Hoxha
Silvester Shkalla
Resul Kastrati
Blerim Kotobelli
Slavko Lukiç
Klejdi Hyka
Viktor Kuka
Nertil Ferraj
Bledar Hodo
Ardit Hila
Meglid Mihani
Bruno Dita
Fabio Beqja
Nazmi Gripshi
Teqi Qehajaj
Ledio Myrtezani
Eri Lamçja
Artur Magani
Klaudio Hysen

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"