Rrëfimi i Ilir Bozhiqit: Këtë mund ta quani sezoni i portierëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2017 | 17:36

Rrëfimi i Ilir Bozhiqit: Këtë mund ta quani sezoni i portierëve

Një jetë mes shtyllash, nga futbolli i luajtur deri te trajneri i portierëve të Dinamos, Skënderbeut dhe Kombëtares. Ilir Bozhiqi vjen me një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, teksa flet për pasionin e tij, sekretet e profesionit, por ndalet edhe tek emra konkretë. Duke nisur nga Grima e Kapllani, më pas Lika e Shehi, për të vijuar me Hoxhën e me radhë deri te Berisha e Strakosha, kanë marrë leksione nga Bozhiqi. “Ky është sezoni i portierëve”, thotë ai ndër të tjera.

ilir bozhiqi

Një jetë duke stërvitur portierët, mund të quheni me fat?

Unë kam pasur fatin e madh që kam punuar në dy ekipe të mirorganizuara dhe kampione. Te Skënderbeu, ku jam aktualisht prej pesë vitesh dhe 15 vjet te Dinamo. Natyrisht që të punosh në një ekip prej 15 vitesh është një punë kolosale, pasi nuk janë pak. Kam pasur fatin që në këto vite të punoj me portierë shumë të mirë, që kanë arritur shumë në aspektin profesional.

Te Dinamo kam punuar me Ilion Likën, që sot është një nga portierët më të mirë të kampionatit dhe ka qenë pjesë e ekipit Kombëtar. Për të vijuar me Alban Hoxhën, që dihet kush është, kapiten te Partizani dhe pjesë e kombëtares. Sot punoj me Shehin, që ka vlera të padiskutueshme. Kam punuar me Kotorrin, me të cilin kemi fituar dy kampionate dhe Superkupa.

Për arsye se janë shumë emra nuk mund t’i përmend dot të gjithë dhe u kërkoj ndjesë, por me të vërtetë më kanë bërë të ndihem mirë. Sigurisht, nuk mund të harroj Grimën dhe Kapllanin, që kanë qenë portierë shumë të talentuar.

bozhiqi kombetarja

Si është një ditë pune e Ilir Bozhiqit?

Unë nuk dua ta quaj thjesht punë, për mua është një lumturi e madhe, një kënaqësi e veçantë. Nuk ngopem dot së bëri këtë punë, çdo ditë është një gëzim më vete. Është diçka që unë kam lidhur jetën me këtë dhe nëse do të më pyesnit sërish se çfarë pune ëndërroj të bëj, unë do të zgjidhja sërish këtë. Jam i dashuruar me këtë punë.

Pasioni juaj duket që në seancat stërvitore, pasi mundoheni të argëtoheni duke stërvitur…

Ky është stili im i punës, dua që portieri të stërvitet në maksimum, por dhe të jetë i kënaqur me atë që bën. Kjo, pasi duke qenë i kënaqur i jep motivim. Unë këtë përpiqem të bëj gjithmonë.

15 vite te Dinamo. A ju mungon ky ekip?

Karriera ime si sportist, pa anashkaluar Naftëtarin, që ka qenë një vit i bukur i karrierës sime në 1984-1985, ka qenë Dinamo për 6 vjet ku kemi marrë dy kampionate, dy kupa dhe Superkupën e Shqipërisë. Dhe më pas, me karrierën si trajner nga 1997 deri në 2012, unë kam punuar me këtë ekip. Jam ndier shkëlqyeshëm mes 3 kampionatesh të fituara dhe përfaqësimit në Europë pothuajse çdo vit.

Ka qenë një periudhë shumë e mirë. Më vjen keq për Dinamon, pasi ka pesë vjet në një pozicion që nuk i shkon për shtat. Është një emblemë e futbollit shqiptar me 18 tituj kampion, që duhet të jetë shumë më lart. Shpresoj që të ngrihet sa më shpejt, pasi çdo ditë kur të hap gazetën, dua ta shoh Dinamon në majat e futbollit shqiptar.

dinamo kampione

A ka një ngjashmëri mes Dinamos dhe Skënderbeut për mënyrën se si është punuar?

Dinamo dhe Skënderbeu kanë shumë gjëra të përbashkëta. Njerëzit që kanë ndërtuar këto ekipe kanë qenë aq të zgjuar, sa të linin ekipin jashtë çdo presioni. Janë kujdesur me detaje për të ndërtuar një ekip me lojtarë cilësorë dhe djem të mirë që kanë krijuar grup mbi të gjitha. Është pothuajse një stil loje në të dy ekipet. Lojë e shtuar me administrim loje. Më duket një rrugë e njëtrajtshme, Dinamo-Skënderbeu. Me lojtarë të talentuar në ekip.

Si është “bashkëjetesa” juaj brenda stafit teknik me në krye Dajën?

Unë mendoj që një ekip i mirë duhet të ketë bashkëpunim të mirë në stafin teknik. Jam trajner portierësh, por shpesh kemi konsultuar mendimet me trajnerin e parë, por janë ata që vendosin në fund. Gjithmonë bashkëpunimi është i domosdoshëm për të krijuar një ekip të shëndoshë.

Cilat janë sezonet më të mira sipas jush, qoftë me blutë dhe Skënderbeun?

Dua ta nis me Dinamon që fitoi titullin e fundit, që kishte një sulm të fortë me Bakajn dhe Sefën, që kanë shënuar 23 gola së bashku në dy faza. Por, nuk mund të lë pa përmendur Dinamon e vitit 2002, që ka qenë superekip, me lojtarë që edhe në stol bënin diferencën. Ka qenë superekip edhe ai i sezonit 2007- 2008.

Por, Skënderbeu i sezonit të kaluar me pjesëmarrjen në Europa Ligë është një ekip më i fortë, më i konsoliduar. Një ekip që ka arritur shumë në Europë, duke marrë pjesë në grupe dhe duke u përballur denjësisht me tre ekipe shumë të mëdha. Mendoj personalisht se Skënderbeu i sezonit të kaluar është ekipi më i mirë i të gjitha kohërave.

Ka qenë ky kulmi i karrierës suaj?

Po, mund ta them me plot gojë. Këto vite kanë qenë kulmi i karrierës. Natyrisht që kam kaluar momente të bukura në të gjitha këto vite. Por vitet 2015-2016 kanë qenë më të bukurat për mua. Kjo, pasi njëkohësisht me Skënderbeun në Europa Ligë arritëm atë përfaqësim me Kombëtaren në Francë që është një ëndërr e bërë realitet. Një krenari kombëtare. Ka qenë një lodhje e madhe, por një lodhje argëtuese që me qejf do e bëja çdo vit.

bozhiqi

Le të ndalemi pak tek Orges Shehi. Një 39-vjeçar që vijon të jetë garanci në portë. Kush është çelësi i suksesit?

Shehi është një rast për t’u marrë shembull, pasi është 39 vjeç dhe stërvitet si një 18-vjeçar. Në punën tonë plakesh kurdo dhe qëndron i ri sa të dëshirosh. Nëse ti ke dëshirë dhe pasion për punën, mund të luash shumë gjatë. Je si vera, që sa më e vjetër, aq më e mirë bëhet.

Orgesi është profesionist i vërtetë, hyn në stërvitje dhe jep 100%, hyn në ndeshje dhe jep 100%. E njëjta situatë është edhe me Ilion Likën, që është një portier shumë i mirë, por sezonin e fundit po bën një paraqitje të shkëlqyer. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Alban Hoxhën, që sa më shumë vite kalojnë, aq më i mirë bëhet.

Portieri nëse stërvitet mirë dhe mban regjim të mirë mund të luajë sa të dëshirojë. Unë kam besim se jo vetëm këtë vit, por edhe dy sezone të tjera Gesi mund të jetë po kaq rezultativ dhe i rëndësishëm në portë.

Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu nga një anë dhe Koliçi, Hoxha dhe Shehi nga ana tjetër. Është kjo arsyeja pse këto ekipe janë në krye?

Nuk ka skuadër të madhe pa portier të madh. Këtë e kanë treguar eksperiencat. Nuk mund të dalësh kampion me portier mesatar apo të dobët. Futbolli tashmë po ndryshon dhe është bërë pjesë e pandashme e ekipit.

bozhiqi josa

Mund ta quajmë sezonin e portierëve?

Është e vërtetë. E përsëris, edhe Lika po bën një kampionat shumë të mirë te Tirana dhe më vjen mirë për të. Pa diskutim nuk përjashtohen Shehi dhe Hoxha, por edhe Koliçi që po përsërit atë sezon të mirë kur ishte me Shpresat në 2007. Mendoj se ky është sezoni i portierëve në kampionatin shqiptar. Janë portierët që po bëjnë diferencën këtë vit.

Të mos harrojmë që çdo ekip ka nga një portier të shkëlqyer, duke vijuar me Selmanin e Laçit, dy portierët e Flamurtarit, dy portierët e Gjirokastrës, ata të Shkodrës, e të gjithë me radhë deri te Korabi kanë qenë në një sezon të shkëlqyer. Kjo tregon që është punuar shumë mirë me ta.

Shehi ka zgjedhur Koliçin si portierin më të mirë të sezonit, ju kush mendoni se është?

Unë jam trajner portierësh, po të isha sportist mund të jepja një mendim, por në këtë pozicion nuk më lejohet (qesh). Koliçi ka bërë me të vërtetë një sezon shumë të mirë.

Për ta mbyllur, pas shumë titujve te Dinamo dhe pesë vjet te Skënderbeu si kampion, do të ishte e vështirë për Ilir Bozhiqin të përshtatet me humbjen e titullit?

Edhe nëse nuk do e fitoj kampionatin këtë sezon, do vijoj ta bëj me kaq dëshirë këtë punë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"