Rrezikon Gilberto, stafi shkund sulmuesit. Gjoka lojtarëve: Duhet të dilni shpejt para
Gilberto Fortunato, i cili u dëmtua në ndeshjen ndaj Partizanit në kryeqytetet, rrezikon të mungojë në takimin e ardhshëm ndaj Skënderbeut. Fillimisht u mendua se sulmuesi brazilian pati një dëmtim të lehtë, por duke qenë se vijon të ketë probleme, të gjitha gjasat janë që të mos jetë i gatshëm në sfidën ndaj korçarëve, e cila do të luhet javën e ardhshme në Vlorë. Burime pranë stafit mjekësor të Flamurtarit konfirmojnë për “Panorama Sport” se lojtari kishte një kontraktim te muskujt e shpejtësisë dhe, për këtë arsye, ishte i detyrueshëm zëvendësimi i tij në ndeshjen me “demat e kuq”. Gjithashtu, po të njëjtat burime kanë bërë të ditur se ai ka ndjerë sërish dhembje dhe kontraktim në muskuj, çka do të bëjë që sulmuesi të stërvitet i diferencuar. Ndërkohë, gjatë këtyre dy ditëve, atij do t’i kryhen kontrollet e nevojshme, me qëllim që të arrihet në një konkluzion përfundimtar. Për momentin, mbetet ende e paqartë nëse Fortunato do të jetë apo jo i gatshëm, por shpresohet se ndërprerja e kampionatit do të shërbejë edhe për rikuperimin e lojtarit. Nëse Fortunato nuk do të jetë i gatshëm, atëherë me shumë mundësi në sulm do të aktivizohet dyshja Gelashvili- Abilaliaj. Ndërkohë që për takimin me Skënderbeun pritet të rikthehet Gilman Lika, i cili gjatë kësaj jave do t’i bashkohet grupit.
Analiza Flamurtari ka zhvilluar dje pasdite një analizë të shkurtër të ndeshjes së fundit të luajtur ndaj Partizanit. Trajneri Ernest Gjoka e ka vendosur theksin te rastet e shpërdoruara në këtë takim, si dhe i ka këshilluar lojtarët të arrijnë ta menaxhojnë më mirë lojën, por njëkohësisht edhe të dalin sa më shpejt në sulm. “I kemi të gjitha mundësitë që të arrijmë një rezultat pozitiv në takimin e ardhshëm ndaj Skënderbeut. Kemi kohë të mjaftueshme në dispozicion për t’u përgatitur dhe nuk duhet të diskutojmë asnjë rezultat tjetër në këtë ndeshje veç fitores. E di që jeni në presion, pasi sytë i kanë të gjithë te ne dhe presin shumë, por duhet të jeni të qetë për ta bërë sa më mirë punën. Kjo, pasi ne jemi profesionistë dhe na duhet të bëjmë detyrën tonë ashtu siç na takon”, mësohet se u ka thënë Gjoka lojtarëve. Duket se sulmi nuk është në nivelet e kërkuara. Prandaj në analizë një nga pikat e diskutuara kanë qenë dhe golat e shënuar në këto shtatë javë, ku nga tetë gola të realizuar, 5 prej tyre mbajnë firmën e sulmuesve dhe tre të mesfushorëve. Kështu, Gilberto dhe Gelashvili kanë shënuar nga dy gola, ndërsa Abilaliaj një. Ndërsa nga mesfushorët dy i ka realizuar Muzaka dhe një Telushi.
ERMAL SIKA