Rumunët bëjnë festë në Vlorë. Ëndrra e kuqezinjve për përmbysjen zgjati 1 minutë
Flamurtari dështon edhe në ndeshjen e dytë në Vlorë kundër Petrolul Ploeshtit dhe i thotë lamtumirë Ligës së Europës. Shpresat e kuqezinjve për përmbysjen e madhe pas asaj humbjeje 2- 0 në ndeshjen e parë, kanë zgjatur vetëm 1 minutë në takimin e kthimit në Vlorë. Goli i Nijaz Lenës krijoi iluzionin se Flamurtari do të bënte mrekullinë, por nuk kaluan as 60 sekonda dhe portugezi i Petrolulit, Filipe Teikseira, shoi shpresat vlonjate, duke barazuar dhe “vrarë” takimin në fundin e pjesës së parë. Ka qenë një lojë bindëse e Flamurtarit në 45 minutat e para, por që gjithsesi rezultati i takimit në Rumani, ndikoi jo pak në anën psikologjike të lojtarëve. Në pjesën e dytë, edhe pse vlonjatët i patën rastet për shënim, bënë “fotokopje” të ndeshjes së parë në Ploesht, ku në 15 minutat e fundit u dorëzuan totalisht. Edhe këtë herë kuqezinjtë pësuan dy gola në fund për gabime foshnjarake në repartin mbrojtës. Një mbyllje jo e mirë e aventurës europiane, për më tepër që tifozët vlonjatë prisnin të paktën një rezultat pozitiv në takimin e kthimit. Petroluli, i udhëhequr nga kapiteni Mutu, nisur edhe nga garancia që i jepte rezultati (2- 0 në takimin e parë), luajti thjesht dhe mori atë që donte në Vlorë. Dy mungesat e mëdha që kishte Flamurtari, atë të kapitenit Franc Veliu dhe sulmuesit kryesor, Arbër Abilaliaj, bënë efektin e tyre negativ te kuqezinjtë. Sulmi vlonjat, me Shehajn të vetëm në majë, krijoi disa raste për shënim, por konkretizimi nuk ishte në nivelin që pritej. Në këto kushte, në fund diferencën e bënë rumunët dhe qetësia e tyre përpara portës.
Pjesa e parë
Pa Veliun në mbrojtje dhe pa Abilaliajn në majën e sulmit, Flamurtari ia del të imponojë në lojën e tij që në startin e takimit. Trajneri Gjoka i kishte besuar një vend në qendër të mbrojtjes brazilianit Dagllas Dos Santos, i cili debutoi me fanellën kuqezi, ndërsa në sulm ishte vendosur si titullar Ardit Shehaj. Minutat e para sjellin një lojë të ekuilibruar, edhe pse vlonjatët janë më kërkues. Flamurtari ka shansin të shënojë golin e parë pas vetëm tetë minutash lojë. Shehaj nuhat bukur një mbajtje të tepruar të topit nga ana e portierit Peçanha dhe pasi ia rrëmben, pason për Telushin, por goditja e mesfushorit brenda zone përfundon mbi traun e portës. Loja bëhet e bukur dhe me raste për të dyja skuadrat. Zeqiri, Lena dhe Telushi bëjnë diferencën në mesfushë, ndërsa rumunët më shumë preferojnë kundërsulmet. Hapësirat e lëna nga vlonjatët shfrytëzohen mirë nga Teikseira, Nepomuçeno dhe Tamuz, të cilët kanë raste shënimi, por që nuk janë të saktë përballë Ilion Likës. Me kalimin e minutave Flamurtari shton presionin dhe pas goditjeve të Micit, Kuqit dhe Telushit, më në fund shpërblehet. Është ky i fundit që jep një asist mjeshtëror për Lenën, i cili devijon bukur topin me kokë brenda zonës dhe kalon në avantazh Flamurtarin. Mirëpo më pas ndodh ajo që nuk pritej. Kur nuk kishin kaluar as 60 sekonda, festa e vlonjatëve dhe besimi te një përmbysje merr fund pas golit të Teksierës. Një rreshtim i gabuar në mbrojtje dënon kuqezinjtë që shokohen dhe nuk arrijnë të marrin më veten.
Pjesa e dytë
Të dy trajnerët, Gjoka e Luçesku, preferojnë t’u besojnë të njëjtëve lojtarë në fillimin e pjesës së dytë. Ndryshe nga starti i takimit, ky fraksion është ndryshe. Flamurtari nuk ka më atë rrezikshmëri, ndërsa edhe rumunët duket sikur janë të kënaqur me rezultatin. Për të ndryshuar rrjedhën e takimit mendon Muzaka, i cili bëhet rreziku numër një për rumunët pas minutës së 60-të. Mesfushori shtyn drejt sulmit Flamurtarin, por që gjithsesi veprimet e tij nuk sjellin rezultatin e kërkuar. Në një moment është Lena, që nuk arrin të shfrytëzojë daljen e gabuar të portierit rumun, teksa i vetëm në zonë shpërdoron. Gjoka bën zëvendësimin e parë dhe fut në fushë Gërxhon për Telushin e dëmtuar. Më pas aktivizohet edhe Liçaj, për t’i dhënë freski sulmit. Gjithsesi, fieraku i sapofutur bëhet protagonist i një gafe, pasi De Lukas i rrëmben topin dhe përballë Likës shënon golin e dytë për Petrolulin. Vlonjatët dorëzohen totalisht dhe kur loja e rregullt po shkonte drejt fundit, ndëshkohen sërish, teksa këtë herë shënon Priso, i futur si zëvendësues. Minutat shtesë nuk sjellin asnjë ndryshim në rezultat dhe rumunët festojnë kualifikimin pas fitores 3-1 në Vlorë dhe asaj 2-0 në takimin e parë në fushën e tyre.
Flamurtari – Petrolul P. 1-3
Goli: Lena 37′, Mici 67′ / Tekseira 39′, De Lukas 84′, Priso 90′
Formacionet
Flamurtari: I.Lika, Dagllas, Mici, Lena, Arbëri, Muzaka (Meto 86′), Telushi (Gërxho 62′), Kuqi, G.Lika, Zeqiri, Shehaj (Liçaj 67′). Trajner: Ernest Gjoka
Petrolul P.: Peçana, Alçenat, G.Alves, Gerson, Fançone (Beta 77′), Nepomuçeno (Priso 59′), Hoban, F.Teksera, De Lukas, Mutu, Tamuz (Albin 72′). Trajner: R.Luçesku
Gjyqtarë: Ján Valášek , Tomáš Vorel, Peter Chladek (SVK)
Karton të verdhë: Zeqiri 48′ / Nepomuçeno 59′
Minutat
9’ Bruno Telushi kur i ka të gjitha mundësitë për të dërguar topin në rrjetë në hyrje të zonës nuk vepron saktë dhe gjuan vetëm mbi traun e portës.
10’ Kundërsulm i rumunëve, top në zonë te Mutu, i cili gjuan me kokë, por jashtë.
21’ Fançone brenda zones, përball Ilion Likës humbet njërast të pastër për të kaluar në avantazh.
25’ Muzaka jep një asist për Shehajn, i cili vepron gabim duke humbur njërast të pastër për gol.
27’ Kuqi në hyrje të zonës gjuan, por nuk arrin ta kalojë topin në rrjetë.
31’ Ekezekuton mjeshtërisht një goditje dënimi Telushi, por mbi kuadrat.
36’ Gledi Mici gjuan me të majtën nga jashtë zonës dhe topi kalon ngjitur me shtyllën e djathtë të portës së Petrolul.
37’ Furia e sulmeve të Flamurtarit ndalen në aksionin e Telushit që harkon në zonë për Nijas Lenën, i cili me kokë e dërgon topin në rrjetë, 1-0!
39’ Mutu në hyrje të zonës pason për Tekseiran dhe gol! Barazohen shifrat, 1-1!
61’ Zeqiri ekzekuton goditje dënimi, në zonë ndodhet Muzaka, i cili gjuan, por nuk arrin të shënojë.
73’ Muzaka i afrohet portës, gjuan, por largon për një moment portieri. Topi shkon te Lena, i cili gjuan, por nuk gjen dot rrjetën.
76’ Lena në brëndësi të zonës, pason në ajër për Liccajn, i cili tenton roveshatën, por nuk e dërgon dot topin atje ku duhet.
79’ Gilman Lika nga e majta e sulmit vlonjat, gjuan, por jashtë
80′ Mutu përball Ilion Likës, gjuan, por devijon “gardiani”.
84’ Kalojnë në avantazh rumunët, De Lukas ndëshkon në fund vlonjatët, 1-2!
90’ Felipe Tekseira assist për Priso, gjuan dhe gol, 1-3!
Gjoka: Duhet mentalitet tjetër
Ernest Gjoka ka dek laruar pas ndeshjes se Flamurtari i tij, por në përgjithësi pjesa dërrmuese e skuadrave shqiptare, duhet të ndryshojnë mentalitet. Sipas tij, pesë gola të pësuar në këto dy ndeshje nuk kanë treguar realitetin e përballjeve mes vlonjatëve dhe Petrolulit, sepse diferencat në lojë nuk ishin aq të mëdha, u shpreh Gjoka në “Supersport”.
Gjoka, çfarë ndodhi në minutat e fundit, pasi u pa një skuadër krejt tjetër deri në minutën e 80-të?
Mendoj se gabuam te goli i dytë dhe i tretë. I bëmë thirrje skuadrës që të ruante qetësinë dhe të mos zhbalancohej, por gabuam.
Si do ta vlerësonit paraqitjen e skuadrës suaj në këto dy ndeshje?
Mendoj se në tërësi luajtëm mirë. Në pjesën dërrmuese të kohës skuadra luajti mirë teknikisht dhe taktikisht. Sigurisht që bëmë disa gabime të cilat na kushtuan shtrenjtë, por në tërësi jam i kënaqur për impenjimin dhe sakrificën e lojtarëve.
Pesë gola të pësuar në dy ndeshje… Çfarë nuk shkon?
Nuk mendoj se pesë golat e pësuar në këto dy ndeshje janë treguesi real i nivelit të skuadrave. Të gjithë e pamë në fushë se nuk kishte diferenca kaq të mëdha mes Flamurtarit dhe Petrolulit. Për të bërë një vlerësim real duhet më parë të shohësh ndeshjet, pastaj të japësh një mendim.
Çfarë duhet të ndryshojë Flamurtari në të ardhmen?
Mendoj se Flamurtari deri tani ka ecur përgjithësisht mirë. Sigurisht, të gjithë dëshirojnë të shkojnë sa më larg, por duhet të shohim edhe kë kishim përballë. Gjithsesi, mendoj se së pari duhet të ndryshojë mentaliteti. Duhet të kemi më shumë besim ne shqiptarët në forcat tona dhe duhet të heqim sensin e inferioritetit karshi ekipeve të huaja. Kjo është një pengesë e madhe që shpeshherë na kufizon dhe na bënë të mos jemi vetvetja.
Vetëm kaq?
Sigurisht që na duhet edhe shumë punë për t’u përmirësuar. Na duhet realisht shumë punë që të korrigjojmë disa gjëra që nuk funksionojnë si duhet. Gjithnjë ka vend për përmirësim.
A do të ketë pasoja në merkato eliminimi?
Nuk e di. Mendoj se së pari duhet të kalojë këtë humbje, më pas të shohim. Do të bisedojmë me drejtuesit
Luçesku: Gjyqtari na mohoi një penallti të pastër
Trajneri i Petrolul Ploeshtit i ka bërë komplimente Flamurtarit për grintën në fushën e lojës dhe për cilësitë që ka shfaqur në dy ndeshjet ndaj rumunëve. Razvan Luçesku ka thënë se ekipi i tij nuk e diskutoi asnjëherë kualifikimin, porse ka mbetur i pakënaqur nga gjykimi dje, sepse sipas tij ishte një penallti e pastër në dëm të Teikserës në pjesën e parë. Ndeshja – “Mendoj se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Qëllimi ynë ishte që të realizonim të paktën një gol në Shqipëri, por ne në fakt e fituam ndeshjen. Mendoj se në tërësi kemi luajtur mirë në këto dy takime kundër Flamurtarit, me përjashtim të një pjese të parë të shëmtuar në Rumani. Po, e pranoj se atje luajtëm shumë dobët në 45 minutat e para. Më pas kemi qenë thuajse perfektë”, u shpreh Luçesku pas ndeshjes. Gjyqtari – Në pjesën e parë rumunët pretenduan për një penallti në dëm të Teikserës, por arbitri nuk e akordoi. “Ishte një penallti e pastër dhe mendoj se gjyqtari gaboi. Nuk mund të them se e bëri me qëllim, por gaboi, çka e nervozoi disi skuadrën. Janë situata që shërbejnë si katalizatorë për mirë dhe për keq. Kur e akordon penalltinë shënon dhe çlirohesh, por kur nuk e jep, atëherë nervozohesh dhe kjo ka pasoja në fushë”, tha trajneri i Petrolulit. Komplimentet – “Flamurtari është një ekip me shumë potencial. I konsoliduar dhe i organizuar mirë. Nuk ishte aspak e lehtë t’i mundje dhe unë sinqerisht u uroj atyre një sezon sa më të mbarë. Mendoj se kanë një grup cilësor lojtarësh, të cilët janë shumë luftarakë dhe të impenjuar”, deklaroi Luçesku.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"