Samba: Bylisi trampolinë, ta mbyllim me 3 fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2021 | 21:04

Samba: Bylisi trampolinë, ta mbyllim me 3 fitore

Moti i keq nuk i ka penguar balls hiotët të punojnë në kompleksin “Bylis”, fusha e të cilit është me bar artificial. Sfida e radhës në shtëpi me Tomorin ka marrë vlerësim maksimal. Trajneri Jeton Beqiri do ta ketë grupin e plotë për këtë sfidë, ndonëse nuk përjashtohet mundësia për të bërë lëvizje.

lionel samba

Synimi janë tri pikët e radhës në shtëpi dhe për këtë në seancat e fundit janë provuar shumë skema taktike. Trajneri ka vënë mbrojtjen kundër sulmit, teksa pritshmëritë janë shumë të mëdha nga Beji Antoni, i cili këtë sezon nuk ka dhënë atë që pritej nga të gjithë. Mbrojtja dhe sulmi konsiderohen reparte të konsoliduar dhe solide te Bylisi.

SAMBA- Lionel Samba është një nga mbrojtësit e Bylisit dhe ky është sezoni i tij i dytë në futbollin shqiptar. Ai ka ardhur në Ballsh kur ekipi konkurronte në Superiore dhe më pas është huazuar në Kategorinë e Parë në Cërrik për një fazë. Në verë u rikthye te Bylisi dhe po luan si titullar. Me një eksperiencë të mëparshme edhe në Bullgari me Spartak Varna, mbrojtësi e sheh Bylisin si një trampolinë të së ardhmes së tij.

“Jam i lumtur që po luaj këtë sezon me një ekip me pretendime. Bylisi është ekip me cilësi dhe kualitet, ka lojtarë shumë të mirë dhe jam krenar që jam pjesë e një ekipi me pretendime, për më tepër që këtë sezon synojmë të rikthehemi në elitë. Kampionati është i fortë dhe me cilësi. Këtë javë presim Tomorin në fushën tonë dhe synojmë vetëm fitoren e ndeshjes. Duam që deri në fund të vitit të mos humbasim asnjë takim.

“Trajneri dhe stafi janë duke bërë një punë mjaft të mirë, ndërsa unë kam besim se ne do të marrim pikët e plota në tri ndeshjet që kanë mbetur, atë përballë Tomorit, Butrintit e Besës në fund të fazës. Në Ballsh jemi shumë lojtarë të huaj, afrikanë, brazilianë e ballkanas. Të gjithë shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Atmosfera është festive edhe në qytet në vigjilje të këtij fundviti, ndaj edhe ne duam që t’u sjellim sadopak gëzim fansave tanë dhe klubit”, tha për “Panorama Sport” franko-kongolezi, Lionel Samba

ERION SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"