Seleksionime tek Apolonia, pak lojtarë bindën gjatë fazës përgatitore në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2024 | 15:02

Seleksionime tek Apolonia, pak lojtarë bindën gjatë fazës përgatitore në Korçë

Me zhvillimin e minifazës përgatitore në Korçë, Apolonia u kthye në një kantier të vërtetë, ku u stërvitën çdo ditë një numër i madh lojtarësh. Kuptohet që jo të gjithë do të qëndrojnë në ekipin e parë.

apolonia stervitje

Një pjesë e këtij grupi të madh janë lojtarë të konfirmuar nga sezoni i kaluar, ndërsa të tjerët, relativisht më të rinj në moshë, u testuan nga stafi për një periudhë dyjavore. Deri më 22 korrik, kur skuadra pritet të rikthehet për vazhdimin e fazës përgatitore, drejtuesit do të kenë vendosur përfundimisht për seleksionimin e më të mirëve. Pretendimet e Apolonisë për sezonin e ri janë madhore, ndaj trajneri Artan Mërgjyshi dhe ndihmësit e tij duhet të binden plotësisht para se të japin miratimin për lojtarët që kanë qenë në provë.

“Panorama Sport” mëson se pak elementë kanë dhënë sinjale pozitive, kështu që shumica e atyre që u testuan do të kenë mundësi aktivizimi vetëm tek Apolonia U-21 dhe U-19. Shumë prej tyre janë të huaj dhe klubi do të tregohet i kujdesshëm, duke ditur limitin e të huajve që mund të aktivizohen njëkohësisht në formacion. Për më tepër, nga skuadra e sezonit të fundit janë tre titullarë të huaj, qendërmbrojtësi Ndubuisi, mesfushori Jasin dhe qendërsulmuesi Umejiego, ndërkohë që edhe katër të huaj të tjerë kanë rinovuar kontratat e tyre dhe rrjedhimisht janë konfirmuar për sezonin e ri.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"