Serxhio Emini: Dua të shkëlqej në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2024 | 0:06

Serxhio Emini: Dua të shkëlqej në Superiore

Bylisi, në prag të startit të përgatitores, e ka kthyer vëmendjen nga infrastruktura, teksa impianti i “Adush Muçajt”, por edhe fusha që është ngjitur, të dyja me bar natyral janë bërë gati.

Emini5

Ndërkohë, edhe ajo me bar artificial në qendër të qytetit si dhe mjediset e kompleksit, ku do të stërvitet skuadra e parë, apo dhe moshat janë bërë gati nga ana e klubit mallakastriot, në prag të startit të përgatitjeve për sezonin i futbollistik. Bylisi e ka të kaluar klasën edhe për stadiumin dhe ambientet, apo dhe pozicionimin e “VAR-it”, për faktin se ballshiotët kanë qenë në Superiore vitet e fundit, e madje i plotësuan kushtet edhe dy vite më parë.

Tashmë, në Ballsh po punojnë në ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri, konkretisht vendosjen e trajnerit të ri dhe ndërtimit të kontingjentit që do t’i përfaqësojë në elitë. Me shumë gjasa, disa nga enigmat e sezonit të ri futbollistik, për mallakastriotët do të zbardhen javën e ardhshme. Ku sipas të gjitha gjasave pritet që të organizohet skuadra për sezonin e ri. Madje, të prezantohen edhe afrimet e para nga merkatos e verës, duke qenë se në Ballsh me mbarimin e sezonit të shkuar ka pasur largime, pjesa dërrmuese lojtarë të cilët kanë përfunduar kontratën.

Sulmuesi Serxhio Emini, i cili luajti në 23 sfida duke realizuar edhe 6-gola për Bylisin, ka folur për “Panorama Sport”. “Aktualisht po kryej stërvitje individuale në qytetin tim të Sarandës, ku paradite me vrapime aerobike anës detit kurse në pasdite me ushtrime me topin, së bashku edhe me shok nga ekipi i Butrintit. Besoj se javën që vjen do të jem në Ballsh dhe dua që faza përgatitore të më gjejë në formë. Sezonin e shkuar kam luajtur në shumë sfida, madje duke shënuar edhe 6-gola.

Dua që në Superiore të bëjë më të mirën dhe të marr më shumë minuta. Kam qenë pjesë e Bylisit të Superiores edhe në dy pjesëmarrje të tjera, por kam qenë më i ri në moshë dhe pa eksperiencën e duhur. Me formën e treguar vjet dhe me punën që do të bëjë në fazën përgatitore, synoj që të luaj sa më shumë në Superiore këtë sezon dhe pse jo të shënoj gola për Bylisin e elitës. Do të jetë një kampionat i vështirë dhe do të gjej konkurrencë të madhe në ekip, por besoj se do t’ia dal, kam besim se ky do të jetë sezoni im”, tha sulmuesi Serxhio Emini i Bylisit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"