“Sezoni i ri, radha e Lushnjës për Superioren”, Canka nuk ndalet: Luaj deri kur të më lënë fuqitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2024 | 16:30

“Sezoni i ri, radha e Lushnjës për Superioren”, Canka nuk ndalet: Luaj deri kur të më lënë fuqitë

Lushnja e nisi sezonin 2023-2024 me ambicie të mëdha, por përfundoi në “play out” duke e siguruar mbijetesën në ndeshjen shtesë me Ilirinë, që e fituan në shifrat 2-0. Mikel Canka është golashënuesi më i mirë i Lushnjës për dy sezone radhazi.

Mikel Canka, kapiteni i Lushnjës 12

Kapiteni simbol i verdhejeshilëve shënoi 14 gola në sezonin 2022-2023 dhe 9 gola në edicionin që sapo u mbyll. Është 37 vjeç, por mosha nuk e pengoi të shënonte një dygolësh edhe për ditëlindje. Dëmtimi i gjatë e pengoi jo pak në sezonin e fundit. Gjithsesi, ai do të vijojë të luajë duke shpresuar që Lushnja t’i rikthehet pretendimeve për Superioren.

Ndoshta nuk ishte sezoni i duhur, por fundi ishte i lumtur për të gjithë. Si ishte Lushnja e këtij edicioni?

Nuk e meritonim të ndodheshim në ato situata, por gjithsesi ia dolëm.

Nuk luajtët shumë, por shënuat më shumë nga të gjithë. Si është të jesh shënuesi më i mirë i ekipit në moshën 37-vjeçare?

Fati im i keq që u dëmtova në fillim të sezonit. Kjo më bëri të humbja shumë ndeshje dhe nuk munda të ndihmoj sa duhet ekipin. Unë jam mësuar të shënoj dhe të jem golashënuesi i skuadrës. Më vjen mirë, që jam një pikë referimi për ekipin tim, pasi e dinë që kanë një siguri në repartin e sulmit.

A keni një mesazh për të rinjtë?

Të rinjtë duhet të përkushtohen dhe të ëndërrojnë të bëhen futbollistë të mëdhenj. Në qytetin tonë, fatmirësisht, kushtet janë më të mira, krahasuar me vitet e shkuara. Janë ndërtuar fusha, kanë trajnerë që i mësojnë mjaft mirë. Për një të ardhme më të mirë dhe për ëndrrat e tyre, ata duhet të punojnë fort.

A do të vazhdojë të luajë Mikel Canka?

Sigurisht, që po. Canka do të ndalet së luajturi kur ta lënë fuqitë. Nëse ndjehem kështu si tani, do të jem aktiv për të ndihmuar këtë skuadër.

Si e përfytyroni Lushnjën e edicionit të ri?

Shpresoj që të jetë radha e Lushnjës. Të jetë pretendente kryesore, për ngjitjen në Superiore. Ata njerëz që na mbështetën dy vite për të mos rënien nga Kategoria e Parë, të gëzojnë për ngjitjen në Superiore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"