Sezoni turistik në Vlorë lë jabanxhinjtë pa shtëpi. Trajneri Agostineli e nis me humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2024 | 12:15

Sezoni turistik në Vlorë lë jabanxhinjtë pa shtëpi. Trajneri Agostineli e nis me humbje

E çuditshme, por e vërtetë. Sezoni turistik largon nga shtëpia Flamurtarin. Nuk ka shtëpi me qira dhe hotele ku të akomodohen futbollistët jabanxhinj, të cilët vijnë nga rrethet, apo edhe lojtarët e huaj. Kjo vlen edhe për trajnerin Andrea Agostineli, si dhe për përgatitësin atletik, Dario Leva.

STERVITJE FLAMURTARI

Duke qenë se Vlora është në kulmin e sezonit turistik, kjo ka bërë që shtëpitë dhe hotelet të jenë plot në këtë periudhë. Klubi i ka akomoduar futbollistët në një nga zonat e shtrenjta dhe shumë të frekuentuara nga turistët, përgjithësisht të huaj, në “Lungomare”. Në këtë sezon, qiraja ditore në apartamente e kësaj zone ku akomodohen lojtarët e Flamurtarit, variojnë nga 70 në 120 euro. Gjithsesi, problemi nuk është këtu. “Panorama Sport” zbulon se pronarët e shtëpive kanë kërkuar mirëkuptimin e klubit për t’i lënë me qira për pushuesit shtëpitë e tyre gjatë kësaj vere.

Në këto kushte, Flamurtari “internohet” në Pogradec dhe Ohër. Mësohet, se skuadra do të qëndrojë fillimisht 12 ditë në Pogradec. Më pas do të rikthehen 3 ditë në Vlorë. Më tej do të udhëtojnë sërish drejt Pogradecit dhe Ohrit për pjesën e mbetur të fazës përgatitore për sezonin e ri. Klubi ka llogaritur 1 muaj fazë përgatitore me ngarkesë të plotë jashtë Vlorës.

TESTI I PARË – Flamurtari vijon punën me ritme të lartë gjatë ditëve të para të fazës përgatitore në Pogradec. Veç stërvitjeve, janë planifikuar edhe disa ndeshje miqësore. Vlonjatët shënuan humbje në miqësoren e parë të luajtur me skuadrën e Ohrid Likhnidos. Ndeshja u mbyll me rezultatin minimal 1-0 dhe me humbjen e kuqezinjve. Goli i vetëm i takimit i shënuar nga Ohrid kishte për autor Samed Kadrioski.

Edhe pse ka pak orën në krye të vlonjatëve, trajneri Agostineli e ka nisur me humbje aventurën me Flamurtarin. Gjithsesi, ky ishte një test i vlefshëm për trajnerin italian, që pati mundësi të shikonte gjendjen e lojtarëve. Ky test i parë ka kaluar në heshtje nga ana e klubit, pasi nuk është dhënë asnjë informacion në lidhje me këtë takim. Kjo mbase vjen edhe rezultati, ku dolën të mundur. Duke qenë se skuadra është relativisht e re dhe me trajner të ri, i duhet pak kohë për t’u përshtatur me njëri-tjetrin.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"