Sfida brenda familjes, Branica: E mund babanë
Lushnjarët luajtën të martën ndaj Elbasanit në transfertë dhe fituan bujshëm 4-1, por kanë shumë pak kohë për të përgatitur ndeshjen ndaj Shkumbinit. Gjithsesi, skuadra e teknikut Artan Bano është e motivuar për fitoren e radhës, duke synuar të marrin trepikëshin dhe të thellojnë diferencën me ndjekësit në tabelën e renditjes.
“Është e kuptueshme që në fushën tonë në nuk do të falim askënd. Vetëm dukë marrë tri pikë do të jemi të qetë në vendin e parë. Shkumbini është një skuadër që mundohet të rezistojë në transfertë, por ne jemi të bindur për ta mposhtur. Alternativa jonë e vetme janë tri pikët”, është shprehur peqinasi i verdhejeshilëve, Klejdis Branica.
Veçantia
Për futbollistin 24-vjeçar, kjo ndeshje është shumë e veçantë, pasi Shkumbini drejtohet nga babai i tij, trajneri i mirënjohur, Sokol Branica. “Për mua është shumë e veçantë dhe të jep shumë kënaqësi. Dy sezone më parë kam shënuar ndaj Shkumbinit, kur luaja këtu në Lushnjë, po kështu edhe në miqësoren e përgatitjeve të verës.
Babai shkon të drejtojë skuadrën e qytetit, ndërsa unë udhëtoj drejt Lushnjës për stërvitje. Është diçka që të jep shumë emocione. Kam besim se sërish do të dal i fituar”, ka vazhduar lojtari, i cili do të ketë vërtet një takim delikat në planin emocional.
Në fund të prononcimit të tij, lojtari flet edhe për objektivin e Lushnjës në këtë sezon futbollistik. “Kam shumë besim se Lushnja këtë edicion do ta arrijë objektivin që e ka kërkuar dhe ëndërruar prej disa vitesh. Është një fillim i mbarë dhe duke vijuar me këtë ritëm do t’i afrohemi gjithnjë e më shumë suksesit”, ka mbyllur Branica.
ALBAN ALUSHI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"