Shënoi golin e barazimit me Torpedon, Haxhiu: Jemi vetëm një muaj ekip, besuam se do t’i ndëshkonim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2024 | 14:10

Shënoi golin e barazimit me Torpedon, Haxhiu: Jemi vetëm një muaj ekip, besuam se do t’i ndëshkonim

Rimal Haxhiu ishte lojtari që i dha barazimin Tiranës në transfertën e djeshme në Gjeorgji.
haxhiuNdaj Torpedos, lojtari i krahut që përveçse zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, duke qenë rreziku konstant për ta, arriti të shënojë edhe një gol shumë të bukur në minutat e fundit. Pas ndeshjes, Rimal Haxhiu tregon pse Tirana e nisi me aq vështirësi takimin, si është dukur në sytë e tij ky ekip i ri dhe gjithashtu flet edhe për shanset që kanë bardheblutë sa i përket kualifikimit për në turin tjetër të Ligës së Konferencës.

Çfarë ndodhi në fillim, pse ajo vështirësi dhe ajo pjesë e dytë shumë e mirë?

Nuk besoj se ishte presion. Besoj se duke qenë se jemi një ekip i ri, ndeshja e parë zyrtare, kishim edhe atë periudhën për të njohur veten tonë. Minutat e para ndodhi që zbritëm pak poshtë dhe pastaj me kalimin e minutave krijuam besim dhe pamë që mund t’i ndëshkonim dhe fatmirësisht ndodhi që barazuam.

Si t’u duk ekipi që është krejtësisht i formatuar?

Ne kemi vetëm një muaj që njihemi me njëri-tjetrin dhe dita-ditës po afrohemi dhe po e kuptojmë më mirë se çfarë cilësish kemi. Besoj se në vazhdim do të bëjmë edhe më mirë.

Sa shanse ka Tirana për t’u kualifikuar?

Nuk mund të them sa janë shanset për të kualifikuar, por kemi avantazhin se luajmë ndeshjen e kthimit në shtëpi dhe do të kemi tifozët afër që na japin mbështetje shumë të madhe. Kemi edhe disa ditë për ta rishikuar edhe njëherë ndeshjen, për ta vlerësuar dhe besoj që do të bëjmë mirë. E rëndësishme është që ne të bëjmë punën tonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"