Sherr masiv në Gjirokastër, policia mbyll Teutën në dhomat e zhveshjes
Minutat e fundit të lojës kanë qenë shumë të tensionuara në Gjirokastër. Pasi ishin duke përfunduar pesë minutat shtesë të akorduara, tifozët dhe futbollistët e Luftëtarit nisën të kontestojnë gjykimin. Pikërisht një goditje dënimi solli edhe golin e barazimit, disa sekonda pasi kishte përfunduar edhe koha e akorduar. Duke i shtuar faktin që pretenduan për një prekje të topit me dorë nga lojtarët e ekipit kundërshtar, vendësit nisën të kontestojnë ashpër gjyqtarin kryesor Laver Alla.
I ashpër ishte edhe reagimi i mbështetësve në shkallët e stadiumit që u përkeqësua më tepër prej festimeve të lojtarëve durrsakë në afërsi të tribunës. Kjo shkaktoi një sherr mes lojtarëve, ku tifozët po hidhnin shishe dhe sende në drejtim të fushës, ndërkohë që trajneri Magani dhe ndihmësi i tij Dervishi u kundërpërgjigjën.
Nga ana tjetër, sulmuesi Magani pati një zënkë të ashpër me një lojtar të Luftëtarit, duke detyruar që të ndërhyjnë forcat e policisë dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e situatës. Skuadra mike u mbajt në dhomat e zhveshjes për më shumë se 30 minuta nga forcat e rendit, derisa të zbrazej i gjithë impianti prej të pranishmëve.
Ndërkohë që nga dera kryesore pritej të dilte ekipi durrsak, policia u mundua të evitojë edhe një përleshje jashtë stadiumit, duke i nxjerrë futbollistët dhe stafin teknik të Teutës nga një derë “sekrete”. Një tension i panevojshëm në fund të sfidës, që buroi nga pretendimet për vendimet e arbitrave, por që në fund skuadrat ndanë nga një pikë me njëra-tjetrën.
TOMOR SHEHU
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"