“Shfryhet” Tirana, dopieta e Cikalleshit nderon Kukësin. Magani: Ndëshkuam veten
TIRANA-KUKËSI 1-2
GOLAT: Taku 54’/ Cikalleshi 50′, 77′
TIRANA: Lika, Sina (Koreshi 46′), Pashaj, Muça, Kalari (Çota 79′), Taku, Karabeci, Kërçiku (Deliç 61′), Ndikumana, Morina, Gilberto; Trajner: G.Magani.
KUKËSI: Halili, Brahja, Malota, Boja, Smajli, Progni, Hallaçi, Hoxha, Uçe, Izuçuku, Cikalleshi; Trajner: S.Starova.
KARTONË TË VERDHË: Ndikumana 37′, Koreshi 67′
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
VËZHGUES: Astrit Canaj (Durrës)
GJYQTARET: L.Jemini, E.Doda, D.Agaraj (Tiranë)
MINUTAT
6′ Goditje dënimi, Kalari kroson në zonë, Gilberto me kokë, por Halili pret.
12′ Morina merr bukur topin, kroson për Ndikumanën, sulmuesi gjuan, por nuk gjen kuadratin.
18′ Cikalleshi rrezikon nga distanca, Lika pret, edhe pse me vështirësi.
20′ Goditje dënimi, Karabeci gjuan fort, por gjen rezistencë nga Halili, që pret.
21′ Kundërsulm i shpejtë për Kukësin, Boja kombinohet me Hoxhën, gjuan, por topi përplaset te Muça, i cili e largon rrezikun.
27′ Aksion perfekt i Tiranës, Morina pason te Gilberto, ky i fundit kthen te Ndikumana, sulmuesi godet keq duke e çuar topin shumë mbi tra.
38′ Hoxha tenton nga distanca, grushton Lika.
41′ Morina-Ndikumana-Gilberto kombinohen mes tyre, por braziliani nuk gjen kuadratin.
44′ Ndikumana provon nga 40 metra, por topi përfundon jashtë kuadratit. 50′ Goditje dënimi për Kukësin, Hallaçi kroson në zonë, Lika bën dalje të gabuar dhe Cikalleshi i pamarkuar godet me kokë dhe shënon, 0-1.
52′ Morina pason te Gilberto, braziliani kombinohet me Ndikumanën, provon me një gjuajtje potente, por topi prek vetëm rrjetën e jashtme.
54′ Kalari kroson për Takun, i cili gjuan fluturimthi nga brenda zone, që e dërgon në këndore dhe barazon, 1-1.
63′ Goditje dënimi e Kalarit, Pashaj gjuan me kokë, por nuk gjen dot portën.
71′ Morina pason për Takun, i cili godet nga jashtë zone, por vetëm jashtë.
77′ Kros për Cikalleshin, i cili gjuan direkt nga jashtë zone dhe e dërgon topin në rrjetë dhe 1-2.
85′ Progni gjuan nga distanca, por nuk e gjen kuadratin.
93′ Lika gjuan topin nga mesfusha, Karabeci kroson te Morina, i cili tenton të gjejë portën me roveshatë, por Halili pret.
Kukësi thyen Tiranën 1-2 në “Qemal Stafa”. Veriorët u shkaktojnë humbjen e parë kryeqytetasve, pas 7 javësh me rezultate pozitive. Dopieta e Cikalleshit ka vulosur gjithçka, duke zhvlerësuar kështu edhe golin e Takut. Ekipi i Maganit, edhe pse ruan vendin e tetë, me këto tri pikë të humbura ndien ende rrezikun e rënies. Sakaq, Kukësi me fitoren e marrë i është afruar sërish zonës “Euro”. Loja kishte volum, megjithatë nuk dhuroi spektakël. Më së shumti skuadrat u munduan të përfitonin nga gabimet e njëra-tjetrës dhe në këtë pikë ishin veriorët fitues, pasi shfrytëzuan dy gabimet e portierit Lika.
Pjesa e parë Pjesa e parë nis e qetë dhe me raste sporadike. Madje, edhe ato mundësi që ekipet kishin, më shumti vinin nga goditje standarde. Sinjali i parë vjen nga vendësit, teksa në të 6-ën minutë Kalari kroson në zonë, Gilberto me kokë, por Halili pret. Kryeqytetasit mundohen të fitojnë terren dhe në minutën e 12-të kanë një tjetër shans. Morina merr bukur topin, kroson për Ndikumanën, sulmuesi gjuan, por nuk gjen kuadratin. Reagimi i miqve vjen në të 18-ën minutë, teksa Cikalleshi rrezikon nga distanca, Lika pret edhe pse me vështirësi. Në të 20-ën minutë ka goditje dënimi për Tiranën, Karabeci gjuan fort, por gjen rezistencë nga Halili, që pret. Kundërsulm i shpejtë për Kukësin, Boja kombinohet me Hoxhën, gjuan, por topi përplaset te Muça, i cili largon rrezikun. Bardheblutë kishin rastin e artë të kalonin në avantazh në të 27-ën minutë, pas një aksioni perfekt: Morina pason te Gilberto, ky i fundit kthen te Ndikumana, sulmuesi godet keq duke e çuar topin shumë mbi tra. Provon edhe Kukësi nga distanca me anë të Hoxhës, por pa rezultat. Rastet nuk mungojnë deri në fund, por ky 45 minutësh mbyllet pa gola.
Pjesa e dytë Ky fraksion nis ndryshe, me një Kukës më agresiv. Në të 50- ën minutë ka goditje dënimi për Kukësin, Hallaçi kroson në zonë, Lika bën dalje të gabuar dhe Cikalleshi i pamarkuar godet me kokë dhe shënon, 0- 1. Goli nuk i pezmaton vendësit, të cilët vihen shpejt në kërkim të barazimit. Festa për Kukësin zgjat pak, pasi në të 54-ën minutë vjen edhe goli. Kalari kroson nga e majta për Takun, i cili gjuan fluturimthi nga brenda zone, që e dërgon në këndore dhe barazon, 1-1. Minutat pasuese shtojnë sulmet, por edhe presionin. Në të 71-ën minutë ka një tjetër rast, teksa Morina pason për Takun, i cili godet nga jashtë zone, por vetëm jashtë. Megjithatë, atë që s’e bën Tirana, e bëjnë kuksianët. Në të 77- ën minutë Cikalleshi çon peshë stadiumin. Kros në zonë, sulmuesi nuk gjen rezistencë nga mbrojtja dhe portieri i Tiranës lëshon një predhë nga jashtë zone dhe e dërgon topin në rrjetë dhe 1-2. Ky gol shokon vendësit, të cilët për minuta me radhë shtojnë gabimet dhe e kanë vështirë të dalin në sulm. Loja mbyllet në të 93-ën minutë me një tentativë të fundit të Tiranës, teksa Lika shkon deri në mesfushë, korson te Karabeci, ky i fundit te Morina, sulmuesi tenton të gjejë portën me roveshatë, por Halili pret. Cikalleshi ndal hapin e ish-skuadrës së tij, duke i shkaktuar një humbje, e cila rëndon jo pak, sidomos para derbit.
“E kishin mendjen te derbi, ndëshkuam veten”
Gugash Magani ka mbetur i zhgënjyer, pasi dje ka provuar humbjen e parë për 2014-ën. Sipas tij, skuadra ndëshkoi veten dhe kjo rëndon më shumë. “Humbja është pjesë e lojës. Mirëpo, mënyra sesi erdhi kjo humbje sot, më prek shumë. Në qoftë se do të vinte kjo humbje nga merita e kundërshtarit dhe jo nga faji ynë, atëherë do ta pranoja. Por, ne nuk dhamë gjithçka për të marrë fitoren dhe në krahasim me kundërshtarin nuk i ruajtëm si duhet ekuilibrat në fushë. Unë mund të them që çdo lojtar duhet t’i menaxhojë mirë energjitë e veta. Në të gjitha ndeshjet kemi qenë të freskët dhe gjithashtu për takimet e sotme nuk mund të them që ishim të lodhur. Por më kryesorja është se neve na mundi vetëkënaqësia, sepse lojtarë të veçantë e kanë pasur mendjen te derbi me Partizanin dhe jo në këtë ndeshje. Sa u përket golave të pësuar nga Lika, edhe gabimet janë pjesë e lojës pasi, ashtu siç na ka shpëtuar portieri në disa raste, sot nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Megjithatë, unë kam besim te Lika, pasi është pika jonë e referimit në prapavijë. Për këtë humbje kemi të gjithë përgjegjësi dhe gjithçka fillon nga unë. Mendoj se ilaçi më i mirë është qetësia, pasi janë edhe nëntë ndeshje ku duhet të bëjmë maksimumin për secilën prej tyre. Madje, pretendimet e përfolura për Europë ishin të tepruara. Për të synuar, një ekip duhet të jetë në nivele të larta profesionaliteti. Kisha premtuar në Krujë që Tirana ime nuk do të humbte dhe kam përshtypjen se sot (dje) mposhtëm veten. U kërkoj falje publikisht tifozëve edhe në emër të të gjithë lojtarëve! Nuk dua të bëj parashikuesin, por mendoj se nuk do t’i zhgënjejmë më. Do të kthehemi me Partizanin”, – përfundoi Magani.
Starova: Jemi për Europë
Sulejman Starova është pa dyshim i kënaqur nga fitorja. Ndonëse saktëson se Kukësi bëri vetëm detyrën dhe nuk hyri në fushë për hakmarrje. Në fund të takimit ai analizoi ndeshjen, kundërshtarin, si edhe objektivat, ndërsa shfaq bindjen se skuadra e tij nuk do e diskutojë pjesëmarrjen për Europë, pasi duart për titullin tashmë i ka “larë”. “Nuk erdhëm për t’u hakmarrë apo kthyer reston, pasi prioritet kishim marrjen e pikëve, kaq të çmuara për ne. I morëm dhe kaq vlen për ne. Përballë kishim një Tiranë, e cila ka bërë gjithçka për të qenë skuadra e momentit. Ka konsoliduar ekipin dhe ka bërë disa ndeshje shumë të mira. Kjo rrit edhe vlerat e fitores sonë, duke shtuar edhe vlerat e këtij takimi, i cili ishte mjaft i bukur. Me një kundërshtar të një niveli të tillë, patjetër që jam i kënaqur me lojën. Por, kjo nuk do të thotë që s’kishim të meta dhe pikërisht evidentimi dhe riparimi i gabimeve do të na bëjë të përmirësohemi. Ne jemi në një pozitë që synojmë vendin e dytë dhe vendin e tretë për Europën. E kam përsëritur që në fillim që na ka lodhur edicioni i kaluar në Europë dhe kampionati na gjeti të papërgatitur. Humbëm 3-1 një javë më parë dhe sot (dje) fituam 2-1. Në të dyja rastet mendoj se janë episodet ato që kanë vendosur takimet. Nuk është se kemi ndryshuar diçka, pasi edhe ndeshjen e shkuar për të fituar erdhëm. Ashtu si në përballjen e parë, kanë qenë disa episode që mund të ndryshonin fatin e ndeshjes në favorin tonë apo edhe në favorin e Tiranës”, – tha fillimisht Starova. Gjithashtu ai prek edhe temën e kupës, teksa në përfundim thotë: “Si ne edhe Teuta luftojmë për të arritur finalen, por për momentin do të mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat. Pasi lamë pikë në Shkodër, fituam sot dhe duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës”.
“Golat për presidentin, tani dua ‘Këpucën e Artë'”
Heroi i ndeshjes, Sokol Cikalleshi, është i lumtur për dopeitën, edhe pse kundër ish-skuadrës. Golat ia dedikon presidentit Gjici, pasi këtë fitore ua kishin borxh. Në një intervistë të dhënë pas ndeshjes, kavajasi shpall hapur edhe objektivat personale, teksa do të tentojë “Këpucën e Artë”.
Një dopietë kundër ish-skuadrës suaj. Si u ndjeve?
Ne e kishim vlerësuar në maksimum këtë ndeshje, pasi vinim nga dy ndeshje jo të mira. Jam shumë i lumtur që fituam dhe shpresoj të vijojmë me rezultatet pozitive për të arritur edhe objektivat që kemi. Tashmë jam pjesë e Kukësit dhe një profesionist duhet të japë maksimumin kudo ku luan, pavarësisht së kaluarës.
“Këpuca e Artë” mund të jetë një objektiv personal për Cikalleshin?
Me dy golat e sotëm jam vetëm tre gola larg vendit të parë të golashënuesve. Do të jap maksimumin për ekipin dhe shpresoj të shënoj sa më shumë.
Kujt ia dedikoni këtë dygolësh?
Presidentit, i cili na ka qëndruar pranë në çdo moment. Gjithashtu edhe shokëve të skuadrës dhe tifozëve.
A ishte kjo fitore një mesazh për tifozët, pas zërave për tolerim një javë më parë ndaj Tiranës?
Futbolli duhet pranuar edhe kur humbet dhe kur fiton. Ndeshjen e parë duhet ta pranonim, por nga ajo nxorëm gabimet dhe falë tyre e kemi fituar këtë të radhës.
Goli i dytë, disi i veçantë?
Ishte një goditje dhe jam shumë i lumtur, pasi ishte edhe një gol që na dha fitoren.
Rikthehet Kukësi tashmë?
Janë edhe nëntë ndeshje, ndërsa luftojmë edhe në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë për të njëjtin objektiv. Europa është një objektiv që duam ta arrijmë dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur.
Europa, nëpërmjet kupës apo kampionatit?
Jemi brenda objektivave në të dy kompeticionet dhe shpresojmë të japim maksimumin. Mund të sigurojmë vendin e dytë apo vendin e tretë, por në kupë tentojmë trofeun.
Fitoi Kukësi apo gaboi Tirana?
Tirana ka krijuar një skuadër shumë të mirë në fazën e dytë dhe mendoj se e ka siguruar mbijetesën. Ne e vlerësuam maksimalisht dhe mësuam gjithashtu nga gabimet e ndeshjes së parë. Realizuam me fanatizëm detyrat që na dha trajneri, ndaj dhe morëm këtë fitore.
Lojtarët refuzuan premion
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, kishte menduar të vendoste premio në rast fitoreje me Tiranën, mirëpo lojtarët e refuzuan atë. Madje i premtuan triumf pa kushte, pasi ndiheshin borxhlinj ndaj vetë presidentit dhe tifozëve, pas humbjes së një jave më parë me Tiranën dhe barazimit me Vllazninë. Gjasat janë që numri një i klubit verior mund të vendosë edhe një shpërblim, duke qenë se në fund mbeti i kënaqur nga trepikëshi.
Ndikumana humb derbin
Ka marrë kartonin e tretë të verdhë dhe për pasojë humbet derbin. Selemani Ndikumana nuk do të jetë i gatshëm në ndeshjen e shumëpritur me Partizanin. Në fakt, ai u ndëshkua në një moment krejtësisht të evitueshëm, teksa në një dyluftim me Smajlin në mesfushë i ndërhyri mbrojtësit dhe Jemini pa u menduar dy herë i tregoi të verdhin. Pjesa tjetër janë OK, i vetmi që nuk do të luajë për pezullim është pikërisht sulmuesi nga Burundi.Ja rastet për moviolë
Ndeshja ka ofruar disa raste të diskutueshme për moviolë. Megjithatë, rastet duhet të shihen dhe të rishihen. Rast flagrant për karton ishte ai i Uçes në të 59-ën minutë, i cili goditi me shkelm Morinën në gju, por kryesori këtë nuk e pa, madje as anësorët. Në minutën e 67-të, pas një goditjeje këndi të Tiranës, Deliç kroson topin në zonë, aty pretendohet për një prekje me dorë nga Boja, mirëpo për Lorenc Jeminin nuk ishte asgjë.
PIKANTE NGA NDESHJA
Tifozët – “Tirona Fanatics” kanë dhuruar spektakël edhe në këtë ndeshje. Afro 3 mijë të pranishëm kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohej dhe t’u jepnin zemër lojtarëve në fushë.
Kuksianët – Nuk munguan as tifozët kuksianë, të cilët e përkrahën deri në fund ekipin e zemrës. Por, duhet theksuar se, krahasuar me një javë më parë, ishin më të paktë në numër.
Duka – Si gjithnjë, tribuna VIP është e tejmbushur, ku veç drejtuesve në të dyja kampet, nuk mungojnë edhe figura të tjera. I pranishëm ishte edhe Armando Duka, presidenti i FSHF-së.
Provokimi – Një flamur i Partizanit, që valëvitej te njëra nga shtyllat e prozhektorëve, ka provokuar “Fanatics”-at. Ata filluan të thërrisnin në kor “Hiqe! Hiqe!” dhe derisa e hoqën nuk gjetën qetësi.
Bakaj – Mesfushori Elis Bakaj ka qenë i detyruar të qëndronte në tribunë në këtë ndeshje, pasi mungesa e konfirmimit nga ana e FIFA-s nuk i dha të drejtën që të zbriste në fushë.
E drejta TV – Pa nisur ndeshja e deri në fundin e saj ka pasur debate me të drejtën televizive, pasi shumë kamera donin të filmonin, ndërkohë që ta bënin u duhej leja nga “Supersport”.
Femrat – Janë prezente kurdoherë, por dje ishin më të shumta në numër. Mjaft femra ishin në tribunat qendrore dje dhe po ndiqnin nga afër skuadrat e tyre të zemrës.
Topi – Brenda një minute Hallaçi dhe Hoxha, teksa kanë goditur topin, e kanë nxjerrë atë radhazi jashtë stadiumit. Gjuajtjet ishin aq të fuqishme sa nuk gjetën barriera.
Peqini – Roland Peqini dje ndodhej në stadium për të ndjekur ndeshjen mes dy ish-skuadrave të tij. Mirëpo, ai është parë edhe në stolin kuksian, çka dëshmon se tifo ka bërë për veriorët.
Fundi shoqërohet me tension
Goli i dytë i Sokol Cikalleshit është shoqëruar me nerva dhe irritim nga tifozët. Tribunat nisën të shanin në kor, çka e detyroi Lorenc Jeminin që ta ndalte lojën dhe kapitenët respektivë, Karabeci e Hallaçi të shkonin tek ultrasit për t’i qetësuar. Gjatë këtij momenti nuk munguan as shishet e hedhura në fushë mbi pankinën e skuadrës kuksiane. Megjithatë, gjithçka u sheshua. Mirëpo, vërshëllima e fundit e kryesorit solli edhe tensionin pasi veç sharjeve kishte tentativa për t’u konfrontuar. Por, forcat e rendit shmangën gjithçka. Madje, tifozët e Kukësit dolën gati 15 minuta më vonë, për të evituar përplasjet me ata të Tiranës.
ADELA MERKO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"