Shfryn Mitraj: Ish-trajneri Hasan Lika luante kumar. Ja se kush e shkatërroi Partizanin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2014 | 9:06

Shfryn Mitraj: Ish-trajneri Hasan Lika luante kumar. Ja se kush e shkatërroi Partizanin!

Mitraj me ProdaninShpërthen në akuza ish-sulmuesi i Partizanit, Aldo Mitraj. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 27- vjeçari, i cili luajti gjashtë ndeshje me të kuqtë në pjesën e parë të kampionatit të fundit, cilëson si shkatërrues të Partizanit ish-trajnerin Hasan Lika dhe drejtorin teknik Genc Tomorri. Ai nuk lë mënjanë as drejtorin e përgjithshëm të klubit, Eduard Prodani. “Lika është bixhozxhi, ndërsa Tomorri servil. Prodani si talent fshehte situatën që të mos merrej vesh nga presidenti Demi. Ky i fundit rrethohej nga një tufë servilësh, që mundoheshin të përfitonin sa më shumë”, – ka thënë ndër të tjera Mitraj. Sulmuesi, i cili mbylli sezonin me Apoloninë në Kategorinë e Parë, tregon edhe prapaskenat e largimit në janar dhe “lojës” së drejtuesve për merkaton.
Aldo, keni kërkuar të jepni një deklaratë për “Panorama Sport” sa i përket largimit tuaj nga Partizani në janar…
Po, sepse kam duruar boll dhe nuk mund të qëndroja pa treguar të vërtetat e Partizanit. Nuk kam dashur të flas në momentin kur ekipi ishte në aktivitet, pasi s’doja të ndikoja për keq. Partizanin në këtë situatë që është sot e sollën drejtuesit.
Më konkretisht për cilin nga drejtuesit e keni fjalën?
Nuk e kam fjalën për presidentin Demi, por për bashkëpunëtorët e tij që janë në nivel drejtuesish në klub. Te Partizani asgjë nuk funksionon në të mirë të futbollit, por vetëm për interesa të drejtuesve të paaftë dhe hipokritë që janë në klub. Unë pata fatin dhe nderin të isha pjesë e Partizanit të madh, por nga ana tjetër pata fatin e keq që punova me Hasan Likën dhe Genc Tomorrin.
Po flisni kështu për dy emra të njohur të futbollit shqiptar…
Unë po them vetëm të vërtetën, atë që dinë edhe tifozët e Partizanit. Likën e njohin të gjithë dhe, pasi u largua nga Teuta nuk e afronte njeri. Ishte pikërisht ky trajner që me pseudomenaxherët, ose më mirë me sekserët e futbollit shqiptar, afroi disa futbollistë në merkaton e janarit te Partizani. Këtë e bëri me qëllimin e vetëm për të kapur ndonjë “kockë”. Këto që po them nuk janë shfryrje personale, për faktin se unë u largova në janar nga Partizani. Ky është një realitet që ua kam komunikuar edhe drejtuesve më të lartë të klubit. Ata nuk më besuan, por më pas e kuptuan situatën duke e provuar në kurriz.
OK, por ku është e keqja këtu, kur ju dhe disa nga lojtarët që luajtët në pjesën e parë të sezonit te Partizani nuk bëtë më pjesë në planet e klubit…
Të vetmit që mund të quhen viktima në këtë mes janë futbollistët e ardhur te Partizani pa ndërmjetësinë e menaxherëve dhe gjithashtu presidenti Demi. Më vjen shumë keq për zotin Demi, sepse ishte viti i parë në krye të një klubi. Çdo president kështu e ka pësuar për herë të parë dhe, mesa duket, zoti Demi është rrethuar nga një tufë servilësh që mundoheshin të përfitonin sa më shumë prej tij. Janë të njëjtët personazhe: Genc Tomorri, Hasan Lika dhe Perlat Musta. Pikërisht këta që i pinë gjakun ish-presidentit Albert Xhani. Këta persona duan të “hanë” akoma nën emrin e Partizanit. Nuk mundet një trajner që ta ketë mendjen te stërvitja, kur deri gjysmë ore përpara saj luante kumar.
Kujt i referoheni në këtë rast?
Këtu e kam fjalën për Likën, i cili është një bixhozxhi, ndërsa nga ana tjetër, Tomorri, një servil i lindur. Unë erdha te Partizani me forcat e mia dhe jo me sekserët e Likës, që mburren në kafenetë e Tiranës duke thënë: “ja ngecëm Partizanit këtë lojtar”. Të gjitha këto sigurisht që mbuloheshin nga “talenti” Prodani, për të mos i marrë vesh presidenti Demi. Nga ana tjetër, Perlat Mustën e njihja vetëm nga TV dhe sigurisht nga emri i madh që ka si ish-portier. Por, në fakt, ishte tamam për t’u kapur nga “Fiks Fare”. Ne lojtarët qeshnim në stërvitje kur e shikonim të veshur sikur do të dilte xhiro dhe ndërkohë përgatiste portierët. Pra, merreni me mend çfarë bëhej.
Akuzoni Hasan Likën se luan kumar. Sa herë e keni parë ju atë të luajë bixhoz? Ku luan saktësisht, në cilat vende?
Unë nuk marr përsipër t’u them vendet, por për këtë vë duart në zjarr, sepse kam fakte. Miqtë të mi që kanë rastisur në pikat që ai luan më kanë dërguar madje edhe foto të trajnerit. E dinin të gjithë në skuadër që ai është kumarxhi.
Juve iu ka kërkuar ndonjëherë parà?
Jo, jo, nuk kanë qenë muhabetet në këtë pikë. Thjesht unë nuk gjeta kurrë mbështetjen e tij dhe pastaj gjërat shkuan personale. Unë kërkova sqarime nga Lika, por kjo s’ndodhi kurrë.
Thoni se ky trajner me pseudomenaxherë kanë dëmtuar Partizanin. Cilët janë lojtarët që, sipas jush, erdhën falë menaxherëve?
Duke filluar që nga faza e parë dhe më tepër në janar. Por, nuk është etike që unë të përmend tani emrat e ishshokëve të skuadrës. Ju e kuptoni vetë, madje disa prej tyre ose janë larguar në mes të sezonit ose tani afër. Por, si ka mundësi që u afruan tre sulmues të tjerë, të cilët kishin bërë dy gola në dy vitet e fundit?!
A ju kanë kërkuar ndonjëherë ryshfet te Partizani?
Jo, s’mund ta them këtë.
Ju thoni që Genc Tomorri është një servil i lindur, po çfarë të keqe ka kjo dhe çfarë i ka cenuar ai Partizanit?
Nuk është fare rastësi që Tomorri mbijeton edhe me këtë presidencë. I ka pirë gjakun Xhanit dhe tani vazhdon akoma. Të gjithë lojtarët që hynin e dilnin kishin aprovimin e Tomorrit, që ishte bërë grup bashkë me drejtuesit e tjerë. Po flasim për njerëz pa karakter.
Nga e dini ju se Lika ka gisht në afera që lidhen me menaxherë?
Më kanë thënë shokët e skuadrës në konfidencë.
Keni marrë vesh ndonjë shumë parash që stafi i Partizanit mund të ketë përfituar nga afrimi i lojtarëve?
Këtë nuk mund ta them.
Cilët janë menaxherët që fshihen pas Partizanit?
I di shumë mirë me emra, janë vetëm dy-tre menaxherë që kanë gjetur mbështetje. Kur të lexojnë shkrimin do u djegë vetë se kush janë.
Shumë mllef keni ndaj ish-trajnerit Lika, pse?
Sepse si një futbollist profesionist u mundova të sqarohesha me Likën përpara se të largohesha tek Apolonia. Ai kërkoi me çdo kusht largimin tim nga Partizani dhe nuk më dha një arsye. Unë isha ndër të paktët që e kundërshtoja për lojën në mbrojtje që bënte, por për Hasanin ka qenë koha e vjeljeve në atë periudhë. Donte të hapte vende në skuadër, të bënte kontrata të reja në të “mirë” të Partizanit. Të gjithë e panë se si rrodhën ngjarjet dhe tashmë ata lojtarë po ikin një e nga një. Ata që unë po akuzoj, mund të dalin dhe të justifikohen sërish në shumë mënyra, por nuk do të merrem me ta. FSHF-ja, ndoshta edhe në UEFA po ishte nevoja, do të merret me ta, sepse më detyrohen mua.
Në çfarë aspekti ju detyrohen?
Po them për kontratën që kisha te Partizani. Klubi më detyrohet 6 rroga, pasi vetëm katër kam marrë. Edhe të pestën që më takonte, pasi isha ende pjesë e ekipit, nuk ma dhanë. Për prishje në mënyrë të njëanshme të kontratës më detyrohen në total 7 milionë lekë të vjetër.
Po për portugezin Sampaio çfarë përshtypje keni pasur?
Me Sampaion u stërvita vetëm një javë, por mund t’ju them se ishte i një niveli tjetër dhe nuk mund të krahasohej me Likën, që në konceptin që kishte për futbollin dhe stërvitjen që bënte.

Karriera, kush është sulmuesi Aldo Mitraj
Aldo Mitraj ka lindur më 12 janar të vitit 1987 në Ersekë, ndërsa është produkt i shkollës së futbollit të Dinamos. Pasi luajti për disa vite me grupmoshat e skuadrës blu, ai u përfshi në ekipin e parë në vitin 2008, kur u shpall edhe kampion. Më pas Mitraj luajti për një sezon në klubin grek, Skoda Ksanthi. Pas aventurës helene, sulmuesi u bë pjesë e Skënderbeut. Ai është aktivizuar edhe për Luftëtarin, Tomorin, Ilirinë, Partizanin dhe së fundmi Apoloninë. Sezonin e mbylli te fierakët, ndërsa për të kuqtë luajti vetëm gjashtë ndeshje në kampionatin e fundit. Tek Apolonia, në 9 takime të luajtura, arriti të shënonte tre gola. Dy sezone më parë shënoi sulmuesi që njihet për shpejtësinë dhe teknikën, realizoi 6 herë për Tomorin në Kategorinë Superiore.

Tomorri: Nuk merrem me lojtarët
Ish-sulmuesi i Partizanit, Aldo Mitraj, ka lëshuar dje akuza të rënda ndaj stafit teknik të skuadrës së kuqe. Ndër të tjera, lojtari thotë se futbollistët afroheshin jo për shkak të meritës, por me anë të menaxherëve-sekserë. Gjithashtu, Mitraj ka deklaruar se pjesëtarët e stafit nuk e kishin mendjen për stërvitje, por luanin kumar. Gazeta ka kontaktuar dje me trajnerin aktual të ekipit, Genc Tomorri, i cili më parë ka qenë në rolin e drejtorit teknik. I vënë në dijeni të akuzave të sulmuesit, Tomorri ka shpërfillur gjithçka, duke deklaruar: “Lojtarët janë të lirë të thonë çdo gjë. Unë nuk merrem me komentet dhe deklaratat e tyre. Unë jam trajner dhe bëj punën time. Nuk dua të merrem me atë çfarë thonë futbollistët lart e poshtë dhe në rastin konkret Mitraj”, – u shpreh në prononcimin e tij për gazetën, Genc Tomorri.

Prodani: Mitraj fantazon për akuzat
Në lidhje me akuzat e ish-sulmuesit të Partizanit, Aldo Mitraj, dje ka reaguar edhe drejtori i përgjithshëm i klubit, Eduard Prodani. “Është komplet fantazi. Edhe ju e kuptoni që një gjë e tillë nuk mund të ketë ndodhur. Presidenti takohej rregullisht me trajnerët, drejtorin teknik dhe vetë lojtarët për çdo gjë që ndodhte në ekip dhe nuk kisha se si unë, dhe askush tjetër, t’i fshihte ndonjë gjë. Mitraj fantazon. Ndoshta ai ka keqkuptuar sjelljen time të mirë me të dhe përpjekjet për ta ndihmuar. Ai gabon kur mendon se kështu hakmerret. Në të vërtetë, dëmton imazhin e tij dhe dëshmon mangësi në formimin e tij si profesionist dhe karakter. Ne e morëm me shpresa të mëdha dhe prisnim që ai t’i justifikonte, por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Vazhdimisht fajësonte trajnerin për performancën e tij”, – përfundon Prodani. Ndërkaq, ish-trajneri Hasan Lika nuk ka dashur të reagojë në lidhje me akuzat që i janë bërë nga Mitraj.

Musta: Lojtarët, më mirë flasin me vepra
Ndër pjesëtarët e stafit teknik që ish-sulmuesi i Partizanit, Aldo Mitraj, ka akuzuar në intervistën e djeshme, është edhe trajneri i portierëve, Perlat Musta. I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport”, tekniku Musta nuk ka reaguar në lidhje me këtë çështje, duke thënë se është në heshtje për shtyp. “Ju e dini që klubi i Partizanit është në heshtje për shtyp. Duke qenë se unë jam pjesë e kësaj skuadre, do të thotë që nuk mund të flas. E kam të pamundur në këtë situatë, pavarësisht atyre që mund të jenë deklaruar për mua nga Mitraj. Mund t’ju them vetëm kaq, që futbollistët flasin me vepra dhe me lojë. Sigurisht që më e mira është kur flasin me vepra”, – përfundon prononcimin për gazetën trajneri i portierëve, Perlat Musta. Ky i fundit është një prej atyre personazheve që ka bërë histori me të kuqtë, duke luajtur në fushë dhe duke qenë edhe trajner i portierëve.

Lul Sallaku dhe Gaz DemiSallaku: Kam shumë për të thënë, por po hesht
Ish-presidenti i Partizanit dhe ishaksionar i klubit të kuq, Lulëzim Sallaku, vazhdon të mbetet një prej miqve të kreut aktual të skuadrës, Gaz Demi. Dje gazeta ka kontaktuar me Sallakun për t’i kërkuar një opinion në lidhje me përfundimin e kampionatit dhe si i është dukur ky sezon për të kuqtë, pasi ai ka qenë pjesë e klubit disa muaj më parë, por ish-aksionari nuk ka dashur të komentojë. “Unë ia kam dhënë të gjitha aksionet Gaz Demit dhe nuk kam asnjë përqindje më te Partizani. Me të kam vetëm marrëdhënie miqësore dhe asgjë më shumë. Ju më kërkoni që unë të jap një opinion për ecurinë e skuadrës, por do duhet të flas shumë gjatë dhe më e mira është që të hesht. Nuk dua të prononcohem për ecurinë e skuadrës, pasi mund të krijohen keqkuptime. Ekipi zbriti nga vendi i 2-të në të 5-in dhe ka shumë për të thënë. Mirëpo, për momentin, nuk mund t’ju them më shumë”, – u shpreh Sallaku në prononcimin e tij. I pyetur nëse ka ndonjë mundësi rikthimi te klubi i kuq, ishaksionari e mohon kategorikisht një gjë të tillë. “Nuk mendoj se do të kthehem sërish te Partizani. E përjashtoj këtë mundësi”, – përfundoi Sallaku. Ky i fundit ka qenë një prej njerëzve që i ka qëndruar shumë pranë ekipit në kohën kur ishte aksionar i të kuqve.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"