Shifra të çmendura/ Pesë vitet e fundit, Juve shpenzon më shumë se Siti
Çelsi e mbylli edicio nin e fundit të Pre mier Ligës në vend të 12-të, shumë larg vendeve që të dërgojnë në Europë dhe vendit të parë të Mançester Sitit. Por ka një klasifikim që blutë e Londrës e dominojnë dhe janë të parët të shkëputur: bëhet fjalë për atë që llogarit shpenzimet në merkato të 5 viteve të fundit, duke nisur prej sezonit 2018-‘19.
Ashtu siç raporton sajti i specializuar, “Tifosy”, Çelsi, që së fundmi ka kaluar në duart e pronarit amerikan Tod Bohli, ka shpenzuar në total 1.2 miliardë euro në 5 vitet e fundit, mes të cilave 49% ose 588 milionë euro vetëm në sezonin e fundit.
Por këto nuk kanë mjaftuar që skuadra e ardhshme e Mauricio Poçetinos të bëjë gjëra të rëndësishme sezonin e fundit, përkundrazi. Shpenzimet janë llogaritur vetëm për pagesat e për kartonin e lojtarëve dhe pas Çelsit, me një distancë jo të vogël, renditet Juventusi, me totalin 837 milionë euro. Në klasifikim janë edhe klubet e tjera italiane, Milani (455 milionë euro), Interi (445 milionë euro), Roma dhe Napoli.
Ndërkohë që Mançester Siti renditet në vend të pestë, ndërsa në 5 vitet e fundit Pep Guardiola ka shpenzuar 708 milionë euro, më pak sesa rivalët e Mançester Junajtidit (769 milionë euro). Dominojnë natyrisht klubet angleze, të cilat zënë gjysmën e vendeve të këtij klasifikimi (10 klube) dhe që përveç të ashtuquajturave “Big 6” (Çelsi, Junajtid, Siti, Liverpuli, Totenhemi dhe Arsenali) përfshijnë edhe skuadrat e Uolvesit dhe Uest Hemit, Njukasëllit dhe Aston Vilës.
Sa u përket kampionateve të tjera, në Spanjë kryeshpenzueset janë Barcelona, Reali i Madridit dhe Atletiko. Në Francë është PSG dhe Monako dhe ajo që bie në sy është se Bundesliga nuk ka asnjë klub. Bajerni dhe Dortmundi, dy skuadrat ikonë të futbollit gjerman, janë treguar dorështrënguar në pesë sezonet e fundit.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"