Shifrat tregojnë qartë mungesën e stabilitetit/ Rekordi i Kukësit, 4 trajnerë dhe 46 lojtarë për rënien

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2024 | 13:37

Shifrat tregojnë qartë mungesën e stabilitetit/ Rekordi i Kukësit, 4 trajnerë dhe 46 lojtarë për rënien

Kukësi ka bërë një sezon për t’u harruar këtë edicion, ku në përfundim ra nga kategoria. Edhe pse drejtuesit provuan me të gjitha mënyrat për t’ia dalë që të sigurojnë mbijetesën, për fat të keq nuk ia dolën dot.

kukesi

Pikë së pari, provuan plot katër trajnerë për të arritur synimet. E nisën me Hallaçin dhe pasuan më pas me Nicën dhe Çelën, për ta përfunduar me Devollin. Thuajse për asnjë moment nuk iu larguan dot zonës së ftohtë të klasifikimit, duke qenë vazhdimisht ekipi më i rriskuar që të rrëzohej, siç edhe ndodhi në fakt disa javë para mbylljes së sezonit dhe për më tepër si i fundit në renditje.

REKORD LOJTARËSH – Nëse katër trajnerë brenda një edicioni janë për rekord, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për lojtarët e provuar, ku gjithashtu mund të cilësohen si një rekord më vete. E gjitha kjo, për të tentuar të gjitha mënyrat dhe manovrat për të gjetur çelësin që të dërgonte skuadrën te fitoret dhe mbijetesa. Më saktësisht, vetëm përgjatë këtij sezoni të fundit në Superiore, Kukësi provoi plot 46 lojtarë, të cilët kanë luajtur qoftë edhe pak minuta në një ndeshje.

Për t’u ndalur te “maratonomakët” e këtij edicioni dhe lojtarët e pazëvendësueshëm, ata janë tre: bëhet fjalë për mbrojtësin Vasil Zhongo, sulmuesin Mustafa Salami dhe portierin Anxhelo Tafas, që janë aktivizuar në plot 38 takime. Lista më pas është shumë e gjatë, por në fund mbyllet me tre djem të rinj, Soni Islamaj, Lorik Halili dhe Enoel Devolli me vetëm 11-të minuta në këmbët e tyre.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"