“Shije të hidhur nga ndeshja me Italinë”, Cana analizon Shqipërinë e Euro 2024: Kemi potencial që duhet të menaxhohet, e padiskutueshme me Silvinjon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2024 | 20:27

“Shije të hidhur nga ndeshja me Italinë”, Cana analizon Shqipërinë e Euro 2024: Kemi potencial që duhet të menaxhohet, e padiskutueshme me Silvinjon

Rekordmeni i Kombëtares shqiptare Lorik Cana, mendon se paraqitja e Shqipërisë në Euro 2024 duhet të cilësohet pozitive. Ish-kapiteni i kuqezinjve ka analizuar lojën e skuadrës në fazën në grupe të turneut dhe mendon se përtej eliminimit, gjithçka duhet vlerësuar pozitivisht, pasi ekipi tregoi se ka kualitet dhe qëndroi në lojë në çdo sfidë.

LORIK CANA

Ai analizoi paraqitjet e disa lojtarëve ndërsa insistoi se duhej të vazhdohej puna që ishte nisur me Silvinjon në drejtim.

“Dua ta filloj nga skuadra. E dinim se në portë do ishte Etriti, por më pas trajneri vendosi që të ishte Tomi. Tomi ka bërë një performancë të mirë. Baza e kësaj skuadre mbetet Berati, që po bën një performancë të jashtëzakonshme me Atalantën, është djalë i jashtëzakonshëm, drejton ekipin dhe është stabël. Edhe Arlindi që kishte kohë që nuk rrinte në nivel të lartë, ishte mirë. Për mua, lojtari që ka qenë në vazhdimësinë e tij përveç Beratit ishte Mario Mitaj. Mitaj ka qenë një lojtar që ka qenë në nivel të mirë.

Asllani mbetet një siguri dhe forcat tona kryesore për vitet që do vijnë. Një lojtar që flitej për cilësitë e tij, është Arbër Hoxha që është një armë që e disponojmë për të ardhmen. Kemi një skelet që mund të ndërtojmë me të. Në sulm kemi Brojën, që ne duhet ta menaxhojmë mirë. Manaj ka bërë më të mirën e tij. Kemi potencial dhe mendoj që duhet të menaxhohemi mirë.

Nota mbetet pozitive, sepse ti e gjen veten në grupin më të vështirë të Europianit dhe arrin të jesh brenda lojës dhe të marrësh edhe pikë. Nëse Shqipëria do kishte dalë me 0 pikë nga të treja ndeshjet do ishte një gjë normale dhe e pritshme. Shqipëria mori barazim në një lojë të mirë me Kroacinë. Me Italinë nuk ishte ai meraku që nuk luajtëm dhe me Spanjën mbetet një notë pozitive.

Ajo që më la një shije të hidhur ishte ndeshja me Italinë, jo për rezultatin. Shqipëria e këtij edicioni ka kualitet të mirë në sulm dhe pjesën e parë nuk e sulmuan portën. Me Kroacinë dhe Spanjën është e tepërt tu kërkojmë më shumë.

A duhet të vazhdojë Silvinjo? Kjo është e padiskutueshme. Jemi duke folur për një trajner që na kualifikoi për herë të dytë në histori”, ishin fjalët e Canës në “Vizion Plus” për paraqitjen e Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"