“Shiriti i kapitenit është një përgjegjësi e madhe”, Xhixho Donaruma: Skuadra është e karikuar, nuk kam arsye që t’i motivoj
Italia do të përballet ditën e nesërme në orën 18:00 kundër Zvicrës në “Olimpiastadion” të Berlinit, takim i vlefshëm për raundin e 1/8-ave të Kampionatit Europian 2024. Në prag të takimit, kapiteni i “axurrëve”, Xhanluixhi Donaruma, ka dalë në konferencën për media ku ka folur në lidhje me këtë përballje vendimtare:
“Zvicra është një ekip shumë i mirë në përgatitjen fizike. Ata e përgatisin trupin në mënyrën e duhur që të mos kenë probleme në fushën e lojës. Ndonjëherë do më duhet ta nis lojën nga mbrapa dhe ndonjëherë do të duhet ta dërgojë shumë lart. Ne e dimë që janë një ekip shumë agresiv. Duhet të bëjmë sa më pak gabime që të mundemi.
Të mbash veshur shiritin e kapitenit është një përgjegjësi e madhe për mua. Që kur kam qenë fëmijë kam dashur të jem pjesë e ndeshjeve të tilla.
Skuadra është e karikuar. Ata nuk kanë të dëgjojnë asnjë fjalë nga unë që të mund të motivohen. Është një përballje shumë interesante, një lojë që e ëndërron ta luash që kur je i vogël. Nuk besoj se më duhet të bëjë motivim shtesë për një lojë si kjo.
Zvicra luan shumë vertikalisht, futboll direkt. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në zotërimin e topit sepse ata mund të na kapin me një kundërsulm të shpejtë nëse e marrin sferën.”
SONI SALIHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"