Shitja e Mançester Junajtid, në skenë shfaqet presidenti i PSG-së
Shitja e Mançester Junajtid nga familja Glejzër vazhdon të jetë një temë që diskutohet në Angli, por që nuk ka sjellë ende asnjë zhvillim konkret. Amerikanët duan të shesin “djajtë e kuq”, por nuk kanë dhënë asnjë sinjal nëse kanë zgjedhur Xhim Radklif, apo sheikun Jasim bin Hamad Al Thani, i cili kërkon të sigurojë kuotat drejtuese në klub.
Por ndërsa vazhdon heshtja rreth këtyre dy ofertave, mediat britanike kanë zbuluar se protagonist për shitjen e klubit të njohur anglez po bëhet edhe Naser Al Khelaifi, presidenti i PSG-së. Ai është mësuar se ka bërë rolin e negociatorit në bisedimet mes amerikanëve dhe drejtuesve të shtetit të Katarit, të cilët duan të blejnë klubin.
Sheiku Jasim kishte pyetur Al Khelaifin se çfarë shifre duhej të paguante për Mançester Junajtid, duke llogaritur edhe famën që ka kjo skuadër në botë. Pas këshillimit, oferta e tij që është prezantuar pak ditë më parë, parashikonte jo vetëm një shumë të majme për amerikanët, por edhe që të paguante borxhin e klubit, si dhe të siguronte të ardhura të mjaftueshme për merkaton.
Al Khelaifi më pas ishte kontaktuar nga familje Glejzër, e cila e kishte nxitur që të bindte sheikun të rriste ofertën e tij. Presidenti i PSG-së është takuar edhe me bankën amerikane që po menaxhon shitjen e Mançester Junajtid, e cila pritet të thyejë çdo rekord sa i përket klubeve sportive në botë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"