Shpërdorimi përballë cinizmit, euroderbi Milan-Inter kalon nga sulmi
Një sërë faktorësh pritet të ndikojnë në verdiktin që do të japë fusha pas 180 minutash duel Milan-Inter. Me rregullin e golit në transfertë që nuk ekziston më, tani rëndësi ka vetëm numri në total i golave të shënuar dhe në këtë moment pa dyshim që pesha i kalon sulmeve të të dyja skuadrave, që duhet vetëm të mendojnë për të dërguar topin në rrjetë më shumë se kundërshtarët.
Milani dhe Interi mbërrijnë në këtë duel të parë në dy momente të kundërta në këtë drejtim: sulmi kuqezi shpërdoron shumë, kurse ai zikaltër ka gjetur cinizmin që i mungonte.
KUQEZINJTË – Pa Leaon, Milani humbet një pjesë të madhe të rrezikshmërisë sulmuese dhe paparashikueshmërisë që ai ofron, edhe pse në ndeshjen e fundit ndaj Lacios tregoi se e kompensoi si duhet mungesën e portugezit. Por ajo që duhet të përmirësojë si fillim skuadra e Piolit është saktësia para portës.
Pas pushimit të kombëtareve në mars, Milani ka shënuar 13 gola në 9 ndeshje (4 prej tyre nga Leao, golashënuesi më i mirë i periudhës) dhe 4 të tjera vetëm kundër Napolit në “Maradona” në kampionat. Në pjesën tjetër të ndeshjeve, “djalli” ka shënuar më shumë se një gol vetëm ndaj Lacios dhe Leçes, duke u kursyer në gjithë të tjerat. Nga ana tjetër në barazimet me Empolin, Bolonjën dhe Kremonezen në shtëpi, Milani regjistroi 60 konkluzione, 14 prej tyre në kuadrat, duke qenë prova konkrete e mungesës së ligësisë dhe saktësisë.
ZIKALTRIT – Interi sigurisht që nuk i ka të panjohura problemet e Milanit, sepse përjetoi diçka të ngjashme në periudhën mes Fiorentinës, Salernitanës dhe Monzës, kur gjetën vetëm 1 gol nga 20 goditjet e tyre në portë dhe 66 konkluzione.
Skuadra e Inzagit e ka lënë pas ama momentin e errët dhe është rikthyer të jetë e pamëshirshme para portës, me 18 gola në 6 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.
Sulmuesit janë rikthyer të shënojnë me bollëk dhe gjithë skuadra i shfrytëzon si duhet mundësitë që i paraqiten. Nesër Interi do të përpiqet të ndjekë këtë trend e Milani të përmbysë situatën, por ajo që është e sigurt, është që secili duhet të përpiqet të shënojë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"