“Shpërthen” Çani, bën dopietë në fitoren e Barit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2014 | 9:31

“Shpërthen” Çani, bën dopietë në fitoren e Barit

Cani dy golaEdgar Çani “shpërthen” në javën e fundit të Serisë B. Sulmuesi shqiptar ka realizuar dy gola në fitoren 4-1 të Barit ndaj Novarës. Ai është futur në fushë si zëvendësues në minutën e 53-të. Kur rezultati ishte 0-1 për skuadrën kundërshtare, shtatlarti shqiptar realizoi golin e barazimit në minutën e 62-të, pas një goditjeje të bukur me kokë. Ndërsa në minutën e 74-t, pas një krosimi në zonë, Çani zhytet përpara portierit me këmbë, duke devijuar topin në rrjetë. Në këtë moment shqiptari ka festuar si i çmendur, madje duke hequr edhe fanellën që i kushtoi ndëshkimin me karton të verdhë. Golat e tij përmbysën rezultatin, ndërsa deri në fund skuadra e Çanit mbylli gjithçka në favor të saj me shifrat 4- 1. Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme për Barin, pasi siguroi një vend në “play off”, duke pasur shansin tashmë që të luftojë për ngjitjen në Serinë A. Vendi i gjashtë në renditje do ta vërë Barin përballë skuadrës së Krotones (sfidë vajtje-ardhje), ndërsa “play off”-i tjetër do të jetë ai mes Modenas dhe Specias. Fitueset e këtyre dueleve do të ndahen mes të ashtuquajturave finaliste të “play off”-eve, Latinës dhe Çezenës (vendi i 3-të dhe i 4-t). Ky fund i lumtur për Çanin vjen pas një periudhe të errët. 24-vjeçari e nisi te Karpi, teksa luajti me këtë të fundit vetëm në fazën e parë. Këtu Çani shënoi vetëm një gol, ndërsa u transferua në janar te Bari si i huazuar nga Katania. Tek ekipi puljez, sulmuesi e mbylli me tre gola. Kombëtarja – Për herë të fundit me Kombëtaren shqiptare Çani ka qenë i grumbulluar në ndeshjen e 10 shtatorit të vitit 2013 ndaj Islandës, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014. Prej 9 muajsh Edgari nuk merr një ftesë nga De Biazi, nisur edhe nga forma jo e mirë që ka kaluar gjatë sezonit të fundit në Serinë B. Shtatlarti përfundoi në stol te Karpi, ku shënoi vetëm një gol gjatë fazës së parë, por edhe kalimi te Bari nuk rezultoi efikas fillimisht, pavarësisht se tashmë i bëri kampionatit një mbyllje fantastike. Trajneri De Biazi është shprehur se do ta rikthejë Çanin në momentin që të bindet se lojtari është në formë.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"