Shpërthen portieri Xhika: Kjo, Besëlidhja më e dobët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2013 | 13:08

Shpërthen portieri Xhika: Kjo, Besëlidhja më e dobët

Xhika, portieri i Beselidhjes, qe shenoi nga penalltia

Xhika, portieri i Beselidhjes, qe shenon nga penalltia

Edhe pse në një terren të rënduar nga reshjet e shumta të shirave, Besëlidhja vijon stërvitjen nën drejtimin e trajnerit Sajmir Malko. Tashmë që kampionati nga java në javë po bëhet më i fortë, lezhjanët kanë rritur së tepërmi dozat e seancave stërvitore. Besëlidhja ndodhet në një pozitë shumë të vështirë në renditje, ndërsa në javët në vazhdim e presin transferta shumë të vështira, duke nisur që nga ajo e së shtunës në Himarë. Lezhjanët duhet të tregohen tepër racionalë në lojën e tyre, ndërsa gabimet nuk lejohen.
Xhika – Portieri Dashamir Xhika, në një prononcim për “Panorama Sport”, nuk e fsheh shqetësimin për pjesën e mbetur të kampionatit. Megjithatë, ai është optimist për sa i përket mbijetesës. “Këtë vit Besëlidhja nuk e pati jehonën e dy sezoneve të shkuara, kur ishte kandidatja kryesore për të kapur Superioren. Për mua është sezoni i tretë që ruaj portën e Besëlidhjes, por këtë vit jemi paraqitur shumë dobët dhe kemi zhgënjyer. Kjo vjen edhe si rezultat i konsumimit, pasi dështuam dy herë radhazi në rrugën drejt elitës. Jam i bindur se Besëlidhja rrugën e gjatë drejt Himarës do ta justifikojë me fitore, që do të na qetësojë duke na siguruar mbijetesën. Këtë bindje ma ka shtuar paraqitja që shpalosën futbollistët në takimin ndaj Elbasanit ku, edhe pse në disavantazh dhe me 10 lojtarë, arritëm që për 10 minuta të merrnim një fitore spektakolare”, – thotë fillimisht Xhika. Gardiani i skuadrës lezhjane vazhdon më tej duke analizuar sfidën e fundjavës në transfertë. “Në ndeshjen me Himarën duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi kemi përballë një skuadër që lufton për mbijetesë dhe për më tepër që luan në fushën e vet. Megjithatë, jam i bindur për fitore, pasi besoj në formën shumë të mirë fizike dhe teknike të skuadrës, kjo gjithnjë nëse do të kemi një gjykim të paanshëm dhe profesional. E theksova gjykimin dhe nuk kam pse ta fsheh që në transferta arbitrimi na ka masakruar më shumë se asnjë skuadër tjetër”, – përfundon prononcimin portieri i Besëlidhjes, Dashamir Xhika. Lezhjanët janë duke përjetuar një prej sezoneve më të vështira të viteve të fundit pasi, kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në fund të kampionatit, e shohin veten në vendin e 13-të me 22 pikë. Deri në fund i pret një luftë e fortë për mbijetesën.
PRENG GJIKOLA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"