Shqipëria olimpike pa medalje olimpike (Pjesa e katërt)
Nga BESNIK DIZDARI
KAPITULLI IV
Rikthim spektakolar gjeopolitik në shuarje të BFSSH-së…
Përveç atij autentik të Ymer Pampurit, Shqipëria mban edhe një tjetër “rekord olimpik”: deri më sot është i vetmi shtet në historinë e Lojërave Olimpike, i cili ka bojkotuar (mospranim pjesëmarrjeje) 4 olimpiada rresht: 1976, 1980, 1984, 1988! Në të vërtetë është një “rekord” që i përket Shqipërisë komuniste.
I është rikthyer Olimpiadës vetëm mbas përmbysjes së Komunizmit në Shqipëri. Protagonistët e rifillimit quhen Enkeleida Shehu – qitëse dhe Genc Barkiçi – peshëngritës. Këta janë dy sportistët e parë shqiptarë që thyen bojkotimin shqiptar të plot 20 vjetëve (1972-1992) sepse qenë të parët që në Lojërat e Barcelonës 1992 dolën në garë.
Më 1990 – vijë demarkacioni për Shqipërinë, Olimpizmi shqiptar përjetonte kështu fundin e izolimit të tij 20-vjeçar. Përpara ishte “Barcelona 1992”. Olimpiada. Mû aty, në Katalonën mbresëlënëse, do të fillonte olimpizmi i vërtetë edhe për Shqipërinë e vogël.
Kujtoj ndërkaq se më 19 korrik 1991 në faqen e parë të gazetës së vetme sportive shqiptare të asokohe, kryeredaktor i së cilës isha prej dhjetë vjetëve, kam botuar editorialin për mua historik me titullin “A ekziston më BFSSH-ja”. Them historik, sepse qysh nga viti 1958 kur ajo qe formuar, kjo ishte hera e parë që në shtyp jo vetëm vihej në pikëpyetje ekzistenca e saj, por mohohej ajo.
E megjithatë…
Më 22 korrik 1990, Shqipëria ishte shpallur Kampione e Ballkanit në peshëngritje për të rinj, një kampionat që zhvillohej në Korçë dhe ku ajo fiton 20 medalje ari, duke pasur midis vetes dy emra të rinj, të saponjohur, të cilët mbas pak do të pushtonin mû atë çka ëndërronim ne: olimpin botëror, në këtë rast olimpin botëror të peshëngritjes. Emrat e tyre ishin Pirro Dhima dhe Luan Shabani. Po aq edhe dy të tjerë: Viktor Mitro dhe Lorenc Gogaj. Një katërshe e racës shqiptare – Kampione e saposhpallur e Ballkanit që me sa duket përfundon rrufeshëm në bllokun e shënimeve të presidentit të Federatës Greke të Peshëngritjes, J.Zguros, i pranishëm në garat e Korçës, i cili e gjykon Shqipërinë në shkallën superlative.
Ndërkaq, krejt papritmas, më 8 gusht 1990, Këshilli i Ministrave miratonte për herë të parë mbas gati 35 vjetëve një vendim sensacional për Shqipërinë komuniste: “Për dhënien e shpërblimeve e të stimujve materialë në sektorin e fizkulturës dhe të sporteve”, pa përmendur askund fjalën “lekë” apo “parâ” të zëvendësuar me dyfjalëshin dikur të frikshëm “stimuj materialë”. Më 3 shtator 1990 botohet njoftimi mbi të ashtuquajturin “Konkursi i parashikimeve sportive”, një eufemizëm për “llotosportin”.
Kur në janar 1990 për herë të parë mbas gati tri dekadash Shqipëria kishte pranuar të ndeshej me një skuadër sovjetike: Uraloçka. Për fundoret e Kupës së Kampioneve të Europës në volejboll për femra. Dinamo shkon në fundoret e Forli (Itali) dhe ndeshja e parë BRSS – Shqipëri mbas plot 27 vjetëve (dhjetor 1963, CSKA e Moskës – Partizani 2-0, fundore dramatike me shtesë për turneun e futbollit të Hanoit) për fatalitet i përket ditës së Ushtrisë së Kuqe, asaj të 23 shkurtit! Por… Forli e Italisë, 23 shkurt 1990: Uraloçka Ekaterinburg – Dinamo e Tiranës 3-0 për Kupën e Kampioneve.
Ndërkohë, në Elbasan, Nënkampionit të Europës, 19-vjeçarit Luan Shabani i dorëzohet titulli “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Dhe Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, e cila e rendit shqiptarin Pirro Dhima nën fanellën e Shqipërisë, midis 7 peshëngritësve më të mirë të botës në peshën 82.5 kg. Do të firmosja me dorën time përzgjedhjen e tyre në “10 sportistët më të mirë të vitit 1990”, madje në treshen e parë!
Ishte 4 janar 1991. Ndërkaq, për herë të parë Shqipëria lejon futbollistët të luajnë jashtë. Dhe po për herë të parë Mbasluftës, midis Italisë dhe Shqipërisë firmoset një marrëveshje e bashkëpunimit sportiv. Dy më të mëdhenjtë, Pirro Dhima dhe Luan Shabani, ndërkaq kishin marrë rrugën e Greqisë. Më 12 qershor 1991 për herë të parë në histori shpallet Kampion i Shqipërisë në futboll Flamurtari i Vlorës, duke paralajmëruar i pari një rrëzim përmes mirëkuptimit të ndërrimit të epokave, të sundimit partiak dhe politizues të sportit shqiptar. Më 17 qershor 1991, qetë e qetë, pa asnjë rrahje gjoksi apo guxim të tepruar, i ndërroi emrin gazetës sportive nga “Sporti popullor” në “Sporti”. Dhe në ditët e para të korrikut 1991 rilind Sportklub Tirana. Komiteti Ekzekutiv i Tiranës “zhduk” 17 Nëntorin.
Vjen gushti 1991 dhe Shqipëria shkon në Lojërat Mesdhetare të Athinës me delegacionin e saj olimpik më të madh në histori: pjesëmarrje në 13 lloje sporti dhe me rreth 125 sportistë! Dhe Agim Zeka – “President i ri i Komitetit Olimpik Shqiptar”! Në të vërtetë, ai ashtu siç qe emëruar zëvëndësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, po ashtu qe emëruar edhe kryetar (president i KOKSH-it), sepse vetëm kështu Shqipëria mund të shpejtonte…
Dhe Budapest 27 prill – 2 maj 1992, ku si president i ASPA-s (Shoqata Shqiptare e Shtypit Sportiv), të cilën sapo e kishim themeluar, Shqipëria konfirmohet pjesë e familjes së gazetarisë mbarëbotërore të AIPS-it. Ndërkaq, Agim Zeka thirret në Asamblenë e 20-të të ACNOE-s (Asambleja e Komiteteve Olimpike Kombëtare) në Stamboll të Turqisë. Presidenti i CIO-s, Huan Antonio Samaranch e përgëzon Zekën për fjalën realiste që mban në mbledhje, ndërkohë që pedagogu i ILKF-së “Vojo Kushi”, Vesel Rizvanolli, zgjidhet anëtar i Komisionit Teknik të ACNOE-s. Edhe këto ndodhnin për herë të parë në histori.
Por, nga ana tjetër, plot 285 sportistë të rangut më të lartë kishin braktisur Shqipërinë, duke u shpërndarë përtej kufijve të saj nëpër Europë…
Rifillim shqiptar me sensacion “grek”!
Kështu, kishim mbërritur te viti 1992, kur Shqipëria do të shkonte në Olimpiadë për herë të parë mbas 20 vjetëve (1972), qysh nga Munih 1972. Ajo shkon në Olimpiadë me 8 sportistë: peshëngritësit Fatmir Bushi, Sokol Bishanaku, Genc Barkiçi; qitëset Kristo Robo dhe Enkelejda Shehu; atleten Alma Qeramixhi dhe notarin shqiptaro-amerikan Frank Leskaj.
Vetëm në hulumtimet e lodhshme të këtyre ditëve kam mundur të saktësoj ditët thyerëse të bojkotimit. I takojnë pra ditës barcelonase të 27 korrikut 1992 kur qitësja Enkelejda Shehu dhe peshëngritësi Genc Barkiçi, që do të renditen respektivisht në vendet 14 dhe 18, kanë premierën shqiptare të thyerjes së bojkotimit. Dhe, për fat apo për zotësi, edhe të gjithë të tjerët arrijnë të renditen (klasifikohen), me përjashtim të atletes Alma Qeramixhi, e cila tërhiqet nga gara e saj e shtatë-garëshit, ndërsa renditej e 28-ta.
Ndërkaq, Pirro Dhima shpallet Kampion Olimpik me Greqinë në peshëngritjen e peshës 82.5 kilogramë me shifrat 370 kilogramë në dygarësh. Kur sportisti i Shqipërisë me rezultatin më të lartë është peshëngritësi Dedë Dekaj, i cili ashtu si Pampuri më 1972 renditet po i 9-ti.
Kështu do të ndodhte edhe më 1996 ku rezultati më i lartë do të kishte po një peshëngritës, Ilirian Suli, i cili renditet i 14-ti. Do të ishin pjesëmarrës edhe shtatë sportistë të tjerë dhe Shqipëria, e cila për herë të parë merr pjesë në 5 sporte. Deri dhe në çiklizëm. Ajo çka për historinë është më e rëndësishmja, ka të bëjë me atleten e shtizës Mirela Manjani, e cila renditet e 24-ta nën fanellën e Shqipërisë, por e cila katër vjet më vonë nën fanellën e Greqisë do të bëhej Nënkampione Olimpike.
“Atlanta 1996”. Sensacioni do të ishte diku tjetër, megjithatë. Pesë sportistët shqiptarë do të përfaqësonin Greqinë dhe tre prej tyre do të rrëmbenin medalje olimpike. Ishin Pirro Dhima, Luan Shabani, Leonidha Goga, Agim Xhelili dhe Viktor Mitru. Pirro Dhima bëhet përsëri Kampion Olimpik, Luan Shabani dhe Leonidha Goga – Nënkampionë Olimpikë. Të nivelit botëror janë dhe dy jomedalistët Agim Xhelili dhe Viktor Mitru, të cilët renditen në vendin e katërt.
Mbërrin viti 2000 dhe Shqipëria, edhe për shkak të normave olimpike, shkon në Olimpiadë me vetëm pesë sportistë në vetëm tre sporte: peshëngritje (Ilirian Suli), qitje (Diana Mata) dhe atletikë e lehtë (Oltion Luli dhe Klodiana Shala). Pjesëmarrja ka megjithatë një vlerë të veçantë. Peshëngritësi Ilirian Suli renditet i 5-ti.
Kjo ishte arritja më e lartë olimpike e Shqipërisë, madje deri sot e kësaj dite, më 2017. Kur, nga ana tjetër, katër shqiptarë, tashmâ të Greqisë, kanë shpërthimin e tyre të pandalshëm: Pirro Dhima – Kampion Olimpik për herë të tretë rresht duke hyrë në “sallën e famës” të të gjitha olimpiadave, çast kur “Sport Illustrated” e SHBA-së – revista më e famshme sportive e botës – i jep dy faqe vend fotos së tij, duke quajtur “Luani i Himarës”! Nga ana tjetër, Luan Shabani, Viktor Mitru dhe Mirela Manjani janë Nënkampionë Olimpikë!
I kishte prodhuar sporti shqiptar.
Më 2004, në Lojërat Olimpike të Athinës, ku unë si gazetar jam i dërguar për herë të parë në Lojëra Olimpike, Shqipëria ndonëse rrit pjesëmarrjen në 7 sportistë, asnjeri prej tyre nuk mbërrin te renditja e Ilirian Sulit 2000. Renditja më e lartë është ajo e peshëngritësit Gerti Trasha (i 14-ti). Ndërkaq, edhe kësaj here shpërthimi greko-shqiptar është po aq i fuqishëm: Pirro Dhima bronz në peshëngritje, Mirela Manjani bronz në shtizën e saj. Kur papritmas shfaqet një përfaqësues i shkollës shqiptare të volejbollit me markë korçare: Donald Suxho i SHBA-së, ekip që renditet i katërti.
Dhe “Pekin 2008”. Ekipi shqiptar vendos rekordin e tij në pjesëmarrje. Shqipëria shkon me 11 sportistë dhe me 7 sporte pjesëmarrëse: peshëngritje, qitje, mundje klasike, mundje e lirë, xhudo, atletikë e lehtë dhe not. Peshëngritësja Romela Begaj shënon arritjen më të lartë: e 6-ta! Mbas saj vjen renditja e Elis Gurit në mundjen klasike ku ai është i 8-ti. Mbas pak, mbasi shqiptarët e tij “politikë” e kishin nxjerrë me forcën e bodigartëve nga mbledhja e KOKSH-it, ai do të braktisë Shqipërinë për Bullgarinë me të cilën do të fitojë titullin e Kampionit të Botës. Kësaj radhe atje do të jetë vetëm një pjesëmarrëse shqiptar “i huaj”: Vojsava Lika e Greqisë në shtizë, që renditet e 15-ta.
“Londra 2012”. Shqipëria shkon me 10 sportistë të pesë sporteve: peshëngritje, qitje, not, xhudo, atletikë e lehtë. Përsëri me rezultatin më të mirë në peshëngritje (Briken Çalja i 9-ti). Majlinda Kelmendi renditet e 9-ta “ex aequa” (me merita të barabarta) me shtatë xhudiste të tjera. Do të vijnë ndërkaq edhe tre shqiptarë “të huaj”: Vojsava Lika në shtizë për Greqinë (e 14-ta), Donald Suxho në volejboll për SHBA (e 5- ta) dhe Elis Guri në mundje për Bullgarinë (i 8-ti).
Ja ku vjen dhe “Rio 2016”, me të cilën Shqipëria arrin këto rezultate, duke vënë përpara secilit sportist vendin që ai ka zënë në Olimpiadë:
Peshëngritje * 69 kg – Meshkuj:
5.Briken Calja 326 kg (145+181)
Peshëngritje * 58 kg – Femra:
8.Evangjeli VELI 165 kg (75+90)
Atletikë e Lehtë * Së gjati – Meshkuj”
21.Izmir SMAJLAJ 7.72
Atletikë e Lehtë* 3000 m/p – Femra:
48.Luiza GEGA 9.58.49
Not * 50 m. i lirë – Meshkuj:
41.Sidni HOXHA 22.80
Not * 100 m. i lirë – Femra:
43.Nikol Merizaj 59.99
Në këtë pjesëmarrje ka vetëm dy risi: e para që Briken Calja arrin rekordin e Ilirian Sulit që gjithashtu është peshëngritës, duke u renditur edhe ai në vendin e pestë. Ndërkohë, ndodh që për herë të parë, një atlet i Shqipërisë renditet i 21-ti – çka për atletikën e Shqipërisë është renditja më e lartë në të 8 olimpiadat e saj. Nuk është pak kjo renditje për një atlet shqiptar. Izmir Smajlaj kaloi kështu renditjen më të lartë të më- parshme të atletikës sonë që i përkiste hedhëses së shtizës Mirela Manjanit: e 24-ta më 1996.
Problematika trishtuese e bilancit krahasues
Katër vjet më parë kemi shkruar këtu në “Panorama Sport” se KOKSH kurrë nuk ka bërë bilance kësisoji. Dhe të bësh bilance do të thotë të njohësh gjendjen dhe mandej të ndërtosh strategjinë e re dhe të vendosësh për masat që do të marrësh dhe të fillosh vënien në jetë të tyre. Çfarë është bërë? Madje vjen dhe pyetja tjetër: çfarë është përimtuar nga KOKSH, nga Ministria përkatëse që sportin e ka dhe në emërim, kur kanë kaluar pesë muaj nga mbarimi i “Londra 2016”? Ku është strategjia e re, masat e reja të marra, fillimi i vënies në jetë të tyre?
Mospërgjigjja e këtyre pyetjeve, mosveprimi, heshtja, vonesat, mungesa e vënies para përgjegjësisë të autorëve të një vendnumëro të pashembullt të Shqipërisë në Olimpiada, tregon se harresa është armikja më dinake e mosprogresit olimpik shqiptar. Dhe qeveri, ministri e shtet që heshtin, madje as që duan t’ia dinë. Me sa duket do t’ia dijë vetëm gazetari….
Dhe le të vazhdojmë me pasurimin e përimtimit tonë mbas atij të vitit 2012.
RENDITJA UNIVERSALE
Kjo është e para. Është renditja universale e sportistëve shqiptarë, të cilët kanë arritur renditjet më të larta duke vënë para emrit të secilit vendin që kanë zënë në 8 Olimpiadat. Këtu kemi vendosur 10 renditjet (me shifra romake) më të larta të sportistëve shqiptarë. Kam dhënë edhe renditjet që kanë zënë secili sportist (në bold me shifra arabe) në olimpiadat përkatëse.
Janë pra 10 renditjet vetjake më të mira të arritura prej 19 sportistëve shqiptarë (për shkak se disa hyjnë në dhjetëshe edhe dy herë), të cilët kanë arritur të renditen nga vendi i 17-të e lart. Kjo do të thotë se ata kanë hyrë në 17-shen e botës kur dihet se CIO ka 204 shtete anëtare. Nuk ndihemi fort krenarë për arritjen e tyre dinjitoze, ngaqë në tanëi progresi nga njëra Olimpiadë në tjetrën mungon.
Dhe vërejmë ndërkaq se janë vetëm 5 sporte: peshëngritja, mundja klasike, mundja e lirë, xhudo dhe qitja.
Vetvetiu lind pyetja: mos janë këto pesë sportet me të cilat duhet të merret më fort Shqipëria?
Siç shihet nga tabela, peshëngritja është absolute, jo vetëm se nga këto 19 sportistë të dhjetëshes sonë më të mirë, plot 12 renditje u përkasin peshëngritësve, madje edhe tre vendet e para (I.Suli, B.Çalja, R.Begaj), por sepse dihet se çka bënë ndërkaq, Pirro Dhima me shokë nën flamurin e Greqisë.
E pra, çfarë studimi, trajtimi, përparësie iu blatojmë ne këtyre sporteve?…
Është e vërtetë. Për peshëngritjen është bërë shumë, ndërsa mendoj se është bërë shumë pak prej KOKSH. Por është shumë më tepër prej vetë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, sidomos me në krye presidentin e saj, sot “President Nderi”, Esat Ademi – deri më sot i vetmi shqiptar që ka arritur të jetë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të një Federate Sportive Botërore, të famshmes Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF), përveçse edhe të asaj Europiane. Por tashmâ na duhet të bëjmë shumë më tepër se kaq. Dhe nëse Shqipëria kërkon të synojë diçka më tepër në Olimpiada, për peshëngritjen milionat nuk duhet të rreshtin. Po a ka páre? Papritmas, këto ditë dëgjova se është blerë për një rrogë prej 60.000 euro në muaj një futbollist i huaj i cilësisë mesatare!…
RENDITJET MË TË LARTA MESATARE
Le të kalojmë tash te një bilanc tjetër. Në cilat Olimpiada, Shqipëria ka arritur rezultatet më të larta në tanësi, si të thuash, renditjet më të larta mesatare të saj? Do t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje duke marrë renditjen e çdo sportisti në secilën Olimpiadë, do t’i mbledhim ato dhe do t’i pjesëtojmë me numrin e sportistëve pjesëmarrës në secilën Olimpiadë. Kështu del renditja mesatare e Shqipërisë në tanësi në garat që ajo ka marrë pjesë për secilën Olimpiadë:
Siç shihet, del se vendin e parë si më e suksesshmja për Shqipërinë tepër modeste olimpike, ka qenë “Atlanta 1996”, ku mesatarja e renditjes së shqiptarëve ka qenë vendi i 22-të. Dhe, mbas saj, “Londra 2012” me mesataren e renditjes 23.7. Mbas së cilës vjen “Rio 2016” me mesataren e renditjes 27.6. Mû për këtë them se “Rio 2016” ishte një “dështim”. Dhe duhet heshtur? Heshtje, heshtje dhe vetëm heshtje?…
RENDITJA E OLIMPISTËVE “BRAKTISËS” TË SHQIPËRISË
Shkojmë tash te një renditje që tregon renditjet mesatare të olimpistëve shqiptarë, të Pirro Dhimës me shokë, të cilët arritën në këto Olimpiada duke përfaqësuar shtete të tjerë. Tek është:
Vendin e parë si Renditja më e suksesshmja për shqiptarët, të cilët kanë përfaqësuar shtete të tjerë, ka qenë “Barcelona 1992”, ku mesatarja e renditjes së shqiptarëve ka qenë eprore, vendi i 1-rë, i arti pra! Falë Pirro Dhimës. Dhe, mbas saj, “Sidney 2000”, me mesataren e renditjes 1.75, ose 2, argjend pra. Mandej “Atlanta 1996”, me 2.60, bronz! Gjithçka e madhe mbyllet në “Athinë 2004”.
Le të bëjmë tash një krahasim tjetër. Duke mbledhur 6 përfaqësimet e Shqipërisë na del se mesatarja e renditjes për shqiptarët në të gjitha pjesëmarrjet e tyre ka qenë vendi i 30-të, ndërsa mesatarja e renditjes së shqiptarëve “të huaj” ka qenë vendi i 6-të.
Kujtoni tash se cilët janë këta shqiptarë “të huaj” të mesatares së nivelit më të lartë botëror të renditjes së tyre (vendi i 6-të), mbrenda së cilës shkëlqen më fort se asgjë ari, argjendi e mandej bronzi ose aty pranë. Ata janë Pirro Dhima, Luan Shabani, Leonidha Goga, Agim Xhelili, Viktor Mitro, Mirela Manjani, Vojsava Lika, Donald Suxho, Elis Guri, Sahit Prizreni.
Janë 10 sportistë, të cilët, në 20 vjet Olimpiada mesatarisht janë renditur te vendi i 6-të dhe çka është më e rëndësishme kanë fituar 3 medalje ari, 5 argjendi dhe 3 bronzi. Gjithçka nën fanellat e shteteve të tjerë. Asnjeri prej tyre nuk ka shkuar fëmijë apo fillestar në shtetet e tjera. Pothuajse të gjithë kanë shkuar atje sportistë të gatshëm të përgatitur në Shqipëri, madje me tituj ballkanikë dhe deri europianë.
E pra, si arritën që mbrenda një periudhe krejt të shkurtër këta sportistë shqiptarë të ngjiten në majat e sportit olimpik? Pyetje e vjetër. Përgjigjet më të shpejta të kësaj pyetje të suksesit të tyre të madh natyrisht janë dy:
1.Sepse Shqipëria ka ditur t’i formojë këta sportistë për majat e sportit botëror.
2.Sepse shtetet që i morën kanë ditur t’i ngjitin ata në olimpin botëror.
RENDITJA MEDALISTE E EUROPËS PËR RIO 2016
Do ta mbyllim këtë studim modest tonin të stilit historiko-gazetaresk, jo shkencor, me moralin e fabulës që na e jep RIO 2016. Do ta paraqesim duke botuar renditjen medaliste të shteteve të Europës dhe atë të Ballkanit. Tek janë:
Shqipëria, natyrisht, asnjë medalje edhe kësaj here. Kanë fituar medalje 38 shtete europiane. Shqipëria bën pjesë te katërshja e përbërë nga Mali i Zi, Bosnja Hercegovina dhe Moldavia – të vetmet europianë që në “Rio 2016” nuk morën medalje.
Ndërsa në Renditjen e Ballkanit, e këtu kam përfshirë edhe Slloveninë, që nuk e quan më veten Ballkan, ndonëse gjeografikisht është pjesë e gadishullit. Edhe këtu Shqipëria vetvetiu është pjesë e katërshes me “zero” medalje: Mali i Zi, Bosnja Hercegovina dhe Moldavia. Por ajo çka këtu është e rëndësishme, është kjo tjetra: katër Ballkanikë janë midis 16 shteteve më të parë të Europës Olimpike: Kroacia e 9-ta, Greqia e 12- ta, Serbia e 16-ta. Madje, në renditjen e medaljeve për shtetet e gjithë botës, Kroacia është e 17-ta dhe Greqia e 26- ta në botë midis 100 shteteve, të cilët fituan medalje.
Për fat, në tanësi, Shqipëria bën pjesë edhe në një familje tjetër, mjaft të vogël, atë të shteteve të Europës në 30 Olimpiada të derisotme nuk kanë fituar asnjë medalje: Shqipëria, Andorra, Bosnja Hercegovina, Liehtenstejni, Malta, Monaco, San Marino. E kaloi edhe Kosova debutuese!
Shqipërisë i takon megjithatë që, midis kontradiktës së lindjes e formimit të talenteve të mëdha dhe asaj të mosarritjes së rezultateve më të larta me ta, të luftojë për një projekt të ri olimpik. Ky është problemi. Problem që ka të bëjë me sportin, me politikën, me ekonominë, me shkencën, me vlerësimin, me olimpizmin, me trajnerët, me klubet, me federatat sportive, me sponsorët, me objektet sportive, me Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve, me qeverinë, me shtetin, me mendësinë, me ligjet, me shkollën, me diturinë, me largpamësinë, me kulturën, me gazetarinë, me atdhetarinë. Dhe, mbi të gjithë, me Komitetin Olimpik Kombëtar.
Për atë që e do sadopak këtë vend, e pra dhe lëvizjen sportive të tij, RIO 2016 fton që ai të ndryshojë urgjentisht për të ndryshuar krejtësisht strategjinë, organizimin, strukturën, kushtet dhe shkencën e mirëfilltë sportive nëse kjo sot ekziston në Shqipëri. Natyrisht të gjitha këto nuk mund të bëhen pa ndryshuar njerëzit. Duke ia filluar nga KOKSH, të cilit për Shqipërinë i shkon për së mbari organizimi ku të gjithë presidentët e federatave të sporteve të jenë anëtarë të Presidiumit të (Kryesisë a Komitetit Ekzekutiv) të KOKSH. Ndërsa në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve duket qartë se, me ndonjë përjashtim të vogël, mungojnë njerëzit e dijeve olimpike. Ndoshta përjashtimi ka të bëjë me një vendim të mirë të kohëve të fundit: shtimi në 3 orë në javë të edukimit fizik në shkolla dhe të ngritjes së Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor. Bukur vërtet!
Këto ditë kam qenë në Ministrinë e Arsimit që quhet edhe e Sporteve. M’u duk luks, përtej mundësive të Shqipërisë. Nuk e njoha zyrën time të kryeredaktorit në të cilën kam punuar nja 12 vjet të mira. Dhe mendova për njerëzit, teksa pyeta veten: a nuk duhet të punojnë në Ministrinë e Arsimit e të Sporteve (sigurisht të marrë me konkurs) njerëz të dijeve të përparuara e moderne sportive e olimpike?
Fund
* Për vazhdimësi shih Kapitujt I, II, III të kësaj teme në “Panorama Sport”, 14 dhjetor 2016 dhe 9, 19 janar 2017.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"