Shtegtojnë të rinjtë beratas, dy shkojnë te Skënderbeu dhe një në Gjermani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 15:00

Shtegtojnë të rinjtë beratas, dy shkojnë te Skënderbeu dhe një në Gjermani

Edhe pse Tomori ka rënë në Kategorinë e Dytë, kjo nuk i pengon klubet vendase, apo ato të huaja, që të hedhin sytë nga talentet e futbollit beratas. Këta të fundit, gjithnjë e më shumë janë duke tërhequr vëmendjen e menaxherëve, duke spikatur me aktivizimin e tyre me ekipet e moshave.

ALTEO VRAPI TOMORI

Disa prej tyre vijnë të përgatitur nga një shkollë e re futbolli në Berat, Akademia “Arbëri”, ku punojnë prej disa viteve, emra nga më të njohurit e Tomorit në vite si Theodhori, Klodian dhe Polizoi Arbëri. Kjo akademi po shërben si oksigjen për ekipet e moshave të Tomorit. Gjatë kësaj jave, janë kryer lëvizjet e tre të rinjve të perspektivës në Berat. Sulmuesi 18-vjeçar, Klejdon Arbëri dhe mesfushori 17-vjeçar, Xhitjon Bega, janë bërë pjesë e skuadrës së Skënderbeut U-19, ku kanë zhvilluar edhe stërvitjet e para.

Dy futbollistët konsiderohen si elementë të perspektivës, por afrimi i tyre është në funksion të ekipit të parë. Mësohet se dy beratasit, që kanë pasur edhe një eksperiencë me Bylisin dhe Partizanin në ekipet e moshave në Superiore, ende nuk kanë firmosur. Ata do të shqyrtojnë fillimisht kushtet dhe planet e korçarëve, pasi duan të mësojnë nëse janë planet e skuadrës së parë që militon në Superiore.

Megjithatë, ata janë vendosur në dispozicion të skuadrës së 19-vjeçarëve, nga ku dhe ka nisur vëzhgimi dhe testimi i tyre. Po kështu, edhe sulmuesi 19-vjeçar, Alteo Vrapi, ka hedhur një hap të rëndësishëm në Gjermani. Ai është bërë pjesë e skuadrës “SV Munchen Vest II”, ku edhe ka vazhduar përgatitjet.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"