Shtubina pranë Teutës: Kontrata në Shkodër më mban peng, por unë dua të largohem
Ndriçim Shtubina, me shumë mundësi, mund të mos jetë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ardhshëm. Mesfushori i krahut ka një ofertë konkrete nga klubi i Teutës. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe vetë lojtari. Shtubina ka një kontratë edhe për dy sezone të tjera me Vllazninë dhe kjo është pengesa kryesore që lojtari shtatshkurtër i mesit të fushës të nënshkruajë për ekipin bregdetar. “Kam pasur një ofertë nga një tjetër klub i Superiores, por nuk arrita që të gjeja gjuhën e përbashkët. Ndërsa mund të them se kam rënë plotësisht dakord me drejtuesit e klubit të Teutës për të qenë pjesë e këtij ekipi për sezonin e ri. Mund t’ju them se gjërat për sa i përket marrëveshjes mes nesh janë kryer, tani mbetet që unë të marr letrat në klub, pasi kam kontratë edhe për dy vite me shkodranët. Kam një klauzolë në kontratë dhe shpresoj që kjo të zbatohet”, – u shpreh Shtubina në prononcimin e tij.
Bisedimet Lojtari, që ka kryer bisedimet me durrsakët dhe i ka mbyllur pozitivisht ato, pret që të mbyllë pozitivisht diskutimet me drejtuesit e klubit shkodran. Nga sa mësohet prej Shtubinës, ai ka pasur të hënën një takim me drejtorin sportiv Armir Grima dhe pret që brenda dy-tre ditëve të marrë një përgjigje definitive për këtë çështje. Largimi i Shtubinës mund të prishë shumë planet e shkodranëve, të cilët e kanë konsideruar lojtarin pjesë të planeve të tyre për sezonin e ri. “Kam folur me drejtorin sportiv Armir Grima për sa i përket asaj që duhet për të bërë, në mënyrë që të largohem nga Vllaznia. Pak ditë më parë kam folur me të për sa i përket të ardhmes së klubit dhe i kam kërkuar që, nëse klubi do të jetë sërish në duart e bashkisë, të më lënë të lirë të largohem. Edhe të hënën kam folur me Grimën dhe më ka thënë që do të marrë një përgjigje pas dytre ditësh. Shpresoj dhe besoj që të jetë ajo e duhura. Natyrisht që ai nuk ka pasur qejf që të largohem në këto momente nga Vllaznia, por e kam ndërmarrë një vendim të tillë, pasi nuk po shikoj se gjërat po shkojnë siç të gjithë prisnin. E kam deklaruar se, nëse Vllaznia e këtij sezoni nuk do të ndryshojë në mënyrën e drejtimit të saj nga ajo e kampionatit të shkuar, unë do kërkoj të largohem nga skuadra”, – përfundon prononcimin mesfushori shkodran Shtubina. Gjatë ditëve në vazhdim do të ketë zhvillime në lidhje me këtë çështje.
Klubi mund t’i mbetet bashkisë
Megjithëse gjatë javëve të para pas përfundimit të kampionatit u përfol shumë se klubi i Vllaznisë do të privatizohej dhe do të administrohej nga një kompani zvicerane, një gjë e tillë nuk ndodhi. Madje, projekti u dërgua edhe në Bashkisë e Shkodrës dhe palët ishin shumë pranë zyrtarizmit të marrëveshjes. Por, gjithçka ngeci në disa pika të ndryshme, në një kohë që në lojë u fut edhe ish-presidenti i skuadrës, Valter Fushaj. Por, një ditë më parë, kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka, deklaroi se nuk ka asnjë ofertë bindëse për Vllazninë. Në këtë mënyrë, gjasat janë që klubi të administrohet sërish nga bashkia edhe për sezonin e ri.
Mesfushori kërkon privatizimin
Mesfushori Ndriçim Shtubina ndien keqardhje, për faktin se gjërat nuk po shkojnë siç duhet për sa i përket Vllaznisë. Ai ka qenë dhe mbetet i mendimit se ekipi duhet të ishte privatizuar. “Më vjen keq që nuk po arrihet një marrëveshje që Vllaznia t’i kalojë privatit. Unë e shikoj të vështirë sezonin e ardhshëm për skuadrën nëse do vijoj të jetë përsëri bashkia. Mesa duket, deri tani institucioni vendor do vazhdojë ta drejtojë këtë klub, pavarësisht se siç kemi mësuar ka bërë të gjithë përpjekjet që të bëjë të munduar kalimin e klubit në duart e biznesit. Nuk e dimë atë që mund të ndodhë më vonë, por mendoj se jemi të vonuar për sa i përket sezonit të ri”, – thotë lojtari.
Kërkohet trajner, ekipi në “ajër”
Askush nuk di të thotë për momentin se çfarë do të ndodhë me Vllazninë e sezonit të ardhshëm. Akoma nuk është vendosur se nga kush do të menaxhohet skuadra, në një kohë që të gjithë janë në pritje të një vendimi përfundimtar. Ende nuk është vendosur për trajnerin e ri. Armando Cungu është emri më i përfolur gjatë ditëve të fundit, ndërsa drejtori sportiv Armir Grima ka bërë të ditur se do të afrohen 3-4 lojtarë cilësorë gjatë merkatos së verës. Nga ana tjetër, tifozët kuqeblu janë në pritje të zhvillimeve të fundit në klub, në një kohë që janë kundër faktit që ekipi të mbetet në dorën e bashkisë.
ADMIR URUÇI