Siguria e Apolonisë në sezonin e fundit erdhi nga porta, meritë ka edhe trajneri Josel Shtrepi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2024 | 13:41

Siguria e Apolonisë në sezonin e fundit erdhi nga porta, meritë ka edhe trajneri Josel Shtrepi

Apolonia ka pasur një prej mbrojtjeve më të mira të Kategorisë së Parë në sezonin e fundit. Ky sukses lidhet edhe me punën që ka bërë trajneri i portierëve, Josel Shtrepi, i cili ka ditur të përzgjedhë portierët dhe ringrejë moralisht grupin.

josel shtrepi apolonia

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i portierëve të Apolonisë, Josel Shtrepi, analizon sezonin, si dhe tregun detaje të punës së përditshme.

Si e patë sezonin e fundit dhe çfarë mund të bënte më mirë Apolonia?

Sezoni i sapo përfunduar ishte pozitiv në tërësi. Apolonia luftoi fort deri në finalen e “play off”-it kundër Flamurtarit. Penalltitë janë edhe çështje fati. Mendoj se duhet të kishim grumbulluar më shumë pikë me ekipet, të cilat nuk kishin kualitetin e Apolonisë.

Ju vjen keq për eliminimin me penallti në fazën “play off” dhe ku gaboi Apolonia ndaj Flamurtarit?

Më vjen shumë keq që nuk e arritëm dot objektivin për të qenë në Superiore. Për të mos rrezikuar asgjë, ne mund dhe duhet të kishim bërë më mirë në grumbullimin e pikëve, sepse ekipi i kishte të gjitha elementet në favor për të qenë konkurrues, dinjitoz dhe pretendent.

Në “play off” ndikoi më së shumti lodhja. Ishim shumë të ngarkuar dhe eksperienca bëri të sajën te 11-metërshat. Kundër Flamurtarit, ishim superiorë gjatë lojës dhe kishim mundësi që ta merrnim fitoren pa e çuar te penalltitë, pasi vlonjatët kishin një lojtar më pak.

Nga një ekip që pësonte shumë te një ,mbrojtje solide. Çfarë ndodhi me mbrojtjen e Apolonisë në tërësi në sezonin e fundit?

Skuadra është e përbërë nga djem të rinj, por që kanë kohë që luajnë krah njëri-tjetrit. Harmonia në ekip ishte gjithmonë shumë e mirë dhe djemtë kishin mentalitet fitues. Duhet të përmend se edhe taktikat e profesor Mërgjyshit, që janë vërtet të detajuara dhe skuadra ka ditur t’i shpalosë më së miri në fushë.

Jeni i kënaqur me paraqitjen e portierit Harizaj?

Romeo ishte kapiteni i skuadrës dhe padyshim një pikë shumë e fortë. Ishte pjesë e rëndësishme e suksesit dhe unë kam pasur fatin që kam punuar me të sezonin e sapo përfunduar. Mendoj se çdo ekip që do të përfitojë shërbimet e tij do të jetë i qetë në pjesën e portës.

Këtë sezon u afirmuan edhe të rinjtë, Bega dhe Xhemali. Është porta një garanci për Apoloninë e kampionatit të ardhshëm?

Promovuam dy të rinj si Bega dhe Xhemali, të cilët janë e ardhmja e portës fierake. Megjithatë, jemi duke punuar fort që porta e Apolonisë mos të ndiej ndryshimin, por të jetë përsëri një garanci për ekipin.

Sa i përket të ardhmes, do të vazhdoni të jeni pjesë e Apolonisë?

Të punosh në këtë klub është një kënaqësi e veçantë dhe njëkohësisht një detyrë e vështirë. Kërkesat janë të larta, kushtet janë optimale për të punuar qetësisht dhe për të marrë rezultate pozitive. Do të punoj në këtë klub duke investuar shumëçka për të ofruar siguri në portën fierake.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"