Vioresin Sinani thotë mjaft: E mbyll si futbollist në fund të këtij edicioni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2012 | 8:04

Vioresin Sinani thotë mjaft: E mbyll si futbollist në fund të këtij edicioni

Vioresin Sinani në fund të këtij sezoni do t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur. Kapiteni për shumë vite i Vllaznisë ka deklaruar dje për “Panorama Sport”, se ky do të jetë sezoni i fundit në fushën e lojës. Në fazën e parë të 2011- 2012, sulmuesi ka zhvilluar shumë pak ndeshje, kjo edhe për shkak të dëmtimit që pati që në fillim të sezonit. Pas ardhjes së teknikut Rudi Vata ai u emërua si zëvendës i këtij të fundit, duke mbajtur ndërkaq edhe statusin e lojtarit.
Sinani, a mund të thuhet se ky është sezoni juaj i fundit?
Po, në fund të këtij sezoni do ta lë futbollin, por nuk mendoj se do të ndahem prej tij. Mendoj se gjithçka ka një fund dhe ky tani për mua ka mbërritur.
Keqardhje?
Natyrisht që ka mjaft keqardhje, por kjo është me radhë dhe tani mesa duket radha më ka ardhur mua.
Jeni lojtari që ka shënuar më shumë në historikun e kampionateve, ju kënaq ky fakt?
Në radhë të parë është kënaqësi që je një golashënues dhe për më tepër, i pari ndër to. Por mund të them se kjo nuk ka qenë vetëm merita ime, por edhe e gjithë atij brezi lojtarësh me të cilët unë kam punuar. Besoj se do të vijnë të tjerë lojtarë që të bëjnë emër dhe të arrijnë atë që unë mendoj se e kam arritur.
Tani jeni në postin e zv.trajnerit, duket se ka filluar t’ju pëlqejë ky zanat…
Ai që lë futbollin, natyrisht do të kërkojë që të vijojë punën e tij në fushën e trajnimit. Për mua ky bashkëpunim me teknikun Vata është tejet frytdhënës dhe natyrshëm edhe frymëzues për të ardhmen time në këtë fushë.
Do ta shikojmë Sinanin në krye të Vllaznisë?
Këtë nuk mund ta them, por mund të them se më duhet në radhë të parë shumë punë, shumë përpjekje dhe specializime për të drejtuar futbollin shkodran. Megjithatë, e ardhmja ime do të jetë pranë futbollit dhe pranë Vllaznisë.
Po flitet për afrimin e Likës e Balës, cili është mendimi juaj?
Afrime të tilla si Lika e Bala do të jenë me shumë vlerë për ekipin e Vllaznisë. Unë i njoh që të dy këta lojtarë dhe për më tepër njoh vlerat e tyre. Kësi afrimesh do të bëjmë që skuadra të jetë më mirë. Janë lojtarë cilësorë dhe për më tepër me vlerat që kanë treguar, janë bërë të domosdoshëm për çdo skuadër.
Pavarësisht atyre që mund të afrohen, si e shikoni të ardhmen?
Mund të them se jam optimist për të ardhmen e kësaj skuadre që sot edhe drejtoj. Nuk duhet të jemi skeptikë dhe të shikojmë se çfarë ka ngjarë. Unë kam besim për të ardhmen se do të arrijmë të tjera rezultate.

208 GOLA ka shënuar Sinani në karrierën e tij futbollistike. Ai është aktualisht golashënuesi më i mirë shqiptar dhe pjesë e formacionit historik më të mirë të skuadrës së Vllaznisë.
ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"