Sinjale zgjimi nga Kukësi, lojtarët lajmërohen për fillimin e punës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 14:10

Sinjale zgjimi nga Kukësi, lojtarët lajmërohen për fillimin e punës

Lajme shprese dhe për Kukësin, pasi më në fund kanë nisur të “trazohen” ujërat edhe te verilindorët. Deri tani klubi ka njohur veç largime dhe ende nuk ka nisur përgatitjet. Mirëpo, mësohet se klubi ka njoftuar të gjithë lojtarët që janë nën kontratë si, Salami, Hasaj, Rashiti etj., duke u treguar edhe programin stërvitor.

Kukesi

Lojtarët janë informuar se duhet të jenë gati në datat 24 ose 29 korrik, që shihen si më të mundshmet për të startuar nga përgatitjet për sezonin e ri në Kategorinë e Parë. Në skenarin më të keq, do të nisin në fillim të gushtit. Këto janë sinjalet e para që verilindorët të “zgjohen” dhe t’i japin fund pushimeve, që zgjasin nga mesi i muajit maj, pas humbjes së finales së Kupës. Siç dihet, çelësat e pankinës do t’i besohen Oltion Kërnajës, i cili sezonin e kaluar ka qenë ndihmës trajner në këtë klub. Edhe pse skuadrës i janë larguar shumë lojtarë, të gjithë atyre që u ka mbaruar kontrata dhe ndonjë tjetër me të cilin është ndërprerë me mirëkuptim, klubi ende mbahet fort pas disa elementëve cilësorë.

Salami, Rashiti dhe Hasaj janë tre pre tyre, që nëse Kukësi do të rezistojë t’i mbajë deri në fund, mund të futet edhe në rangun e pretendentëve. Sakaq, mësohet se edhe në merkato kanë qarkulluar disa emra në tryezën e klubit, të cilët mund t’i bashkohen ekipit në vijim. Gjithsesi, për momentin, rëndësi ka që stërvitja të nisë sa më parë dhe Kukësi i këtij sezoni të zbresë në fushë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"