“Sirena” holandeze për Abazajn, u ka pëlqyer agjentëve të Herenvenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2017 | 10:47

“Sirena” holandeze për Abazajn, u ka pëlqyer agjentëve të Herenvenit

Kristal Abazaj përfundon në orbitën e klubit holandez, Herenven. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime në klubin e Luftëtarit se skuadra e kampionatit “Erdivisie” ka shprehur interesim konkret për talentin me origjinë nga Tropoja. Abazaj është nën kontratë me Luftëtarin deri në verën e vitit 2019 dhe për transferimin e tij, klubi gjirokastrit pritet të kërkojë një shifër të majme.

kristal abazaj

Deri më tani Luftëtari ka refuzuar të gjitha ofertat, qoftë për Abazajn, por po ashtu edhe për mesfushorin vlonjat, Dejvi Bregu. Megjithatë, në javën e ardhshme pritet që presidenti Grigor Tavo të shqyrtojë të gjitha kërkesat e ardhura për “xhevahiret” e tij. Pak muaj më parë, Luftëtari refuzoi një klub të Superligës austriake për Bregun, ndërsa tashmë mbetet për t’u parë se si do të veprojë me lojtarin e Kombëtares U-21.

Mësohet se agjentë të Herenvenit kanë ndjekur Abazajn në ndeshjet e kampionatit dhe ato që ka luajtur me Shpresat. Nuk dihet nëse Herenven ka bërë ofertë zyrtare në klub, por burime pranë lojtarit tregojnë se kjo pistë përflitet prej ditësh dhe gjasat janë që të ketë diçka konkrete në muajin e ardhshëm. Shkëlqimi i Abazajt në sezonin e tij të parë në Superiore ka bërë që ofertat për sulmuesit të jenë të shumta, jo vetëm nga klubet elitare shqiptare, por edhe jashtë vendit.

Organizimi

Luftëtari duket përfundimisht se e ka humbur shansin e fundit për të qenë në Kupat e Europës. Vendimi i Komisionit të Etikës ka mjaftuar që skuadra gjirokastrite të mendojë seriozisht për nisjen e punës në kuadër të sezonit të ardhshëm futbollistik.

Edhe pse mungojnë emrat e lojtarëve që priten t’i bashkohen skuadrës së Luftëtarit në merkaton e verës, pavarësisht dëshirave të drejtuesve gjirokastritë, përpos heshtjes së ditëve të fundit, burime të besueshme bëjnë të ditur se drejtuesit po punojnë për të ardhmen. Krahas ruajtjes së grupit, pjesë e Luftëtarit për sezonin e ardhshëm priten të jenë dhe futbollistë të rinj cilësorë.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"