EKSKLUZIVE/ Skandali i FSHF-së me paratë e UEFA-s, zbulohet dokumenti që nxjerr blof institucionin e futbollit (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 0:00

EKSKLUZIVE/ Skandali i FSHF-së me paratë e UEFA-s, zbulohet dokumenti që nxjerr blof institucionin e futbollit (FOTO)

Gazeta “Panorama Sport” publikoi dje lajmin se përmbarimi i ka bllokuar FSHF-së llogaritë bankare. Shkak për këtë është bërë fakti që FSHF duhet të njoftonte zyrën e përmbarimit, e cila më parë ka bllokuar llogaritë e Tiranës, pasi ky klub rezulton debitor.

duka

FSHF e ka shpërfillur këtë kërkesë të zyrës së përmbarimit dhe dyshohet se paratë nga e drejta televizive dhe nga pjesëmarrja në Kupat e Europës nuk i ka kaluar të gjitha nëpërmjet llogarive zyrtare të Tiranës, por nëpërmjet llogarive të tjera.

Kjo e ka detyruar zyrën e përmbarimit të bllokojë edhe llogaritë e FSHF-së. Ndërkohë, pas publikimit të lajmit në gazetë ka reaguar edhe federata, duke deklaruar se nuk ka asnjë llogari të bllokuar.

Natyrisht, institucioni i futbollit është në të drejtën e tij të reagojë, por jo të gënjejë për herë të dytë. Për transparencë ndaj publikut, gazeta disponon edhe dokumentin që e nxjerr blof FSHF-në.

PADIA NË GJYKATË

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të bëjë padi në gjykatë më 15 nëntor të vitit 2021 për pezullimin e ekzekutimit të veprimeve përmbarimore (siç shihet qartë edhe në dokumentin që ka siguruar gazeta). Kërkesa e FSHF-së konsiston në dy pika:

1. Kundërshtimin dhe anulimin e veprimit përmbarimor “Urdhër për vënien e sekuestros për llogarinë e të tretit” me nr. 168/19 prot., datë 10.11.2021 për përmbaruesit privat.

2. Pezullimi i ekzekutimit të veprimeve përmbarimore kundrejt paditësit Federata Shqiptare e Futbollit. Ndërkaq, siç shihet edhe në dokument, data e seancës së parë është 06.12.2021.

Thënë këtë, lind një pyetje e thjeshtë: Nëse FSHF nuk i ka llogaritë të bllokuara nga përmbarimi, pse ka vendosur të bëjë padi në gjykatë kundër zyrës përmbarimore private dhe të kërkojë pezullimin e vendimit? Përgjigjja është e qartë për të gjithë opinionin publik…

SKANDALI I FSHF-së

Problemi në gjithë këtë situatë është që përveç parave nga e drejta televizive, FSHF ka vendosur të evitojë shkresat e përmbarimit edhe për paratë që akordon UEFA për klubet shqiptare. Kjo ndoshta shpjegon edhe nervozizmin e FSHF-së në reagimin e saj.

Për ta bërë më të qartë: Federata është njoftuar nga zyra përmbarimore se klubi Tirana i ka llogaritë të bllokuara dhe çdo transfertë që do të bëhet në arkat e bardhebluve do të duhet të njoftojnë përmbarimin, siç e parashikon edhe ligji. Mirëpo, FSHF-ja ka shpërfillur totalisht ligjet e shtetit, duke i kaluar Tiranës paratë e UEFA-s në rrugë të tjera.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se pas disa njoftimeve me shkresë në adresë të FSHF-së nga zyra e përmbarimit “se ku janë paratë që ka akorduar UEFA dhe ato të të drejtës televizive për Tiranën dhe si i kanë kaluar ato klubit bardheblu ndërkohë që llogaritë i ka të bllokuara”, atëherë kanë paralajmëruar se do t’i bllokojnë llogaritë edhe FSHF-së.

Pasi i kanë lënë kohë mjaftueshëm dhe janë kryer të gjitha procedurat, ka ardhur edhe vendimi për t’i bllokuar llogaritë FSHF-së.

Skandaloze! Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të sfidojë shtetin dhe të kryejë transaksione parash me kundërvajtje të tilla, duke krijuar një precedent të rrezikshëm dhe duke “bekuar” paligjshmërinë mbi transparencën financiare në futbollin që ajo organizon.

DOKUMENTTI I FSHF

Faksimile e padisë që ka bërë federata në gjykatën e Tiranës për zhbllokimin e llogarive bankare

GJYQI MË 6 DHJETOR

FSHF-së i janë bllokuar llogaritë nga zyra përmbarimore private më 11 nëntor të vitit 2021, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit ka ngritur padi kundër këtij vendimi më 15 nëntor. Seanca gjyqësore për këtë çështje është caktuar të mbahet më 6 dhjetor të këtij viti.

E sigurojmë FSHF-në se “Panorama Sport” do të jetë aty për seancën e planifikuar në orën 11:30. Aty, sy më sy, siç kemi qenë gjithnjë përballë federatës dhe kujtdo tjetër që ka bërë shkelje.

Investigimi ynë nuk do të përfundojë asnjëherë, sepse FSHF-së nuk i pëlqen media e lirë, por vetëm pasi të jetë zbardhur e vërteta.

Madje, do të kërkojmë transparencë deri në UEFA për paratë që ajo jep për klubet shqiptare dhe që për gafa të FSHF-së, nuk mbërrijnë kurrë në destinacion.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Skandal me fondet e UEFA-s, bllokohen llogaritë e FSHF për transferta të jashtëligjshme. Përfshihet edhe Tirana

FSHF dhe borxhet e klubeve, në Asamblenë e Jashtëzakonshme u miratua një nen që kompromenton garën

Skandali me paratë e UEFA-s, Braçe tallet me Dukën: Mos, ç’është kjo gjëmë! Tani që dolëm…

Histori abuzimesh nga FSHF me fondet e UEFA-s, kur zhdukeshin miliona euro për fëmijët shqiptarë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"