Skandali i FSHF-së me fondin e solidaritetit/ Investigimi i “Panorama Sport” nxori blof federatën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 20:01

Skandali i FSHF-së me fondin e solidaritetit/ Investigimi i “Panorama Sport” nxori blof federatën

Rreth gjashtë vite më parë, gazeta “Panorama Sport” pati bërë një investigim lidhur me fondin e solidaritetit që ka dhënë UEFA për futbollin e të rinjve në Shqipëri. Në artikullin e publikuar në muajin nëntor të vitit 2016, gazeta sqaroi mënyrën se si është vepruar nga FSHFja me fondet që ka dhëna UEFA për klubet shqiptare që prej vitit 2003.

Investigimi i Panorama Sport

Gjashtë vite më parë, ishte vetë institucioni i futbollit që njoftoi klubet se si mund të përfitonin të ardhurat nëpërmjet projekteve që do të dorëzonin. Në fakt, një shpjegim të tillë FSHF-ja duhet ta kishte bërë që në 2003-shin, kur UEFA filloi të kalonte rregullisht në arkat e FSHF-së shuma të konsiderueshme për klubet tona.

Këto shuma, të cilat jepeshin si fond solidariteti nga të ardhurat e Ligës së Kampioneve, duhet të shpërndaheshin në të njëjtën mënyrë, për të rritur sadopak nivelin e futbollit të fëmijëve. Sipas raporteve vjetore financiare në faqen zyrtare të UEFA-s, në vitin 2003 qeveria e futbollit vendosi për herë të parë që çdo kampionat elitar do të përfitonte minimumi 176 mijë euro në vit për t’ua kaluar klubeve.

Në vazhdim, kjo shifër është rritur në mënyrë të ndjeshme për të arritur deri në ditët kur Kategoria Superiore përfiton mbi 500 mijë euro çdo edicion. Raportet financiare dhe dokumentet e UEFA-s tregojnë qartësisht se, që nga sezoni 2001-2002, në arkat e FSHF-së kanë kaluar 1.142.100 franga zvicerane dhe 2.986.489 euro, të cilat kanë pasur si destinacion vetëm klubet shqiptare dhe investimet në futbollin e moshave (kjo llogaritje bëhet duke iu referuar vitit 2016, kur edhe është bërë investigimi).

Fondet janë kaluar në FSHF dhe kjo e fundit ka pasur në dorë çdo vit shpërndarjen në klubet përfituese. Por, si është realiteti? Mjafton të shkosh në fundjavë pranë fushave ku luajnë akademitë e klubeve elitare shqiptare për të kuptuar se rreth 4 milionë euro, që kanë vërshuar në vitet 2003-2016, nuk kanë mbërritur në destinacion.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"