Skandali, UEFA: Ja cilat janë 13 ndeshjet e trukuara në Shqipëri
Futbolli shqiptar është tronditur sërish, por tani nga fakte të reja që zbardhin trukimet masive të ndeshjeve në Shqipëri. UEFA ka dhënë alarmin për trukime të rezultateve në Superiore përmes një analize të hollësishme dhe zyrtare të çdo ndeshjeje. “Top Channel” ka zbuluar dje një pjesë të raporteve konfidenciale të UEFA-s sa i përket shitjeve të ndeshjeve dhe manipulimit të rezultatit në kampionatin tonë. Sistemi i sofistikuar i UEFA-s, i quajtur Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, BFTS, është një nga sitat kryesore të të gjithë kampionateve evropiane. Ky sistem monitoron paratë e luajtura për ndeshje të caktuara dhe lëvizjet e koeficienteve, që sipas specialistëve sjell përcaktimin përfundimtar nëse një ndeshje është e fiksuar apo jo. Jo vetëm kaq, por edhe çdo lëvizje në fushë, karton i verdhë, karton i kuq dhe aksion, monitorohet për t’i dhënë një pasqyrë më të plotë panoramës së takimeve të trukuara. Dje janë zbuluar 12 ndeshje të sezonit të shkuar dhe vetëm 1 e këtij sezoni. Sipas raportit të UEFA-s, analizat tregojnë se një pjesë e tyre janë shumë të dyshimta, disa të fiksuara, ndërsa të tjera 100 për qind të fiksuara. 5 ndeshje të javës së 29-të të Kategorisë Superiore kanë rezultuar të trukuara, pra ndeshjet e zhvilluara më 20 prill 2011:
1) Skënderbeu-Laçi 2-0
2) Flamurtari-Dinamo 6-2
3) Besa-Kastrioti 3-2
4) Elbasani-Teuta 2-4
5) Bylisi-Shkumbini 2-0
Vetëm ndeshja Vllaznia- Tirana i ka shpëtuar trukimit në këtë javë të Superligës. Në raportet e UEFA-s janë edhe 7 ndeshje të tjera të sezonit të kaluar: 12 mars 2011, Dinamo-Elbasani 3-1; 1 prill 2011, Laçi-Elbasani 3-1; 15 prill 2011, Dinamo- Skënderbeu 2-3 dhe Tirana- Elbasani 6-1; 19 mars 2011, Elbasani-Bylisi 0-2; 24 prill 2011, Shkumbini-Besa 2-2 dhe 25 prill, Kastrioti-Teuta, 3-1. Raporti i përcakton këto ndeshje të trukuara me rezultate të sakta, ndërsa për këtë sezon bëhet fjalë për Kastrioti-Vllaznia e 3 tetorit, e fituar nga krutanët. Për këtë sfidë ka një raport shumëfaqësh me detaje se çfarë ka ndodhur, ku përmenden edhe emrat e gjyqtarëve, Janku, Pregja dhe Avdo, apo emra lojtarësh të Kastriotit si Caca, Muçollari, Grami e Turdiu; ky i fundit në këtë takim doli me karton të kuq. Sipas raportit të UEFA-s, të dyja këto skuadra kanë një histori të dyshimtë dhe për 14 ndeshje të tjera të luajtura, 9 prej të cilave kanë dyshime të forta, madje cilësohen si të trukuara. Historia e trukimit të ndeshjeve është një temë e rrahur shpesh, por gjithçka ka mbetur në disa deklarata publike në media. Gjithmonë debatet janë mbyllur me fjalinë “mungojnë provat”. Së fundmi ka qenë UEFA që ka sjellë jo vetëm një, por dhjetëra prova, raporte dhe analiza që mbyllen me konkluzione për manipulimin dhe fiksimin e ndeshjeve të Superiores shqiptare. Nëse edhe kjo nuk do të mjaftonte për të nisur një hetim të gjerë për “këmbët e pastra”, siç mund ta quajmë ndryshe historinë e basteve dhe trukimeve në Shqipëri, atëherë nuk ka arsye të besojmë në pastërtinë e futbollit.
NDESHJET NË RAPORTIN E UEFA-s
12 MARS 2011
Dinamo – Elbasani 3-1
15 PRILL 2011
Dinamo-Skënderbeu 2-3
Tirana-Elbasani 6-1
19 MARS 2011
Elbasani-Bylis 0-2
1 PRILL 2011
Laçi-Elbasani 3-1
20 PRILL 2011
Skënderbeu-Laçi 2-0
Flamurtari-Dinamo 6-2
Besa-Kastrioti 3-2
Elbasani-Teuta 2-4
Bylis-Shkumbini 2-0
24 PRILL 2011
Shkumbini-Besa 2-2
25 PRILL
Kastrioti-Teuta 3-1
3 TETOR 2011-12-12
Kastrioti-Vllaznia 2-1
Arbitra dhe lojtarë
Për ndeshjen Kastrioti-Vllaznia më 3 tetor të këtij viti, UEFA ka hyrë në detaje duke përmendur edhe emra gjyqtarësh e futbollistësh. Në raport janë përmendur edhe emrat e arbitrave Albano Janku, Arben Pregja dhe Redi Avdo, apo emra lojtarësh të Kastriotit si Caca, Muçollari, Grami e Turdiu; ky i fundit në këtë takim doli me karton të kuq.
Ndeshjet u shitën me rezultat “në kokë”
Në bazë të raporteve që ka dërguar UEFA pikërisht në zyrat e federatës duket qartë që zyrtarët më të lartë të këtij institucioni kanë pasur dijeni për të gjitha këto ndeshje. 12 nga 13 ndeshjet e trukuara sipas UEFA i përkasin vitit të kaluar (fazës së tretë), por sakaq federata nuk e ka parë të arsyeshme që jo vetëm të bënte publik këtë raport që kohë më parë, por nuk ka hetuar as vetë, duke u bërë indirekt palë në këtë skandal. Sakaq raporti flet për takime të trukuara, me rezultat në kokë. Ja disa nga pjesët e raportit:
Dinamo-Skënderbeu 2-3
Nuk ka shumë për të thënë këtu. Nuk kam parë kaq shumë lëvizje koeficientesh. Të dyja skuadrat e dinin si do të përfundonte ndeshja. Konkluzioni: 100% e fiksuar.
Shkumbini-Besa 2-2
U luajt me handikap për ekipin udhëtues. Konkluzioni: E fiksuar. Kastrioti-Teuta 3-1 Fiton ekipi vendës dhe shënohen më shumë se tre gola. Konkluzioni: E fiksuar.
Tirana-Elbasani 6-1
Ekipi udhëtues është një mbeturinë dhe thjesht pëson gola për të fituar para. Konkluzioni: 100 % e fiksuar. Elbasani-Bylis 0-2 E përcaktuar që do të dilte 0-2. Konkluzioni: E korruptuar, madje në mënyrë të qartë.
Skënderbeu-Laçi 2-0
Kjo ndeshje është e fiksuar. E dinin mirë që dilte 2-0. Konkluzioni: E luajtur me rezultat të saktë 2-0. E fiksuar.
Flamurtari-Dinamo 6-2
Bastet ishin të gjitha nga një anë dhe besonin se do fitonte skuadra vendëse me shumë gola. Në pushim u ndërprenë bastet. E fiksuar. U luajt për fitore dhe shënohen shumë gola.
Besa-Kastrioti 3-2
Këtu nuk ka vend për debate. Ata që i kanë vënë bastet, kishin dijeni. I habitur se si bastet kanë qëndruar hapur dhe e kanë pranuar. 100 për qind e fiksuar për rezultat të saktë 3-2.
Elbasani-Teuta 2-4
Ata që vinin baste ishin shumë të sigurt se fitonte Teuta dhe shënoheshin më shumë se tre gola. 100 për qind e fiksuar.
Bylisi-Shkumbini 2-0
E qartë që në fillim. Të gjithë ata që vinin bastet, e dinin ç’po bënin. E fiksuar turpshëm 100 për qind: fitore me rezultat të saktë 2-0.
Nuk mbaron me kaq, në raport flitet se disa ndeshje janë trukuar edhe në mënyra të tjera të tipit: fitore si në pjesë të parë dhe në të dytën ose anasjelltas, ku dihet që koeficientet janë shumë herë më të lartë. Në pak fjalë një kampionat, të paktën në një javë të vet (e 29-ta) i trukuar në mënyrën më banale të mundshme. Sakaq, edhe pse takime të tilla ku dukej haptazi tolerimi (sipas mediave shqiptare) ose trukimi (sipas UEFA-s), federata nuk ka marrë thuajse asgjë për bazë duke lejuar që kampionati të degjeneronte dhe rezultatet të ishin krejt fiktive.
Ligji për trukimet: Dënim deri 7 vjet burg
Ligji është i ashpër kur bëhet fjalë për trukime ndeshjesh. Pas propozimit që u bë nga Zyra e Prokurorëve dhe Zyra e Mbrojtjes së Qytetarëve, u përcaktuan rregulla të qarta. Ky është thelbi i ndryshimeve që u miratuan në “Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë” ose ligjin Nr.7895, datë 27.01.1995. “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në tre milionë lekë”, është një nga pikat e këtij ligji. Kërkesa për një futboll “me këmbë të pastra” synon rishikimin e ligjit për të frenuar fenomene, si: trukime, shitje apo fiksime të rezultateve, prej të cilave nuk ka vuajtur vetëm sporti i futbollit. Por duhet thënë, se edhe pse ligji ekziston prej dy-tri vitesh tashmë i miratuar në parlament, aq Prokuroria dhe federata nuk e kanë përdorur qoftë edhe në një rast të vetëm.
Federata, blof edhe me prokurorët sportivë
U tha që vetëm me anë të një taks-force të re të mirëorganizuar mund të luftoheshin trukimet në futbollin shqiptar. Kjo ka qenë iniciativa që pati marrë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, duke krijuar një lloj prokurorie brenda federatës. Këta prokurorë do të hetonin të gjitha raste që sipas tyre, por edhe të sinjalizuara nga arbitrat ose vëzhguesit mund të kishin anomali si në mënyrën sesi do të luanin lojtarët në fushën e lojës, por edhe në vënien e basteve, jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë. Faktikisht, të kontaktuar disa herë nga “Panorama Sport” sezonin e shkuar prokurorët e FSHF-së patën pohuar se disa herë kishin kryer hetime dhe kishin sinjalizuar drejtuesit e federatës, por gjithçka kishte ngecur më pas aty. Sakaq nuk kanë munguar edhe në mediat shqiptare shumë deklarata, madje edhe nga vetë lojtarë e drejtues klubesh ku flitej për trukime të mundshme apo lëshime nga njëra skuadër apo tjetra, por në asnjë rast federata nuk e ka parë të arsyeshme që të pastrojë një herë e mirë futbollin shqiptar. Thënë kjo, edhe taks-forca e krijuar nga presidenti Duka ka dështuar totalisht, pasi faktet për trukime në kampionatin shqiptar, më së pari po vijnë nga UEFA dhe jo nga FSHF-ja, e interesuara direkte për një futboll të pastër.
“FSHF na vlerësoi maksimalisht për Kastrioti-Vllaznia”
Në raportin e UEFAs shkruhet qartazi se tre arbitrat e ndeshjes Kastrioti-Vllaznia: Albano Janku, Arben Pregja dhe Redi Avdo janë të implikuar në trukimin e këtij takimi. Sakaq i pyetur nga “Panorama Sport”, kryesori i kësaj ndeshjeje, Albano Janku,ka mohuar kategorikisht që të ketë qenë pjesë e ndonjë trukimi në Superiore dhe ca më pak të ndeshjes Kastrioti-Vllaznia. Sipas tij ndeshja ka qenë mjaft e fortë, me dyluftime të ashpra nga të dyja skuadrat,aq sa atij iu desh që të nxirrte me karton të kuq një nga lojtarët vendës, pikërisht Erald Turdiun që në pjesën e parë. Por ajo që bën më shumë përshtypje në deklaratën e Jankut është pohimi se për atë ndeshje, treshja e arbitrave është vlerësuar maksimalisht për gjykimin nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Deklarata – “Nuk kam çfarë të them për atë ndeshje. Di që ka qenë një 90-minutësh i ashpër, pasi që të dyja skuadrat kërkonin fitore. Mua m’u desh që të nxirrja edhe karton të kuq për një lojtar vendës për ndërhyrje të rëndë. Takimi përfundoi në mënyrë korrekte dhe për aq sa më takon nuk pashë ndonjë reagim nga ana e lojtarëve që të më linte përshtypjen se ishte e trukuar. Përkundrazi u luajt mjaft fort siç iu thashë. Sakaq, ju vë në dijeni se për atë ndeshje jemi vlerësuar maksimalisht nga Komisioni i Vlerësimit dhe Meritës në federatë”, ka sqaruar Janku. Ndërkohë, anësori Arben Pregja nuk pranoi të prononcohej. “Nuk kam asnjë koment për të bërë”,- deklaroi arbitri. Denoncimi – Nga ana tjetër duhet thënë se nuk ka qenë vetëm UEFA që e ka klasifikuar këtë ndeshje si të trukuar. Edhe vetë drejtuesit e KF Vllaznia patën deklaruar që ky takim mund të kishte qenë i trukuar duke akuzuar direkt gjyqtarët. Në shënjestër të administratorit të klubit kuqeblu u vunë pikërisht treshja e gjyqtarëve, Albano Janku, dhe dy asistentët, Redi Avdo dhe Arben Pregja, të cilët sipas tij gjykuan në mënyrë të qëllimtë në dëm të Vllaznisë, madje duke i mohuar edhe një gol të rregullt kuqebluve. “Ditën e mërkurë do jemi me federatë, me një dosje të plotë, për parregullsitë e takimit Kastrioti-Vllaznia, e në mënyrë specifike për gjykimin skandaloz dhe të njëanshëm të gjyqtarëve Albano Janku dhe Arben Pregja. Ata janë të korruptuar dhe për këtë kemi fakte”, pati thënë Kujtim Shaba. Kjo deklaratë u mor “seriozisht” nga FSHF-ja, e cila konfirmoi se do dënonte Shabën në rast se ato që ai kishte thënë nuk do rezultonin si të vërteta. Faktikisht kanë kaluar javë të tëra dhe nuk ka ndodhur asgjë.
FSHF nuk denoncoi pas raportit të UEFA-s
Federata Shqiptare e Futbollit i ka mbaj tur të fshehta raportet e UEFA-s, duke mos bërë denoncime në Prokurori, por duke preferuar që t’i zgjidhë vetë gjërat “brenda gardhit”. Kjo teori e FSHF—së ka dështuar tashmë, aq sa e ka futur futbollin shqiptar në një spirale të rrezikshme duke e çuar besueshmërinë e tij në pikën më të ulët të historisë së tij.
Informacionet Disa muaj më parë, federata nëpërmjet një deklarate të bërë në mënyrë jozyrtare nxori informacionin se i kishin ardhur indicie nga UEFA se në ndeshjen Kastrioti-Vllaznia 3-1 kishte pasur luhatje të çuditshëm koeficientesh dhe ishin vendosur shuma të mëdha parash. Megjithatë, FSHF-ja asnjëherë më parë nuk kishte nxjerrë në dritë raporte të tjera të UEFA-s, ku në fund të tyre thuhej se ndeshjet ishin 100 për qind të trukuara.
Reagimi Zyra për shtyp e FSHF-së ka bërë të ditur se bëhet fjalë për informacione rutinë që UEFA u jep federatave të ndryshme evropiane, në rastet kur sheh lëvizje të dyshimta koeficientesh apo shuma të mëdha parash që vihen mbi një ndeshje. “Ky është një informacion rutinë, që UEFA ua jep thuajse edhe për javë federatave të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se ndeshjet janë të trukuara. Aty thjesht janë disa indicie apo të dhëna që UEFA nëpërmjet sistemit të monitorimit të basteve të sofistikuar FSHF nuk denoncoi pas raportit të UEFA-s Federata: Raporte rutinë, që vijnë shpesh nga ndërkombëtarët Zyrtarët e futbollit kanë mbajtur sekret raportet jep këshilla, sugjerime, apo edhe direktiva për hetime të mëtejshme”, ka thënë përgjegjësi i zyrës për shtyp në FSHF, Lirim Zalla. Ndërkaq, tejet i tronditur ka mbetur edhe kryetari i shoqatës së arbitrave, Tahir Kastrati, i cili është njëherazi edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. I pyetur nëse kishte ndonjë reagim se në raport ishin përmendur edhe arbitra shqiptarë, ai ka thënë: “Nuk kam asnjë koment për raportin e UEFA-s. Thjesht jam i befasuar që unë nuk jam në dijeni të këtyre raporteve. Këtu nuk e kam fjalën vetëm si kryetar i Shoqatës së Arbitrave, por edhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv. Do prononcohem për këtë, vetëm pasi të kem mësuar se çfarë ka ndodhur vërtetë”, ka thënë Kastrati për “Panorama Sport”.
Shembulli i Maqedonisë me denoncimet në Prokurori
Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit pohuan se homologët e tyre në Maqedoni kanë ndjekur një praktikë krejtësisht të kundërt me atë të federatës sonë. Maqedonasit, për çdo letër që vinte nga UEFA, apo për ndonjë raport për ndeshje të dyshimtë, i drejtoheshin Prokurorisë. Në këtë mënyrë federata vepronte konform ligjeve, çka tregon vullnet të pastër se kërkon ta luftojë seriozisht fenomenin e paracaktimit të ndeshjeve. Në Shqipëri nuk ka ndodhur kështu, pasi FSHF asnjëherë nuk i është drejtuar Prokurorisë për të hetuar për ndeshje të dyshimta.